U arrestua në vend të Gushit, kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim

Nexhat Mulaj
Flamur Vezaj
Kosovari Nexhat Mulaj nga Skënderaj, me ndihmën e avokatit mbrojtës i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, duke kërkuar kompensimin e burgimit të padrejtë, pasi me kërkesë të prokurorisë u mbajt i izoluar për 60 ditë në qeli, si i dyshuar për vjedhjen me armë me pasojë vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj. Ngjarja ndodhi më 21 Tetor 2011 në rrugën Siri Kodra, ku disa metra larg vendit të ngjarjes kosovari Mulaj banonte me kolegët e punës në një banesë me qira. Sipas kërkesë-padisë që Shekulli ka siguruar një kopje, mësohet se Mulaj kërkon nga togat e zeza që të dëmshpërblehet me shumën prej 100 mijë eurove. Shumë kjo, që sipas padisë së përpiluar nga avokati Ndue Pjetra, duhet të paguhet në formë dëmshpërblimi për 60 ditët e izolimit dhe shqetësimeve e problemeve shëndetësore të sjella në familje arrestimi i tij.
Si pasojë e situatës së rëndë të akuzave të padrejta dhe të pabazuara në asnjë provë ndaj Nexhat Mulaj dhe me humbjen e shpresës së drejtësisë se do vihej në vend. E bindur gjithashtu, se për shkak të padrejtësisë në akuzë, i biri do të qëndronte në burg në Shqipëri, e ëma e tij, Vaide Mulaj ka pësuar parainfrakt kardiak. Këto probleme shëndetësore dhe shqetësime familjare janë pasqyruar edhe tek bashkëshortja e 28 vjeçarit Mulaj, e cila për pasojë humbi fëmijën e saj duke abortuar-thuhet ndër të tjera në kërkesë-padinë e dorëzuar dje, në Gjykatë. Sipas avokatit Pjetra, për shkak të papërgjegjësisë së organeve të Policisë, Prokurorisë dhe Gjyqësorit, kosovari Mulaj u mbajt në qeli për 60 ditë dhe më pas u lirua nën masën e sigurisë detyrim për paraqitjeje, edhe pse ndaj tij nuk kishte ndonjë provë konkrete.
Nga ana tjetër, ky krim më datë 29 Mars 2012 u provua se është kryer nga shtetasi Viktor Gushi, i cili pas arrestimit për grabitjen e bankës NBG me pasojë vrasjen e arkëtares dhe plagosjen e rojës rrëfeu të gjitha krimet e kryera, mes tyre edhe atë të argjendarit Sinanaj, duke treguar me detaje mënyrën e kryerjes së krimit. Kjo padi, tashmë është dorëzuar në Gjykatë dhe pritet që administrata e kësaj të fundit të caktojë gjyqtarin që do të gjykojë çështjen me objekt kompensimin e burgimit të padrejtë. Sipas padisë, Mulaj ditën e ngjarjes, më 21 Tetor 2011, ndodhej në qytetin e Lushnjës duke punuar për llogari të firmës nga e cila ishte punësuar për shtrimin e kabllove të internetit. Pasditen e datës 21 tetor, aty rreth orës 19:00, Mulaj është kthyer në Tiranë, ku dhe ka parë efektivët e policisë që kishin rrethuar vendin e ngjarjes. Ai së bashku me kolegët e punës, ka vazhduar për në shtëpinë ku banonin. Më datë 28 Tetor policia me urdhër të prokurorisë ka arrestuar kosovarin Mulaj, pa asnjë provë materiale ndaj tij-thuhet në padi.
Gjykata i caktoi dy herë nga 30 ditë burg Mulajt
Pas arrestimit të kosovarit Nexhat Mulaj me kërkesën e prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë më datë 30 tetor 2011 vleftësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë dhe caktoi ndaj 28 vjeçarit masën e sigurisë arrest me burg me afat 30 ditor. Me mbarimin e këtyre ditëve, sërish ishte prokuroria ajo që kërkoi vazhdimin e masës së sigurisë edhe për 30 ditë të tjera me vendimin e togave të zeza të datës 30 Nëntor 2011. Por, kjo masë sigurie me datë 29 Dhjetor 2011, iu zëvendësua nga Gjykata, gjithmonë me kërkesë të prokurorisë, duke caktuar ndaj 28 vjeçarit masën e sigurisë detyrim për paraqitjeje dy herë në muaj në Prokurori aty rreth orës 10:00 të paradites. Kjo masë sigurie, vazhdoi në fuqi deri më 29 mars 2012, kur policia arrestoi shtetasin Viktor Gushi, i cili pranoi dhe tregoj me detaje vjedhjen me pasoj vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj, të kryer më 21 Tetor 2011 në Tiranë.
Në Kosovë Mulaj, i padënuar dhe familje dëshmori
Nexhat Mulaj, nga Skenderaj i Kosovës, sipas çertifikatës së lëshuar nga Gjykata e Mitrovicës dhe Skenderajt, rezulton i padënuar. Përveç se nuk ishte dënuar, Mulaj asnjëherë nuk ishte arrestuar për ndonjë vepër apo krim të kryer në qytetin e tij të lindjes. Në Kosovë, familja Mulaj njihet edhe si familje dëshmorësh, pasi babai dhe disa të afërmë të 28 vjeçarit ishin vrarë gjatë luftës pasi ishin pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK0së). Pak muaj para se të arrestohet Mulaj, ishte punësuar pranë një firme e cila bënte shtrimin e kabllove të internetit në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ai së bashku me disa koleg të tij, banonte në një shtëpi me qira në Tiranë dhe gjatë ditës lëviznin në qytete të ndryshme, ku kryenin punimet e shtrimit të kabllove dhe në darkë ktheheshin në banesë për të fjetur.