E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet në rrugë ish-polici i Sarandës

Gëzim Çela nga spitali: Nuk i njoha agresorët e mi. Nuk besoj të ketë lidhje me detyrën

SARANDË- Një ish-polic i Sarandës sulmohet me mjete të forta nga persona të panjohur prej tij. Gëzim Çela , 45- vjeçari nga qyteti i Sarandës, i cili ka punuar në radhët e policisë kohë më parë është plagosur me mjete të forta, gurë, shkopinj, hekura e mjete të tjera, vetëm pak metra larg Gjykatës së këtij qyteti. I ndihmuar nga kalimtarët, ai është dërguar në mjediset e spitalit, ku edhe ka marrë ndihmën mjekësore. Mjekë të spitalit të Sarandës bëjnë me dije se ish-polici ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa vetë Çela ka pranuar të komentojë këtë plagosje. “ E gjithë ngjarja ndodhi në mënyrë krejt të papritur. Jamsulmuar nga dypersona, të cilët zbritën nga një makinë tip xhip, në ngjyrë të zezë”,-ka pohuar për “Shekullin” i dëmtuari. Ish -polici shton se nuk i ka njohur dhunuesit e tij, veçse ka parë që gurët dhe mjetet me të cilët ai goditej pa pushim,kanë shkaktuar thyerjen e xhamave të disa makinave që ishin parkuar nëanë të rrugës, ku ai kalonte rastësisht. I shtruar në spital, i dëmtuardhe i lënduar në pjesë të ndryshme të trupit, ish- polici mohon t’i ketë njohur agresorët e tij. “Nëse do të kisha një konflikt të hershëm me ta për shkak të detyrës, jam i bindur që do t’i njihja. Nuk e di, ndoshta edhe mund të jenë porositur për të kryer një veprim të tillë”,-përfundon Gëzim Çela. Nga ana e saj, policia e Sarandës ka filluar hetimet për këtë ngjarje, duke u përpjekur të identifikojë autorët e këtij sulmi. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, identiteti i tyre nuk ishte zbuluar ende. L.Sejdini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›