E Shtunë, 31 Tetor 2026

Niveli i ulët i arkëtimeve, shkarkohen drejtuesit e OSSH-së në Kukës

Niveli i ulët i arkëtimeve dhe humbjet e larta i kanë “paguar” me vendin e punës drejtuesit më të lartë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Kukës. Drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së, Seit Dollapi, ndërsa ka qenë në Kukës për analizën 8-mujorit të këtij qyteti, iu ka komunikuar drejtuesve të OSSH-së Kukës se humbasin vendin e punës si pasojë e treguesve të dobët të degës që ata kanë drejtuar. “Të jeni të bindur se nuk do të lejoj që zona Kukës, e cila përfshin tre rrethe, Kukës, Has, Tropojë, të cenojë apo të dëmtojë sadopak treguesit e kompanisë, duke e ditur që në të gjithë vendin performanca dhe treguesit kanë ardhur gjithmonë në rritje dhe me shifra, që kjo kompani nuk i ka pasur asnjëherë”, - ka deklaruar Dollapi. Ai u shpreh se nuk do të lejonte asnjë drejtues të ndikojë negativisht në treguesit e kompanisë. “Dua t’i bëj të ditur çdo punonjësi se vendi i punës mbahet vetëm me rezultate. Vendi i punës nuk mbahet as me vjetërsi në pune, nuk mbahet as me miqësi. Secili nga ne e mban dhe e gëzon vendin e punës vetëm nëse ka rezultat. Pra, besoj se është e qartë për të gjithë dhe po e përsëris se do të ruajë vendin e punës ai që ka rezultat, ndërsa ai që nuk ka rezultat, nuk do ta ketë këtë fat”, - ka theksuar Dollapi në Kukës. Më pas ai i ka komunikuar shkarkimin nga detyra për shkak të treguesve të ulët, drejtorit të zonës Kukës, Marsel Sallaku, dhe në vend të tij ka emëruar Hajdin Elezin, Astrit Onuzin, shef i shitjeve në zone, Flutura Isufaj, shefe e financës si dhe Zyber Dragoshin, shef i agjencisë.

Në zonën e Shpërndarjes së Kukësit, që përmbledh tre rrethe, Kukës, Has dhe Tropojë, ka rezultate të dobëta në faturimin e energjisë elektrike të konsumuar. Madje, janë shkarkuar nga puna edhe lexues të matësve elektrikë. Rreth 2.764 abonentë të punësuar në strukturat shtetërore nga mospagesat e faturave të energjisë elektrike janë debitorë për shumën me vlerë prej 43.4 milionë lekë, bënë të ditur burimet. Duke theksuar faktin se mbledhja e të ardhurave nga energjia e faturuar lidhet me përgjegjësinë e punonjësve të Shpërndarjes, Dollapi u shpreh se faturistët, elektricistët dhe përgjegjësi i grupit, janë personat përgjegjës që mbledhin faturat e energjisë dhe rezultatet e ulëta në Kukës tregojnë se kjo punë çalon. Dollapi theksoi dje se në një afat shumë të shkurtër, do të kontrollohen në të gjitha zonat e Shqipërisë, në të gjitha strukturat shtetërore, të gjithë punonjësit e administratës shtetërore që nuk paguajnë energjinë, do të bëhet publikimi në të gjitha mediat e shkruara dhe vizive. “Prandaj ju kërkoj ta merrni seriozisht këtë paralajmërim. Në rast të kundërt ne do të kërkojmë ndërhyrjen e organeve të tjera të specializuara”, - tha Dollapi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›