Suksesi, meritë e shokëve

Lionel Messi i ka lavdëruar shokët e skuadrës, duke insistuar se ata kanë qenë arsyeja e suksesit të tij personal. Përfaqësuesi argjentinas konsiderohet si favorit kryesor për ta fituar ‘Topin e Artë’ edhe këtë vit, pas atyre më 2009 e 2010.
24 vjeçari i ka përmendur emrat e mesfushorëve Andres Iniesta dhe Xavi Hernandez, për të cilët thotë se e dërguan aty ku është sot.
“Nuk e konsideroj veten si më i miri në botë. Nëse jam çfarë thonë njerëzit, e përsëris, është falë bashkëlojtarëve. Ne e kemi bërë këtë punë të gjithë së bashku”, u shpreh Messi për ‘Onze’.
- “Kam fat të madh të luaj me Xavin e Iniestan. Ata janë lojtarë të cilët i admiroj për klasin dhe influencën që kanë gjatë lojës. Kam marrëdhënie shumë të mira me ta. Ata janë bërë shokë të mi”, vazhdoi ai.
I linduri në Rosario të Argjentinës, Messi thotë se është krenar që arriti ta fitojë titullin në La Liga tri herë rresht, duke përfshirë këtu edhe sukseset në Ligën e Kampionëve dhe në Superkupën e Spanjës.
“Nuk mund t’i gjykoj ekipet e kaluara ose t’i krahasoj ato dhe të them se jemi ekipi më i mirë i të gjitha kohëve, por mendoj se ky ekip do të kujtohet për të gjithë trofetë që i kemi fituar. Kjo skuadër e ka ndryshuar rrjedhën e lojës dhe vizionin e futbollit me mënyrën se si luan. Ajo që është e qartë është se ne do të bëhemi legjendarë”, vazhdoi përfaqësuesi argjentinas.
Messi po ashtu ka fjalë të mira për trajnerin e tij, Pep Guardiola, për të cilin thotë se është trajneri më i mirë në botë.
“Guardiola me të vërtetë është fenomen. Së pari, për shkak se ai ka fituar gjithçka. E më pas, për shkak të punës së tij në detaje. Mënyra se si ai u kushton rëndësi edhe gjërave të imta është fascinuese. Ai nuk i lë asgjë rastësisë. Pep është pa dyshim trajneri më i mirë në botë”, përfundoi Messi i cili edhe këtë sezon do të mundohet ta udhëheqë Barçën drejt suksesit në La Liga dhe në Champions League.