E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sukniqi: “Politika është strehëza e anonimëve”

Autori i Lajmit: red.
Tranzicioni i tejzgjatur artistik nuk mund të linte pa prekur edhe një prej koreografëve të mirënjohur shqiptar, siç është Arjan Sukniqi. Një artist që ka dyluftuar me të keqen, për të sjellë të mirën në art, një njeri i cili edhe pse jeta e ka përballuar me shumë situata të pakëndshme, ka ditur të triumfojë dhe të sjellë vlerat e tij artistike. Aktualisht, Sukniqi është duke punuar për premierën e sezonit artistik të Teatrit të Operas dhe Baletit, një shfaqje e cila do të sjellë një tjetër dimension në skenë dhe do të kthejë besimin e humbur të koreografit.

Si ka filluar jeta juaj artistike?
Nuk kam pasur ndonjë shtysë të veçantë nga familja apo dikush tjetër, ka qenë thjesht një dëshirë e imja, që në atë kohë si fëmijë nuk e dija nga buronte. Kisha kuriozitet për gjithçka rreth baletit dhe kështu fillova të angazhohem më bashkëmoshatarët e mi në Pallatin e Kulturës. Fillova të ngacmohesha nga mendimi, se diçka mund të ndërtoja. Bëhet fjalë për vitet 84- 85, kohë kur unë nuk kisha ndonjë informacion të madh për baletin, aq më tepër për zhvillimet e tij në botë. U lidha shumë me baletin dhe kam bërë gjithçka për të qenë pjesë e pandashme e tij, besnik i këtij profesioni sa të bukur aq edhe të vështirë. Jam konsultuar me disa figura mjaft të njohura të baletit shqiptar si me Ëngjëll Tërshanën,Bujar Alinë, Agron Alinë dhe më vonë me të tjerë, që i kisha edhe pedagogë si Bert Jankun, të cilët gjithmonë më inkurajonin. Mënyra se si ata më trajtonin, më linte të kuptoja që do të mundja të bëja diçka gjatë jetës sime për baletin, dhe kjo më jeptë forcë dhe njëkohësisht më shtonte dëshirën për të mësuar sa më shumë nga ky art i veçatë. Pas klasës së tetë, unë vazhdova disa kurse baleti. Në shkollën e baletit pata probleme sepse pasi fitova, më thanë që nuk duhet të vazhdosh. Për fatim tim të keq, kam pasur probleme me biografinë, edhe pse nuk dua të qahem, ngaqë nuk më ka pëlqyer kurrë roli i viktimës. Kurset i mbarova shkëlqyeshëm në Shqipëri ku isha nën kujdesin e pedagogëve më të mirë. Ndërkohë, u përgatita për në Akademinë e Arteve, ku edhe vazhdova studimet e larta. Pasi mbarova shkollën, fillova punë si asistent në Ansamblin Shtetëror dhe më vonë, u largova për në Gjermani, ku ndenja rreth 6 vjet.

-Pse erdhi ky largim, për studime apo për arsye emigrimi?
Çdokush dëshiron të jetë sa më i plotësuar në profesionin që zgjedh, ndaj edhe unë doja të perfeksionohesha dhe të çoja më tej dëshirën time për të qenë një balerin i zoti. Në Gjermani unë mbarova Institiutin “Gërnia”, pasi përfundova shkollën për njohjen e gjuhës gjermane. Ky ishte një kusht i deomosdoshëm për të mos punuar si një emigrant i thjeshtë. Pasi mbarova instituti n, fillova punë menjëherë. Kam punuar për katër vjet si pedagog në Akademinë e Mynihut.

-Pse u kthyet në Shqipëri, ju afruan diçka më të mirë apo çfarë?
Nuk jam kthyer sepse më kërkuan apo më ofruan diçka më të mirë, por sepse në atë kohë, nuk isha shumë mirë i stabilizuar me dokumente dhe kjo më kërcënonte edhe punën time. Kështu që vendosa të kthehem në Shqipëri, më shumë për të parë situatën, sesa për të jetuar këtu. Ndërkohë, kur erdha këtu mora një ofertë në mënyrë rastësore për në shkollën e baletit dhe mendova se do të isha më i vlefshëm, po të sistemohesha pranë familjes, e cila kishte nevojë për praninë time. Oferta ishte mjaft e mirë dhe unë fillova punë menjëherë si Drejtor i Shkollës së Baletit, ku qëndrova për 8 vite.

-Duke qenë se ishte një post drejtues, si e ndjetë veten aty?
Kur e kam marrë drejtim e shkollës, e kam ndjerë veten shumë keq, pasi kushtet e shkollës ishin të papërshkrueshme. Jam munduar të bëj më të mirën që kisha mësuar gjatë gjithë jetës sime dhe të ngre një grup pune efikas. Jam munduar për gjithë ato vite që kam qenë aty, të mos lëndoj njeri dhe t i trajtoj të gjithë si të barabartë profesionalisht. E rëndësishme ishte, që të ndaja punët, të punoja në grup, t i mirëkuptoja për vështirësitë që kishin dhe ta nxisja e përkrahja stafin pedagogjik, që përveçse të merrnin informacion, të fusnin elemente të reja. Besoj se kjo është edhe puna më e mirë që kam bërë gjatë 8 viteve të punës në Shkollën e Baletit, për të mos folur për anën profesionale. Realiteti që po shoh tani, pas tri vitesh që jam larguar, gjithmonë e më shumë më jep të drejtë.

-Sa pjesë baleti keni realizuar dhe cilat janë ato?
Ndihem shumë krenar për krijimtarinë time, pasi edhe pse kam një moshë realtivisht të re jam autor i tetë shfaqjeve të baletit. E kam filluar me “Franceska da Rimini”, “Paradoks i Jetës”, “Nata e fundit e Krishtit”, shfaqjet e të cilave janë dhënë në SHBA. Më pas vjen “Carmina Burana”, e cila është shfaqur në Suedi, Danimark, Poloni dhe Gjermani. Shfaqjet për të cilat kam punuar në Shqipëri janë “Katedralja e Parisit”, “Bolero”, “Loja e Shahut” etj. Kam realizuar edhe disa music hall si: “Kabaretë”, Hair, Gerls, “Chigago”, “Grefef”, “Moulin Roughe”, Romeo e Zhuljet” etj. Përveç këtyre, kam punuar edhe për balete për fëmijë siç janë, “Klloçka dhe zogjtë”, “Borëbardha dhe 7 xhuxhat” dhe dhjetra numra koreografikë. Deri tani kam realizuar tetë balete.

-Sa çmime keni marë jashtë vendit?
Kam qenë pjesëmarrës në shumë evenimente ndërkombëtare si konkurrues por edhe si përfaqësues i Shqipërisë me trupa baleti të ndryshme, nga ku kemi fituar edhe shumë çmime. Unë personalisht kam tre çmime ndërkombëtare. Kam një çmim të parë në Baletin modern të Evropës që është “Melina Mërkuri” në vitin 2001; një çmim në Gjermani në vitin 1999; një çmim në vitin 2003 në Çikago, që është edhe kjo koreografia ime paralele me “Metropol”. Gjithashtu, edhe një çmim të dytë në festivalin rinor në Antalia në Turqi, në Akademinë e Dancit të Europës Lindore.

-A ka huazime baleti shqiptar apo koreografia shqiptare ?
Ajo vetëm huazime ka. Kjo është e tmerrshme.Unë mendoj se punohet mirë, por ka edhe huazime ashtu siç ka në këngë, në pikturë dhe në fusha të tjera. Në këtë tranzicion, edhe koreografia si pjesë e artit po përpiqet që të gjejë vetveten, por unë i trembem faktit se ky informacion i madh që po qarkullon tani, ka filluar t i dembelosë njerëzit, dhe i lë hapësirë shpërdorimit. Ndërsa ana shpirtërore ...

-Aktualisht, jeni i papunë?
Nuk jam nga ata tipa, që dinë vetëm të qahen dhe të akuzojnë të tjerë. Mendoj se fakti që jam pa punë, vjen sepse në Shqipëri njerëzit që kanë vlera, sulmohen më shumë, njëlloj si ajo pema që ka shumë kokrra dhe është në qendër të goditjes nga të gjithë. Gjithsesi, mendoj se, nëse ke dëshirë për të punuar, mund të kesh hapësira pa fund për ta bërë një gjë të tillë. Artistët nga natyra janë më të ndjeshëm dhe duan shumë kohë ta marrin veten pasi janë goditur. Unë mundohem të jem korrekt me veten, me kolegët dhe miqtë. Kam principin të bashkëpunoj për të sjellë diçka të bukur, pasi më shumë njerëz sjellin më shumë ide dhe mund të ndikojnë në një realizim më të plotë, sesa kur diçka e bën vetëm.

-Pra, jeni kthyer në TKOB. Për çfarë po punoni?
Pak 14 muajve i papunë, më në fund Teatri i Operas dhe Baletit më ka hapur dyert dhe më ka besuar premirën e sezonit të ri artistik, që sapo ka filluar. Së bashku me një grup të madh profesionistësh, jam duke punuar për të vënë në skenë “Carmina Burana”, një balet të cilin e kam punuar edhe shumë vite më parë për t u shfaqur në disa shtete si në Gjermani, Danimarkë etj. Kjo vepër është përshtatur për realitetin shqiptar dhe, po ta shikosh, duket si një tjetër shfaqje nga ato që unë kam dhënë në këto shtete. Jam munduar të sjell dimension, hyrje të reja në mënyrë, që kjo shfaqje të jetë gjigande. Është e mira dhe e keqja që vihen përballë, dhe për t i dhënë dimension, veç saj, kam futur besueshmërinë që mund të të japë një magjistar, i cili do të jetë risia e saj që do t i japë zgjidhje situatës. Shfaqja zgjat një orë e dhjetë minuta, një shfaqje e cila është ndryshe nga ato që ne jemi mësuar të shohim.
Më këtë pjesë të re baleti, jam shumë i emocionuar, që i kthehem skenës, pasi qelizat e mia po fillonin të vdisnin. Kur je mësuar të punosh dhe t i përkushtohesh diçkaje dhe ndërkohë nuk bën asgjë, e di shumë mirë që qelizat po të vdesin, atëherë gjendja psikologjike fillon e rëndohet. Për të mos folur për detyrimet familjare. Është njëlloj si puna e një shkrimtari që s i japin letër apo laps për të shkruar dhe ai fillon e bën diçka në trupin e tij për t i mbushur mendjen vetes, që është duke bërë diçka.
Shpresoj të sjell një shfaqje të mire, jo për të treguar vlerat e mia, por për t u kthyer besimin atyre njerëzve, të cilët më dhanë mundësinë të kthehem në skenë.

-Pse thoni se nuk ju kanë dhënë mundësi për të punuar?
Shqipëria është një sistem dyfytyrësh; në njërën fytyrë shikon çdo gjë blu dhe në tjetrën, çdo gjë të kuqe. Kur të shikojnë që nuk ke asnjë nga këto ngjyra, atëherë automatikisht nuk mund të jesh pjesë e një stafi për të dhënë kontributet e tua. Asnjëherë nuk kam dashur të shpërfytyrohem, ndaj i ka qëndruar besnik profesionit tim. Për mendimin tim, politikanët janë ata njerëz të cilët kanë detyrime të mëdha ndaj shoqërisë dhe nuk kanë gjetur dot mënyrën se si t i shlyejnë ato me anë të profesionit të tyre, ndaj shpresojnë t i shlyejnë nëpërmjet politikës. Koncepti që kanë pjesa e më e madhe e politikanëve ose atyre që duan të merren me politikë është: Nëse merresh me politikë, nuk duhet të duash njeri sepse nëse do dike, nuk mund të udhëheqësh dot. Prandaj shoqëria shqiptare vuan pasojat e një politike të padrejtë. Demokracia jonë konsiderohet dyngjyrëshe, kuq ose blu, ndryshe duhet të mësohesh të qëndrosh në rrugën e madhe. Shpresoj që ai magjistari i shfaqjes sime, të zgjidhë edhe këtë kaos që ne jemi duke jetuar. Për mua, politika është strehëza e anonimëve.

-Si një nga artistët që po vuani tranzicionin e zgjatur, çfarë do të thoshit për artistët e rinj? A do të mund të integrohen ata në jetën artistike në vend?
Është një fatkeqësi e madhe për këta të rinj, pasi nuk mund të tregojnë dot vlerat e tyre. Ata nuk kanë asnjë mundësi reale për të pasur një jetë artistike.

-Mendoni se baleti pas disa vitesh do t i bjerrë vlerat e tij dhe do të jetë në nivele të dobëta, meqenëse të rinjtë s mund ta ushtrojnë?
Edhe kjo është një e vërtetë e cila ka shumë mundësi të jetë e pranishme në jetën artistike shqiptare pas disa vitesh. Tani më shumë po riprodhohet arti i huaj falas, një punë mekanike e cila s ka asnjë emocion, asnjë ndjenjë dhe mungon diçka e re, e cila kushton.

-Si mund të zgjidhet kjo situatë?
Mendoj se duhet të krijohet një trupë e madhe e mirëorganizur e cila do të tregojë vlerat e artit tonë në botë. Por jo vetëm kaq: Duke qenë se ne jemi një nga vendet që po futemi në hartën turistike, është e nevojshme një trupë e tillë, e cila mund të ndikojë në rritjen e turistëve. Një trupë e tillë mund t i ngjasojë “Zjarrit të Anadollit” trupës turke që ka bërë xhiron e botës dhe ka fituar famë ndërkombëtare. Një projekt të tillë e kam menduar prej kohësh dhe besoj se shumë shpejt do të mundësohet një realizim i tillë.
Ky lajm është publikuar: 08/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›