E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferrari prezanton bolidin F150

Ferrari ka prezantuar bolidin e ri për sezonin 2011 në Formula 1. Ai është emëruar F150 për nder të 150-vjetorit të bashkimit të Italisë. Ferrari është ekipi i parë që ka prezantuar bolidin e ri, ndërsa kanë paralajmëruar se ai do të pësojë ndryshime deri në garën e parë në Bahrejn më 13 mars. Nga Express më 29 janar 2011 në ora 12:12

Ngasësit e Ferrarit, Fernando Alonso dhe Felipe Masa kanë shpalosur bolidin e parë të ri për sezonin 2011 në Formula 1, të quajtur F150.

Ekipi shpreson që bolidi i ri do të mjaftojë për të kompensuar dëshpërimin e edicionit të kaluar, kur një gabim në strategji në garën e fundit i mundësoi Sebastian Vettelit nga Red Bull të fitojë titullin para Alonsos.

“Ky bolid i ri është fryt i shumë muajve të punës. Ne jemi të gatshëm për sfidat e reja”, tha Alonso. Prezantimi u bë në qendrën e ekipit italian në Maranello dhe tregoi pamjet e para të bolidit të dizajnuar për ndryshimet në rregulloren e vitit 2011.

Bolidi i ri – i emëruar për të shënuar përvjetorin e 150-të të bashkimit të Italisë – do të provohet në pistën e ekipit në Fiorano, para se të vazhdojë në Valencia për testet e para përgatitore, që fillojnë më 1 shkurt.

Alonso do ta ngasë për dy ditët e para në Valencia, ndërsa kolegu i tij, Massa do ta ketë në drejtim për ditën e fundit. Por, bolidit pritet t’i shtohen edhe disa pjesë të reja para garës së parë.

Shefi i ekipit, Stefano Domenicali tha: “F150 është krijuar për t’iu përshtatur rregullave të reja teknike dhe ky bolid është hapi i parë drejt kësaj”.

Sezoni i ri do të sjellë rikthimin e energjisë rikuperuese Kers dhe sistemit të energjisë shtesë, një furnizues të ri të gomave, ku Pireli do ta zëvendësojë Bridgestonen dhe shtimin e krahëve lëvizës për të ndihmuar tejkalimit.

Ferrari ka shtuar se bolidi i prezantuar në Itali do të pësojë ndryshime para garës së parë në Bahrejn më 13 mars.

“Bolidi që do ta shihni në garën e parë do të jetë ndryshe nga ai që do ta shihni në Valencia”, shtoi Domenicali. Ndërsa, shefi i disenjatorëve, Nicolas Tombazis theksoi: “Ky bolid është vetëm hapi i parë, i gjithë trupi do të ndryshohet. Po ashtu do të ketë ndryshime vizuale si dhe në paraqitje për garën e parë”.

Presidenti i Ferrarit Luca di Montezemolo ka thënë se është me rëndësi që ekipi të bëjë fillim të mirë të sezonit. Vitin e kaluar, ekipi filloi mirë me fitore në garën e parë në Bahrejn, por humbën ritmin gjatë pjesës së parë të edicionit para se të përmirësohen në pjesën e dytë, kur përsëri ishin të dytët prapa Red Bullit. Alonso fitoi pesë gara dhe hyri në garën e fundit me 15 pikë epërsi ndaj Vettelit, por përfundoi i shtati, ndërsa gjermani fitoi garën dhe titullin e kampionit.

“Ne duhet të kemi fillim të mirë. Vitin e kaluar e humbëm kampionatin në pjesën e parë të sezonit”, tha Di Montezemolo. Ekipet e tjera që do të prezantojnë bolidet e tyre janë Renault, Sauber dhe Lotus më 31 janar, ndërsa kampioni i botës, Red Bull, Mercedes dhe Toro Rosso do t’i përcjellin më 1 shkurt.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›