Ersekë, përmbytet fshati në mes të verës
Një fatkeqësi natyrore ka prekur fshatin Prodan të Ersekës në mes të verës. Lumi i fshatit ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytjen e banesave dhe shkatërrimin e infrastrukturës. Shkak për këtë situatë të rënduar janë bërë reshjet e dendura të shiut dhe mungesa e pritave.
Reshjet e papritura dhe një furtunë që ka ardhur nga mali i Gramozit kanë shkaktuar fatkeqësinë natyrore, kur lumi që kalon në anë të fshatit ka dalë nga shtrati dhe ka shkatërruar brenda një ore tri banesa, hangarët me bazë ushqimore për bagëtitë, rrugën, kabinën elektrike, ujësjellësin dhe kanalet vaditëse.
Fshati, i cili është pushtuar nga aluvionet që kanë dalë nga vërshimi i lumit, ka mbetur pa ujë dhe drita, ndërsa banorët janë përpjekur të largojnë llumin dhe gurët nga banesat e tyre, duke përdorur mjete rrethanore. Përgjatë gjithë natës vetë banorët kanë punuar për të larguar gurët e mëdhenj dhe llumin që ka depërtuar në banesat në afërsi të bregut.
Të parat janë prekur pemëtoret e fermerëve të zonës, ndërsa nga vërshimi i shpejtë dhe i rrëmbyer i lumit, në një hark shumë të shkurtër kohe, është bllokuar rruga që të çon drejt fshatit, e cila është pushtuar nga gurët e mëdhenj.
Pothuajse të gjitha shtëpitë janë prekur nga dëmtimet, si pasojë e prurjeve të mëdha që kanë ardhur nga lumi, i cili kalon disa metra larg banesave.
Sipas banorëve të fshatit, bagëtitë kanë mbetur jashtë në kullota, për faktin se rruga është bllokuar dhe rrjedha e ujit ka qenë e vazhdueshme.
Shkak për vërshimin e lumit, siç tregojnë banorët, është bërë mungesa e pritave. Ata ankohen se ky fenomen ndodh çdo vit dhe përmbytjet nuk janë paraprirë me kryerjen e investimeve. “Na janë shkatërruar stallat e bagëtive dhe hangarët ku mbajmë bazën ushqimore. Uji ka hyrë nëpër shtëpi dhe kemi mbetur pa drita se është shkatërruar kabina elektrike. Këtu nuk është bërë asnjë investim dhe lumi nuk ka prita. Ne përmbytemi çdo vit dhe askush nuk kujtohet për dëmet që na bëhen”, thotë kryeplaku i fshatit.
Situata e rënduar në zonë ka bërë që të ngrihet një grup pune nga shtabi i emergjencave. Kryetari i komunës, Kristaq Andoni, thotë se mungojnë fondet për ndërtimin e pritave, duke bërë që çdo vit fshati të përfshihet nga përmbytjet, për shkak se lumi del nga shtrati. “Këtë herë situata është vërtet alarmante. Kemi kërkuar fonde për ndërhyrje dhe për ndërtimin e pritave, por këto kanë munguar. Ka një sasi të madhe me aluvione dhe po punohet për largimin e tyre me ekskavatorë. Ka disa familje të dëmtuara dhe fshati është pa ujë e energji dhe do të ndërhyhet fillimisht për largimin e masës së madhe të llumit e gurëve dhe më pas për riparimin e dëmtimeve në tubacione dhe në kabinën elektrike që furnizon fshatin”, thotë Kristaq Andoni.
Nga ana e shtabit të emergjencave janë marrë masa për të bërë largimin e aluvioneve dhe akordimin e një fondi për pastrimin e zonës së përmbytur. Për shkak të dëmtimit të kabinës elektrike dhe ujësjellësit, të parat në të cilat do të ndërhyhet do të jenë këto dy objekte, për të mos lënë fshatin me 30 familje pa ujë dhe drita.
#