Sukses i studentëve kosovarë në Vjenë
Një grup studentësh të Fakultetit Juridik ia kanë dalë të kualifikohen në pesëmbëdhjetëshen më të mirë të garës ndërkombëtare të drejtësisë në Vjenë, ku marrin pjesë mbi 300 universitete të njohura botërore.
Në një pritje për këta studentë, rektori i UP-së, Mujë Rugova tha se suksesi i këtyre studentëve nuk do të jetë e fundit dhe se kjo dëshmon se UP nuk po prodhon kuadro vetëm për Kosovën dhe hapësirën shqiptare në Ballkan, por edhe për Evropën e më gjerë.
“Kjo është një garë që Universitetin e Prishtinës e ka nxjerrë ashtu si është. E ka nxjerrë se këtu ka një kualitet që duhet të respektohet së pari nga vendasit, e kjo është një provë që ne vetveten nuk po e vlerësojmë ashtu si e meritojmë, në anën tjetër edhe po e përgojojmë. Por arritja e këtyre studentëve i rrënon të gjitha përgojimet se në këtë universitet nuk ka cilësi”, ka thënë Rugova.
Prorektori i UP-së, Bajram Berisha, ndërkaq, tha se kjo e arritur tregon se UP është në rrugë të mbarë si universitet, ashtu siç janë edhe studentët.
Ligjëruesja në Fakultetin Juridik, Vjosa Osmani, theksoi se suksesi i arritur është rrjedhojë e një pune njëvjeçare. “Universiteti i Prishtinës me këtë ekip të studentëve - Dafina Buqaj, Vesa Rama, Flaka Braha, Marigona Hoti, Dardan Makolli dhe Kushtrim Palushi, kanë bërë histori”, tha Osmani.