Sulmohet nga mbrapa, shkon në spital me thikën në trup
Një 29-vjeçar nga Gjirokastra është goditur me thikë në trup nga një person i panjohur në qendër të lagjes “18 Shtatori” mbrëmjen e së enjtes dhe pas plagosjes është dërguar nga kalimtarët në repartin e urgjencës në spitalin rajonal “Omer Nishani” me thikë në trup për të mos shkaktuar rrjedhje të gjakut.
Ermir Kotroçi, lindur dhe banues në lagjen “Dunavat” të Gjirokastrës është goditur me thikë nga prapa nga një person i panjohur për të dhe për policinë rreth orës 21.00 të së enjtes, ndërkohë që agresori pas goditjes është larguar duke i lënë thikën të ngulur në trup viktimës. Kalimtarët e rastit e kanë transportuar të plagosurin për në spital pa ia hequr thikën nga trupi. Pas ndihmës së parë, i plagosuri është transportuar për në spitalin ushtarak të Tiranës. Burime nga ky i fundit bënë të ditur se i riu ka pësuar dëmtimeve të rënda në palcën dhe shtyllën kurrizore. Ai ndodhet nën kujdes të rreptë mjekësor, por gjendja e tij shëndetësore është mjaft serioze. Ndërkaq, burime të policisë thanë se për këtë ngjarje nuk ka informacion, pasi nga i dëmtuari nuk është bërë denoncim në polici apo në prokurori.
#