E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuna që ndalon puset nuk siguron ujë për banorët

Fshatari më fatlum i Mbrostarit ka tri orë ujë

Fshatrat e Komunës Mbrostar, ku është paralajmëruar mbyllja e puseve të ujit pa leje, në rastin më të mirë furnizohen me ujë të pijshëm vetëm për tri orë në ditë.

Komuna e Mbrostarit, ndonëse ndodhet vetëm 2 km larg qytetit të Fierit, ende nuk konsiderohet lagje e tij. Ndonëse është premtuar dhe deklaruar nga drejtuesit vendorë që kjo komunë do të kthehet në një lagje periferike për Fierin, asgjë nuk është bërë deri më tani dhe kjo ka bërë që shërbimet që u ofrohen banorëve të jenë pa cilësi. Furnizimi me ujë i fshatrave nuk kryhet nga ujësjellësi i qytetit të Fierit, por nga dy ujësjellës të vegjël, që në shumicat e rasteve nuk i përmbushin kërkesat e komunitetit që shkon deri në 10311 banorë.

Në përbërje të komunës janë pesë fshatra, nga të cilët vetëm dy furnizohen normalisht me ujë të pijshëm. Pjesa më e madhe e banorëve të Mbrostarit e sigurojnë ujin për përdorim të gjerë nga puset, ndërkohë që atë të konsumit, nga blerja.

Vetëm një e treta e banorëve merr ujë nga ujësjellësit e komunës. Ujësjellësit çojnë ujë në linjat ekzistuese deri në tri orë gjatë një dite. Kjo ka bërë që banorët mos t’i mbajnë shpresat te pushteti vendor, por ta zgjidhin vetë mbijetesën duke shpuar puse.

Fakti i furnizimit me ujë për një orar mjaft të kufizuar pranohet edhe nga titullari i Komunës Vait Baçja, i cili thotë se prioriteti i tij në zgjedhjet vendore të 2007-s, nga ku doli edhe fitues, ka qenë sigurimi i ujit të pijshëm. “Kjo është siguruar në Petovë dhe Mbrostar, por ka zona që ende vuajnë thatësirën. Kjo do të jetë përparësia jonë në vijim”, tha kryekomunari Baçja.

Aksioni që ka ndërmarrë kryekomunari Baçja dhe administrata e tij lidhur me evidentimin e puseve të shpuara në mënyrë të jashtëligjshme, ka sjellë reagimin e komunitetit, që kërkon furnizim të rregullt me ujë. “Kur shkojmë ta takojmë në zyrë kryetarin e komunës lidhur me problemin e ujit, na premton se do të përmirësohet situata, ndërkohë që ka pak ditë që na sjell relacione për puset që kemi”, tha Kasem Buzi, banor i Mbrostarit. Ndërkaq, banorë të tjerë kanë shprehur të njëjtin shqetësim. Ata pranojnë faktin se puset nuk janë hapur me leje, por thonë se kjo është e vetmja rrugëzgjidhje në kushtet e thatësirës së ujit.

“Nuk kemi ujë dimër e verë. Shpëtimi ynë i vetëm është pusi. Nuk ia dalim dot duke blerë ujin, apo duke e bartur në krahë apo me kafshë”, thotë Adelina, banore e Kallmit të Vogël, që bën pjesë në Komunës Mbrostar.

Kallmi i Madh, Kallmi i Vogël, Vajkani dhe Verria janë katër nga gjashtë fshatrat e komunës që vuajnë më tepër furnizimin jo normal me ujë të pijshëm. Ndërsa kryetari i komunës shprehet se nisja e evidentimit të puseve ka nxjerrë qysh ditët e para të saj një numër prej 45 pusesh të paligjshme. Në realitet ky numër është më i lartë, pasi pothuajse çdo familje në Mbrostar ka nga një pus në bahçe, apo në oborr të shtëpisë.

Thatësira, edhe në periudhën para viteve ’90, ka bërë që banorët të gjejnë zgjidhje te puset. Por edhe në ato zona ku uji i ujësjellësit shkon, ai është i pasigurt për t’u përdorur. Nga një kontroll i pak javëve më parë, i kryer nga autoritetet e shëndetësisë, ka dalë se ujësjellësit e Mbrostarit kanë ujë të pasigurt dhe me përmbajtje të lartë bakteriologjike.

Kujtojmë se një vit më parë, epidemia ka qenë prezent në Mbrostar, epidemi që është shkaktuar nga bashkimi i ujërave të zeza me ato të bardha.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›