E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dallim në rritje



Ata i quajnë sinti dhe romë. Këta janë një pakicë etniko-kulturore prej rreth 10 milionë njerëzish që jetojnë si nomadë në BE. Shumë familje janë shumë të varfra, jetojnë nëpër geto dhe nuk kanë mundësi arsimimi.

Në Gjermani është etabluar termi i dyfishtë për emërtimin e tyre: sinti dhe romë. Me sinti nënkuptohet grupi i kësaj popullsie që jeton në Evropën Qendrore dhe me romë ata të Evropës Lindore. Jashtë hapësirës gjermanofone emërtimi romë përdoret në mënyrë përgjithësuese për anëtarët e kësaj pakice.

Muzika është pjesë e kulturës së tyre, ashtu si edhe gjuha e jeta si nomadë.

Por kjo mënyrë jetese nuk përputhet me të përditshmen moderne të Evropës. E si rrjedhojë, romët gjithnjë e më shumë përjashtohen nga shoqëria. Ata diskriminohen vazhdimisht dhe përballen me përjashtimin social. Në Evropën Lindore gjatë viteve të shkuara ka pasur herë pas here sulme dhe zjarrvënie ndaj lagjeve të romëve. “Një gjendje kjo e papranueshme”, - theksoi Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso në hapje të konferencës së nivelit të lartë. Ai nënvizoi: “Çdo burrë, grua e fëmijë ka të drejtë të jetojë pa u diskriminuar dhe përndjekur. Kjo nuk është një çështje vetëm evropiane, por ka të bëjë me të drejtat universale, është një çështje e korrektesës dhe drejtësisë social,e e vlerave themelore demokratike”.

Mënyra si autoritetet italiane veprojnë ndaj problemit të romëve është e gabuar.

Kohët e fundit Italia tërhoqi vëmendjen e opinionit, sepse synon të marrë shenjat daktiloskopike të romëve. “Një qëndrim ky i papranueshëm”, - kritikoi George Soros, kryetari i institutit “Open Society”, një organizatë joqeveritare që financon projekte në mbështetje të romëve në Evropën Lindore. “Mënyra se si autoritetet italiane veprojnë ndaj problemit të romëve, është e gabuar. Ky nuk është një problem sigurie dhe nuk mund të zgjidhet si një problem i sigurisë. Përkundrazi, në këtë mënyrë çështja përkeqësohet edhe më shumë. Regjistrimi i shenjave daktiloskopike, protokollimi i profileve racore janë të papranueshme, madje unë mendoj se një gjë e tillë është ilegale. Shpresoj që Gjykata Evropiane do ta trajtojë këtë rast dhe do ta dënojë atë si një veprim ilegal”.

Ligjet nuk zbatohen

Në bazë të raportit të fundit të BE-së lidhur me gjendjen e romëve, ndonëse ekzistojnë ligjet përkatëse dhe mbështetja financiare për romët, në vendet anëtare lë për të dëshiruar zbatimi i tyre. Gjatë periudhës 2000-2006 janë financuar projekte të posaçme për romët në vlerën prej 275 milionë eurosh. Përveç kësaj janë shpenzuar një miliard euro për grupet e lëna pas dore, duke përfshirë këtu edhe romët.

Dallimi mes romëve dhe pjesës tjetër të popullsisë po bëhet gjithnjë e më i madh.

Një ndër problemet më urgjente është numri i lartë i papunësisë së romëve. Nga njëra anë, kjo ka të bëjë me faktin se duke munguar një vendbanim i përhershëm i tyre, ata nuk kanë leje qëndrimi në vendin ku jetojnë. Por pengesa më e madhe është se ata nuk kanë arsim. Presidenti i Komisionit të BE-së, Barroso, theksoi: “Në vendimet politike që kanë të bëjnë me romët, duhet të merret parasysh realiteti social i tyre. Ajo që na duhet ne është mbështetja për arsimimin e romëve, si dhe mbështetja e tyre në gjetjen e një vendi pune, ku të respektohen veçoritë kulturore të tyre. Ne mund t´i mbështesim romët përmes kurseve të menaxhimit, minikredive apo instrumenteve të tjera, që ata të aftësohen për të marrë pjesë në një veprimtari legale".

Edhe gjendja shëndetësore e romëve është në përgjithësi më e keqe krahasuar me mesataren e gjendjes shëndetësore të pjesës tjetër të popullsisë. Jetëgjatësia e tyre është rreth 10 deri në 15 vjet më e ulët se mesatarja e pjesës tjetër të popullsisë. Shumë grupe të romëve jetojnë pjesërisht në kushte pa ujë të pijshëm dhe elektricitet. Barroso kërkoi një angazhim më të fortë të institucioneve publike. Megjithatë, sipas Presidentit të Komisionit, njëkohësisht duhet që edhe romët të inkurajohen për të marrë më shumë përgjegjësi për gjendjen e tyre.

Anke Hagedorn

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›