E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokle: Ska hetim pa hapur kutitë

Partia Socialiste rikonfirmoi dje kërkesën e saj për të ngritur një komision hetimor për hapjen e kutive. Deputeti Namik Dokle tha se një kërkesë e tillë është sanksionuar edhe në projekt-draftin e KiE. “Kërkesa e vazhdueshme e Partisë Socialiste për të hetuar zgjedhjet, përmes një komisioni hetimor parlamentar, që ka për objekt hapjen e kutive, si të vetmen mënyrë për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit, është bërë tashmë sugjerim i qartë edhe i faktorit ndërkombëtar dhe asaj çka ai sugjeron, për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza politike; për t’u hapur rrugë reformave integruese nëpërmjet dialogut serioz mes institucioneve të vendit dhe me ato ndërkombëtare”, tha Dokle. Sipas tij, nuk mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa analizuar regjistrin zgjedhor që përmbajnë kutitë, duke e krahasuar atë me regjistrin e gjendjes civile; pa hapur kutitë që të analizohet se sa mijëra zgjedhës kanë votuar pa pasaportë e pa kartë identiteti, duke shkelur ligjin. “Pa hapur kutitë që të shikohet nga regjistri i votimit se sa mijëra emigrantë rezultojnë sikur kanë votuar, ndërkohë që nuk kanë qenë në Shqipëri në datën 28 qershor; pa hapjen e kutive dhe analizën e gjithë dokumentacionit që ato kanë”, u shpreh Dokle. Ai insistoi se duhet analizuar edhe shqetësimi i ndërkombëtarëve se në një të tretën e qendrave të votimit numërimi është bërë keq dhe shumë keq.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›