Burimi kryesor i të ardhurave
Ndoshta është e vështirë për t’u pranuar, por turizmi është kthyer në burimin kryesor të të ardhurave të shqiptarëve. Ia ka kaluar ndërtimit. Po fillojmë t’i ngjajmë Greqisë së viteve ‘70 të shekullit të kaluar. Ky vend siguroi mirëqenien pikërisht duke zhvilluar fort industrinë e tij turistike. Po ne? Për shtatë muajt e parë të këtij viti, aktiviteti turistik duket se ka gëzuar një rritje me rreth 16 për qind. Rritje për të cilën në mënyrë joformale shumë analistë në Bankën e Shqipërisë shprehen të sigurt se do të vijojë edhe për këto tre-katër muajt e fundit të këtij viti. Me fjalë të tjera, janë 120 milionë euro më shumë (duke ditur se turizmi vitin e kaluar bëri rreth 830 milionë euro ose rreth 12 për qind të GDP-së). Me këto para, kalohet lehtë kontributi prej 13 për qind i ndërtimit në prodhimin e përgjithshëm të vendit (GDP-në, duke përjashtuar kontributin e bujqësisë, e cila nuk shet të gjithë prodhimin, por mbi 40 për qind e mban për vetëkonsum të familjeve fermere) dhe kështu, turizmi kalon në industrinë e parë të vendit. Ky sezon veror turistik që është në përfundim e sipër, ka qenë një periudhë shumë e suksesshme për nga numri i vizitorëve dhe larmia e shërbimeve turistike të kryera në zonat me tërheqje më të madhe turistike të vendit. Promovimi i destinacioneve turistike shqiptare ka arritur pikën më të lartë të tij këtë vit, në krahasim me të gjithë periudhën e tranzicionit 1991-2007 (Panairi i Berlinit, i Londrës, reklama në CNN, guidat, librat njohës, shkrimet dhe reportazhet e mediave të njohura botërore etj.). Shtysë turizmit kulturor po përpiqet t’i japë edhe Ministria e Turizmit, nëpërmjet nisjes konkrete të nismës-projekt të 40 haneve (Hani i Zagorisë në Gjirokastër tani është fytyra e turizmit kulturor e atë mbi bazë traditën). Të huajt kanë bujtur në Shqipëri me avionë (sidomos linja Londër-Tiranë), por po ashtu me dhjetëra mijëra maqedonas me kombësi maqedonase (jo vetëm shqiptarë të Maqedonisë, që janë tradicionalë) kanë pushtuar brigjet shqiptare të Jonit nëpërmjet udhëtimit me automjetet e tyre. Kjo, pse oferta pushuese e Malit të Zi për ta (Budva dhe destinacione të tjera tradicionale) është shtrenjtuar nga prania e rusëve, ndërsa plazhi liqenor i Ohrit nuk i përmbush të gjitha kërkesat e tyre për diell mesdhetar dhe kënaqësinë e një uji kristal të detit në mes të vapës. Nga ana tjetër, turistë të kulturës kemi pasur këtë vit më shumë se nga secili vit i mëparshëm. E dëshmon këtë Rajmond Kola, drejtor i zyrës së Koordinimit dhe Administrimit të Qendrës Historike të Gjirokastrës. Sipas tij, në vetëm tre muaj, maj-korrik 2008, në Kalanë e Gjirokastrës janë shitur bileta dhe pasur 6 mijë vizitorë, ose sa gjithë viti 2007. Vijnë shumë turistë grekë nga Janina dhe zonat përreth, si dhe shumë turistë anglezë dhe gjermanë nga anijet që ndalojnë në Sarandë. Tani Saranda është e përfshirë nga turizmi i kroçerave (anije-hotel gjigande me kapacitet deri në një mijë dhoma). Këto janë një formë e turizmit që nuk lodh dhe që praktikohet gjerësisht nga mosha e tretë. Të moshuarit e Evropës Perëndimore kanë para dhe mund të shpenzojnë jo pak në vizita historike e bileta aktivitetesh kulturore, po aq sa një drekë dhe darkë e mirë apo suvenire nga Saranda apo Gjirokastra. Ja përse ndreqja e qendrave historike të qyteteve tona të vjetra del në plan të parë. Ministria e Turizmit është adresuar saktë duke fituar një projekt CARDS të BE-së prej 3 milionë eurosh për rehabilitimin e qendrave historike të qyteteve dhe pikave mesjetare shqiptare. Ajo po negocion për të vijuar ky projekt në një fazë të dytë po për 3 milion euro me ndihmën e fondeve IPA 2009 të Komisionit Evropian. Por turizmi shqiptar ka nevojë, pikë së pari, për ndërhyrjen masive të buxhetit të shtetit. Jo më një apo dy milionë euro, por të paktën njëzet milionë euro duhen parashikuar për vitin e ardhshëm. Duhet ngritur urgjentisht Fondi i Zhvillimit të Turizmit, struktura që do të menaxhojë me transparencë këto para dhe të tjera që mund të tërhiqen nga diaspora apo nga komuniteti donator. Tani ngjan disi me një ëndërr, por kështu është zhvilluar edhe Kroacia dhe nuk ka përse Shqipëria të mos jetë një Kroaci e dytë në bumin turistik që po përjeton.
Fatos Çoçoli
Fatos Çoçoli