E Shtunë, 31 Tetor 2026

Torturonte gruan, arrestohet burri sadist

E lidhte me pranga dhe e rrihte me shkop gome. Policia e Gjirokastrës nuk e akuzon për dhunë

Një 43-vjeçar nga Gjirokastra, që argëtohej duke torturuar gruan e tij, është arrestuar dje, por çuditërisht, policia nuk e akuzon për ushtrim dhune, por për shkelje të vendimit të gjykatës dhe armëmbajtje pa leje.

Historia

Arrestimi i 43-vjeçarit Alfred Meçani është kryer rreth orës 22.30 të së enjtes, nga agjentët dhe specialistët për parandalimin e krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër. Ky shtetas është arrestuar, sepse kishte dhunuar të shoqen, E.Meçani, edhe pasi Gjykata e Gjirokastrës kishte nxjerrë një urdhër mbrojtjeje, që e ndalonte burrin t’i afrohej gruas së tij.

E.Meçani, 33 vjeçe, kishte bërë një kallëzim në Komisariatin e Policisë Gjirokastër qysh në datën 10 korrik, në bazë të të cilit ajo akuzonte burrin për dhunë dhe keqtrajtime fizike të vazhdueshme. Specialistët e parandalimit të krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me specialistët e seksionit kundër dhunës në familje në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë përpiluar “kërkesë-padi” me kërkesën e të dëmtuarës, drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me një vendim të 13 korrikut, ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes për këtë shtetase dhe me këtë urdhër është njohur Alfred Meçani, i cili duhet të respektonte detyrimin për të mbajtur distancë nga bashkëshortja e tij. Mirëpo, edhe pas kësaj procedure, në vend që të reagonte dhe përmirësonte sjelljen, 43-vjeçari ka vijuar të ushtrojë dhunë mbi gruan. Të enjten në mbrëmje, bashkëshortja e tij ka kërkuar përsëri ndihmën e policisë. Në këto rrethana policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, ka bërë arrestimin në flagrancë të burrit të dhunshëm.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një palë pranga policie, një shkop gome, si dhe 20 fishekë pistolete. Bashkëshortja e këtij shtetasi ankohej se pikërisht me këto mjete e keqtrajtonte bashkëshorti i saj.

Akuzat

Pasi ka arrestuar burrin e dhunshëm dhe ka bërë dokumentimin e ngjarjes, Policia e Gjirokastrës ia ka kaluar materialet Prokurorisë së Rrethit, por duke mos e akuzuar burrin sadist për ushtrim dhune. Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se Alfred Meçani akuzohet për veprat penale të “Shkeljes së vendimeve të gjykatës”, si dhe të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve”, parashikuar nga nenet 303 dhe 278/3 të Kodit Penal.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›