E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohet biznesmeni Fatmir Kajolli, me urdhër nga Italia


Foto ilustruese

Flamur Vezaj

Me kërkesë të autoriteteve italiane policia e Fierit ka arrestuar biznesmenin e njohur Fatmir Kajolli,  njëherazi këshilltar i bashkiak. 47 vjeçar Kajolli është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Fierit që pas zgjedhjeve lokale të vitit 2011, duke përfaqësuar Partinë Republikane. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë dhe Prokurorisë së Fierit, të cilët saktësuan se ndalimi i biznesmenit të ndërtimit ka ardhur mbi bazën e urdhrit të lëshuar nga autoritetet e drejtësisë italiane. Sipas prokurorisë, Gjykata e Milanos në vitin 2000 e kishte dënuar me 16 vjet heqje lirie Fatmir Kajollin për akuzën e Pjesëmarrjes në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Vetëm 12 muaj më pas, konkretisht në vitin 2011 ishte Gjykata e Romës e cila e deklaroi fajtor biznesmenin Kajolli duke e dënuar me 24 vite burg për konsumimin e akuzës së trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim me disa persona të tjerë, ku disa prej tyre ndodhen në qeli duke vuajtur dënimin. Sipas këtyre të dhënave, të dy këto vendime kanë marrë formën e prerë edhe nga Gjykatat e Apelit të qyteteve respektive dhe që urdhri i arrestimit është lëshuar këtu e gati 12 vjet më parë. Ajo çka mbetet për tu sqaruar është mos arrestimi i tij për gjithë këto kohë, edhe pse dy Gjykata në shtetin fqinjë kishin lëshuar urdhër arrestet për dy dënimet e dhëna, atë të 24 viteve burg nga Gjykata e Romës dhe tjetrin me 16 vite heqje lirie nga Gjykata e Milanos.

Pritet që gjatë ditës së sotme, dosja e Kajollit të kalojë pranë Prokurorisë së Fierit, e cila do ti drejtohet Gjykatës së Shkallës së Parë me kërkesën për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë. Sipas këtyre të dhënave, arrestimi i Kajollit është bërë për llogari të autoriteteve italiane, çka në ditët në vazhdim pritet ardhja e materialeve të këtyre dy gjykatave dhe kërkesa për ekstradimin e tij. Nga ana tjetër, praktikat gjyqësore në rastet e tilla, kanë caktuar masën e sigurisë arrest me burg me afat 40 ditor, kohë kjo e mjaftueshme për autoritetet e drejtësisë italiane të sjellin kërkesën për ekstradimin e tij, bazuar në marrëveshjen dypalëshe, e cila në gusht të vitit 2011 ka hyrë në zbatim.

Mësohet se arrestimi i tij është bërë në banesën ku jetonte dhe banonte prej vitesh, duke iu dorëzuar efektivëve të policisë në momentin që e kanë njoftuar se ishte i rrethuar. Sipas këtyre të dhënave, mësohet se biznesmeni Kajolli që nga viti 1990 është njëri nga njerëzit më të afërt të ministrit Mediu. Ai është cituar në disa nga kabllogramet e Ambasadës së SHBA-së të publikuar pak kohë më parë. Të afërm të biznesmeni 47 vjeçar Kajolli, i njohur në fushën e ndërtimit në Fier, prej kohësh kanë qenë të punësuar pranë Ministrit Mediu në detyra të ndryshme

Wikileaks

Kabllogrami i Ambasadës amerikane: Kajolli i përdorur nga Sokol Olldashi dhe Enkelejd Alibej në zgjedhjet në Fier më 2009. Kabllogramet e ambasadës së SHBA-së në Tiranë publikuar nga Ëikileaks tregojnë se Fatmir Kajolli ka qenë përdorur në zgjedhjet e vitit 2009 dhe nga Sokol Olldashi dhe Enkelejd Alibej si pjesë e një skeme që rekomandonte lirimin e të dënuarve nga burgu për të frikësuar popullsinë lokale. Kabllogrami thoshte se në disa rrethana se Olldashi dhe Alibej kanë përdorur Kajollin në një skemë për të liruar të burgosurit dhe për të përfituar vota nga familjarë dhe të afërm të tyre

Pikëpyetje mbi ndalimin e Kajollit

Ka raste kur konteksti është më i rëndësishëm se vetë lajmi. I tillë është rasti i raportimit të ndalimit nga policia të biznesmenit Fatmir Kajolli, i cili e gjen veten në pozicion të keq për shkak të kombinimit të disa rrethanave. Nuk është e vështirë të gjeje një problem në të kaluarën e Fatmir Kajollit si emigrant. Ai ka qenë në Itali në vitet 90 në Itali dhe ka marrë dy dënime nga drejtësia italiane. Shumë shqiptarë janë dënuar në mungesë në atë kohë në procese shpesh herë të paragjykuara dhe të qepura me nxitim. Ne nuk e dimë se si do të përfundojë ky proces, nuk dimë as shkallën e implikimit të Kajollit për akuzat që i bëhen në Itali, por duke parë se si janë shfryrë në të kaluarën shumë gjyqe të tilla me vendime në mungesë, duhet ti japim hapësirë dyshimit mbi fajësinë e tij.

Nga ana tjetër, këshilltari bashkiak që përfaqëson republikanët në në Bashkinë e Fierit, ka një cilësi politike. Duke qenë mik i Fatmir Mediut dhe një politikan vendor, mendja menjëherë të shkon në implikimin e politikës në këtë vendim për ndalimin e tij. Të bie në sy natyra selektive e veprimit të policisë për ndalimin e njerëzve të kërkuar nga drejtësia italiane, sepse dënimet ndaj Kajollit janë dhënë më shumë se një dekadë me parë. Ndoshta nxitimi për arrestimin e tij ka të bëjë me pikën e ulët ku ndodhen marrëdhëniet mes Fatmir Mediut dhe PD-në, për shkak të kritikave që po bën ky për paktin e sistemit zgjedhor. Nëse do ti referoheshim imazhit të këtij biznesmeni, të bie në sy emri i mirë ai gëzon në këtë qytet për shkak të angazhimit shoqëror herë në Klubin Apolonia, ku ka qenë president për vite me radhë, herë si përfaqësues bashkiak. Ai njihet nga të gjithë si mik i të rinjve dhe sponsor i aktiviteteve sportive.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›