E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmohet kazinoja, njëri nga grabitësit kapet

Dashamir Biçaku

TIRANE- Dy grabitës të armatosur sulmuan dje në mesditë, në orën 15:40, një kazino në kryeqytet, pasi kishin goditur më parë rojën. Dy grabitësit e goditën me qytën e pistoletës në kokë, kur ai tentoi të mbrojë kazinonë dhe më pas e mbyllën në banjën e lokalit. Më pas autorët e maskuar arritën të merrnin nga arka një shumë 450 mijë lekësh të vjetra dhe arritën të largohen. Ndjekja e njërit prej punëtorëve të kazinosë si dhe mbërritja e shpejtë e punonjësve të policisë në vendin e ngjarjes, bënë që një nga grabitësit të ndalohej nga punonjësit e kazinosë dhe më pas të arrestohej nga agjentët e krimeve dhe patrulla e komisariatit nr.2.

Blutë kapën një nga personat e përfshirë në grabitje, të cilit iu gjet me vete dhe iu bllokua edhe një kapuç i zi, të cilin e përdori në grabitje. Policia tha se kishte identifikuar grabitësin e dytë, i cili ishte i armatosur dhe që mundi të largohej bashkë me shumë e parave të grabitura në kazinonë e sulmuar. Grabitja e sallës së lojërave të fatit ose siç njihen ndryshe kazinotë elektronike, ndodhi dje në mesditë rreth orës 15:40, pranë kryqëzimit të rrugës Muhamet Gjollesha, me atë Myslym Shyri.

Në këtë moment, në sallën e kazinosë elektronike, ndodhej vetëm punonjësi i arkës, ndërsa të tjerët ndodheshin jashtë saj. Personat u afruan me shpejtësi dhe menjëherë vunë kapuçët e zinj në kokë, ndërsa një prej tyre mbante në dorë një pistoletë. Menjëherë ata iu afruan punonjësit të kazinosë duke i vënë armën në kokë, nën presionin e së cilës e detyruan atë të shkonte pranë tualetit. Aty e goditën një herë në kokë me qytën e pistoletës. Në këtë kohë, punonjësi i kazinosë mundi të rezistonte duke mos lejuar dy agresorët ta izolonin për të grabitur kazinonë. Personi i maskuar dhe i armatosur goditi sërish punonjësin e kazinosë me qytën e pistoletës në kokë duke e lënë atë për pak momente pa ndjenja. Menjëherë pas këtij veprimi, agresorët e maskuar iu kthyen arkës të cilën nisën ta zbraznin me shpejtësi. Në pak momente ata arritën të marrin të gjitha paratë që ndodheshin në të. Grabitësit i futën paratë në një qese që e kishin marrë me vete.

E gjithë kjo situatë, sipas burimeve të policisë, që i referohen punonjësve të kazinosë dhe dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, nuk zgjati më tepër se 40 sekonda. Në momentin që personat po dilnin nga salla e lojërave të fatit, punonjësi i kazinosë arriti të reagonte dhe tiu vihej pas dy grabitësve. Në këtë moment ndërhynë edhe dy prej punonjësve të kazinosë që ndodheshin jashtë saj, të cilët nisën të ndjekin dy grabitësit. Në këtë moment një agjent i krimeve i komisariatit nr.2, si dhe një patrullë që ndodheshin aty, u vunë në ndjekje të situatës. Pak metra më tej, një prej grabitësve nuk mundi të rezistonte më dhe ra në duart e punonjësve të policisë dhe të kazinosë. Ortaku i tij, mundi të largohej bashkë me paratë duke u fshehur në një rrugicë në të djathtë rrugës Muhamet Gjollesha, përmes bllokut të pallateve. Personi i ndaluar u shoqërua menjëherë në Komisariatin e Policisë nr.2, në kryeqytet, ku u pyet paraprakisht nga agjentët e krimeve dhe hetuesit e këtij komisariati.

Sipas bluve, personi u identifikuar me emrin Roland Boçova, 30 vjeç, nga Fieri. Po kështu, policia tha se pas identifikimit të tij nëpërmjet verifikimit të shpejtë të lidhjeve shoqërore ngriti dyshime edhe për bashkëpunëtorin tjetër të tij. Sipas tyre, ky person është po 30 vjeç shumë i njohur me të ndaluarin. Më tej blutë dërguan të ndaluarin e Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku e morën në pyetje hetuesit e zyrës së grabitjeve me armë. Hetuesit e policisë thanë se i ndaluari nuk është dënuar më parë, por ka qenë i dyshuar për veprime me tendenca kriminale. Policia tha se i arrestuari pranoi autorësinë e grabitjes së kryer pasditen e djeshme në rrugën Muhamet Gjollesha. I arrestuari nuk pranoi të jepte detaje, emrin, apo të dhëna të tjera mbi bashkëpunëtorin e tij, por blutë e vunë përballë një emri të një miku të tij. Ai hezitoi për një moment dhe, sipas hetuesve, e pranoi se e kishte bashkëpunëtor. Pas identifikimit të bashkëpunëtorit të dytë policia shpalli në kërkim të dyshuarin me akuzë e grabitjes me armë dhe në bashkëpunim si dhe të armëmbajtjes pa leje.

Të dielën në mbrëmje u sulmua një tjetër kazino

Veç rastit të djeshëm, mbrëmjen e së dielës, policia e Komisariatit nr.2 mori një denoncim nga punonjësit e një kazinoje se një person i maskuar kishte hyrë me armë në dorë dhe kishte detyruar punonjësit tiu jepnin paratë. Personi, nën kërcënimin e armës, detyroi punonjësit e sallës së elektronike të fatit tiu dorëzonte 320 mijë lekë të vjetra. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, rreth orës 22:00, në rrugën Ramazan Demneri. Alban Zeqiri, punonjësi i kazinosë, i tha policisë se personi i armatosur hyri në mënyrë të menjëhershme dhe me maskë në ambientin e tyre të punës duke iu drejtuar atyre armën dhe duke i kërcënuar që të dorëzonin paratë. Pa bërë shumë rezistencë punonjësit i dorëzuan agresorit me maskë të gjitha paratë që ndodheshin në arkë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia tha se kishte gjetur gjurmë të vlefshme në një objektet e prekura nga grabitësi dhe që mendohet se mund ti shërbejnë policisë për identifikimin e autorit të krimit. Hetuesit morën dëshmi të disa punonjësve të kazinosë, të cilët dhanë përshkrime fizike të autorit të krimit dhe veshjet që mbante ai. Pas marrjes së këtyre të dhënave, policia nisi kërkimet për autorin e mundshëm duke shoqëruar persona të ndryshëm, kryesisht banorë të zonës si dhe njerëz të njohur nga policia me tendeca kriminale në zonë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›