Dhjetor 91, kur Nano kërkonte qeveri me Berishën
Rikthim te viti i parë i pluralizmit. Ecejaket e Nanos në krye të qeverive disajavore dhe premtimi para gazetarëve më 12 dhjetor: “Edhe po fitova në zgjedhjet e ardhshme, do të bëj bashkëqeverisje PS-PD
Kur në fund të vitit 2006 do të ndodhte “puthja” publike mes ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano dhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha, njëherësh edhe kryeministër, shumëkush shprehu idenë se ky ishte pakti i pashkruar për një bashkëqeverisje mes demokratëve të djathtë dhe nanoistëve të mbetur pa parti. Shtatë muaj më vonë, në 20 korrik 2007, Bamir Topi do të zgjidhej president i vendit, post që ishte thënë si ‘dëshira e fundit” e ish-kryetarit veteran të PS-së dhe kryeministër për disa mandate, prej vitit 1991. Kësaj date të fundit i përkasin dokumente, kur kryetari i zgjedhur vetëm gjashtë muaj më parë shprehte publikisht dëshirën për një qeverisje mes PS-së dhe PD-së. Deklarata që botohet sot është bërë në dhjetor 1991, kur ishin bisedimet për krijimin e Qeverisë Teknike, që do të drejtohej nga kryeministri paparti, Vilson Ahmeti, i cili do të përfundonte më pas në burg, si i akuzuar për skandalin “Arsidi” me borxhin e jashtëm të Shqipërisë. Viti 1991 ka qenë ndër më interesantët dhe më të brishtët në historinë postdiktatoriale të Shqipërisë. Plaçkitje pronash publike, varfëri e tejskajshme, luftë e egër politike që instrumentalizonte turmat e sfilitura dhe parti politike që, ose donin të mbanin atë që kishin trashëguar, siç ishte PPSH-ja, apo të fitonin terren politik, siç ishin PD-ja, PR-ja, apo PBDNJ-ja.
Fatos Nano kish qenë në dhjetorin e trazuar të ’90-s sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, me kryeministër Adil Çarçanin. Në janar-shkurt 1991 ishte zëvendëskryeministër për reformën ekonomike të qeverisë që çoi vendin në zgjedhjet e 31 marsit 1991, të cilat u fituan sërish nga PPSH-ja, por që i dhanë mundësi opozitës të hynte në Kuvendin popullor për herë të parë, pas disa dekadash.
Nano ishte njëri prej deputetëve të kuvendit të parë pluralist dhe më pas edhe kryeministri që do të vejevinte disa herë në krye të qeverisë disajavore.
Në 2 maj 1991, presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, kishte pritur në selinë e presidencës Fatos Nanon, i cili kishte paraqitur dorëheqjen. Alia e kishte pranuar vendimin e Nanos, por i kishte kërkuar që të rrinte në detyrë deri në emërimin e qeverisë së re. Një ditë më pas, në paraditen e 3 majit, rifillon sesioni i parë i legjislaturës së 12-të të Kuvendit Popullor, ku i pranishëm ishte edhe presidenti Alia. Kryetari i Kuvendit, Kastriot Islami, njofton edhe shqyrtimin e pikës së tretë të rendit të ditës: “Emërimi i kryetarit të Këshillit të Ministrave dhe formimi i qeverisë së re”. Islami njoftoi se kryesia e Kuvendit kishte marrë një letër nga presidenti, i cili bën të ditur se, pasi pranoi dorëheqjen e z.Nano dhe u konsultua me përfaqësues të grupeve parlamentare dhe të partive politike, vendosi që të emërojë në detyrën e kryetarit të Këshillit të Ministrave, Fatos Nanon, për të formuar qeverinë e re. Paraditen e 12 majit 1991, Fatos Nano vjen në Kuvend për të marrë votëbesimin për qeverinë e re. Pas fjalës hyrëse të kryetarit të Kuvendit, Kastriot Islami, fjalën e merr kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Neritan Ceka, i cili shpjegoi largimin e opozitës nga punimet e Kuvendit një natë më parë, sepse, sipas tij, largimi u bë jo për të nënvleftësuar punimet e Kuvendit, por për t’u dhënë atyre vlerën e domosdoshme. Fjalimi i Cekës pasohet me debate të shumta mes deputetëve të Partisë së Punës dhe të Partisë Demokratike, e cila ishte futur për herë të parë në Kuvendin Popullor si pakicë. Fatos Nano mbron programin e qeverisë, duke e cilësuar shumë të mirë për kohën. Me votat e dy të tretave të deputetëve të PP-së, qeveria mori votëbesimin e kuvendit dhe pasdite, kryeministri dhe ministrat e tij u betuan para presidentit Alia. Por për një kohë shumë të shkurtër. Pas protestash të vazhdueshmetë sindikatave dhe anarkisë që shpërtheu në vend, Nano detyrohet ta dorëzojë sërish mandatin e kryeministrit. Fiks një muaj pas tij, më 12 qershor, Ylli Bufi, mandatohet si kryeministër, detyrë që e dorëzoi zyrtarisht më 18 dhjetor 1991, kur Vilson Ahmeti dhe qeveria e tij teknike betohen te presidenti Alia.
Konferenca e shtypit e 12 dhjetorit 1991, pak ditë para mandatimit të qeverisë teknike
“Bashkëqeverisja mes socialistëve dhe demokratëve është e mundur”
Paraditen e 12 dhjetor 1991, kryetari i PS-së, Fatos Nano, jep një konferencë për shtyp në pallatin e Kongreseve, përpara gazetarëve të RTVSH-së, disa organeve mediatike që sapo kishin dalë në qarkullim dhe gazetarëve të huaj që ndiqnin ngjarjet e paralajmëruara në Shqipëri. Që në fillim të fjalës para gazetarëve, Fatos Nano u deklaroi mediave se ato duhet të përcillnin te publiku situatën e rëndë politike në vend. “Kriza ndodhi, por ajo nuk u shkaktua nga Partia Socialiste”, - deklaronte Nano, duke theksuar se sipas opinionit publik, qeveria disamujore që ai kishte drejtuar kishte qenë e suksesshme:
Pjesa më e shëndoshë e opinionit është e mendimit se kjo qeveri ka qenë më e suksesshmja në tërë periudhën e pasçlirimit, veçanërisht sepse i është dashur të ballafaqohet me probleme shumë të vështira dhe në kushte të reja. PS-ja nuk pranoi që ta formonte vetë sipas normave kushtetuese qeverinë e re. Këtë nuk e bëri as për dobësi, as për tërheqje, përkundrazi për gjithë opinionin që na ka ndjekur në vazhdimësi në qëndrimet tona politike, kjo zgjidhje është përsëri logjike, sepse kemi qenë dhe mbetemi të mendimit të patundur që në Shqipëri, në këto momente tranzicioni, asnjë forcë e vetme politike nuk do të mund ta merrte përsipër të qeveriste vendin. Ne e pranuam formulën e kabinetit të ri qeveritar të përbërë nga intelektualë të pavarur, sepse vazhdojmë të vuajmë nga sëmundja e interferencës me vend dhe pa vend të partive politike mbi organizmat dhe institucionet e shtetit ligjor. PS-ja do të vazhdojë ta mbështesë qeverinë që do të krijohet dhe shpreson të njëjtën gjë dhe nga partitë e tjera politike. PS-ja kurrë nuk ka vuajtur nga mania apo marrëzia e pushtetmbajtësve. Ajo është një parti që, me programin dhe veprimtarinë politike në kushtet e pluralizmit e të një shoqërie demokratike, të cilën të gjithë jemi të interesuar ta institucionalizojmë sa më shpejt e sa më mirë. Ne jemi të interesuar që të gjitha partitë politike në Shqipëri të forcohen në përmbajtjen e tyre demokratike, duke vënë angazhimin e tyre demokratik në shërbim të interesave kombëtare. Interesi i vendit e do që zgjedhjet e reja të bëhen sa më parë, në mënyrë që votuesit, populli shqiptar, por edhe opinioni ndërkombëtar, të shohë realisht se cili është raporti konkret i forcave politike. Ne kemi kërkuar e do të kërkojmë që të shkojmë në zgjedhje, duke krijuar kushte minimale të domosdoshme ligjore, ekonomike e organizative për zgjedhje të lira e demokratike, që askush të mos na akuzojë më për zgjedhje që nuk janë në përputhje të plotë me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe të dokumenteve të KSBE-së.
Pyetje nga salla
Gazetari- Sa mundësi ka për një qeveri të përbashkët mes së majtës dhe së djathtës?
Fatos Nano- Unë nuk kam bindjen se bashkëqeverisja mes socialistëve dhe demokratëve është e pamundur. Dhe në qoftë se në zgjedhjet e ardhshme do të kemi shumicën, përsëri qëndrimi ynë nuk do të ndryshojë, por kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi të aftë të nxjerrim jo një, por disa kabinete qeveritare socialiste.
Gazetari- Shpresoni edhe për anëtarësimin e Partisë Socialiste në strukturat e socialistëve europianë?
Fatos Nano- Ne nuk jemi shpallur, por jemi të tillë, parti e së majtës europiane, në program dhe në veprimtari. Natyrisht, aspirojmë një gjë të tillë dhe do t’i uronim çdo force politike tjetër të gjente vendin e vet në strukturat përkatëse politike europiane, sepse kjo i shërben integrimit real të Shqipërisë në botë, e më gjerë.