E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet me acid një vajzë në qendër të Tiranës

27/11/2009  Tentuan t’i merrnin çantën nga dora

TIRANË- Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje pasdite në kryeqytet, ku një vajzë 21 vjeçe u sulmua papritur nga një i ri. Ende nuk dihet se cili ishte agresori, teksa policia ishte vënë në ndjekje të tij, menjëherë sapo u lajmërua nga dëshmitarët. Policia dyshon paraprakisht se vajza u sulmua nga një agresor, i cili kishte tentuar t’ia rrëmbente çantën nga dora. Nga burime të policisë së Tiranës mësohet se vajza e sulmuar quhet Erka. V, 21 vjeçe, banuese në kryeqytet. Aktualisht ajo po kalon orë të vështira në spital, vend në të cilin u dërgua menjëherë pas sulmit. Ngjarja e rëndë ndodhi dje pasdite në qendër të kryeqytetit, në zonën e Piacës, teksa ishin kalimtarët e rastit ata që mundën ta transportonin vajzën menjëherë për në spital, ku iu dha ndihma e parë mjekësore. Nga burime spitalore mësohet se plagët e marra në pjesë të trupit janë shkaktuar nga acidi, me të cilin 21-vjeçarja u sulmua. Ende nuk dihet me saktësi shkaku i kësaj ngjarjeje. Policia po heton në dy pista, atë të tentativës së grabitjes, si dhe atë të ndonjë hakmarrjeje të mundshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›