E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohen fizikisht Mushica e Hyseni

Nga Express më 29 janar 2011 në ora 12:13

Dy lojtarët kosovarë të Renovës nga Xhepqishti, Kushtrim Mushica dhe Genc Hyseni, në mesjavë janë sulmuar fizikisht në qendër të Tetovës nga një anëtar i grupit të tifozëve të Shkëndijës, ‘Ballistët’.

Sipas medieve në Maqedoni, tifozi i Shkëndijës - rivale e Renovës nga i njëjti qytet - pa asnjë arsye ka sulmuar fizikisht portierin dhe sulmuesin kosovar.
Pas kësaj ngjarjeje, kryesia e Renovës, nëpërmjet një komunikate të lëshuar për media të premten, e ka dënuar ashpër sulmin fizik që tifozi i Shkëndijës e ka kryer ndaj Mushicës e Hysenit.

“Renova ndien si nevojë që përmes kësaj komunikate të dënojë ashpër jo vetëm këtë, por edhe çdo sjellje dhe veprim tjetër të pahijshëm, që vijnë nga cilado anë”, thuhet në komunikatën e Renovës.

“Këta ‘tifozë’ të Shkëndijës, që për fat të mirë janë në numër të vogël për dallim nga tifozët e vërtetë të saj, punojnë natë e ditë - natyrisht të ndihmuar nga struktura të ndryshme që nuk ua duan të mirën këtyre dy klubeve - që marrëdhëniet ndërmjet Renovës dhe Shkëndijës asnjëherë të mos jenë të relaksuara”, thuhet pos tjerash në reagim, në të cilin theksohet se Renova vazhdimisht bie viktimë e njerëzve që nuk duan ta shohin këtë ekip të krijojë marrëdhënie të mira me Shkëndijën.

Përveç Mushicës e Hysenit, në Renovën e udhëhequr nga Bylbyl Sokoli luajnë edhe këta kosovarë: Faruk Statovci, Fisnik Gashi dhe përforcimi më i ri Ymer Xhaferi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›