E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet zyra e paqeruajtësve të KFOR, në veri të Kosovës

Kontingjenti danez akuzohej se po mban anën e shqiptarëve

Persona të panjohur kanë sulmuar një banesë të paqeruajtësve danezë në Zubin Potok, një nga tri komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Kështu kanë raportuar ditën e djeshme autoritetet e policisë dhe të NATO. Zyrtarët thanë se sulmi i cili kaloi

pa pasoja në njerëz, pasoi me një letër kërcënuese në të cilën trupat e KFOR akuzoheshin për qëndrim të njëanshëm. Zyrtarë të KFOR e dënuan incidentin, duke nënvizuar se nuk do të tolerojnë asnjë akt dhune apo kërcënimi. Autoritetet e rendit në Mitrovicë kanë konfirmuar se një qendër banimi e paqeruajtësve danezë në veri të Kosovës është sulmuar me armë zjarri, nga persona tashti për tashti të panjohur. Zyrtarët e policisë kanë njoftuar se nga sulmi janë dëmtuar dritaret e një zyre në këtë qendër. Sulmi ka pasuar një letër kërcënuese, të shkruar në gjuhën serbe, e cila është gjetur në po këtë qendër, ditë më parë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, th? se nuk dihet koha e saktë se kur ka ndodhur ngjarja, pasi në momentin e sulmit nuk ka qenë askush në ndërtesë. Policia në Zubin Potok është njoftuar dje gjatë orëve të pasdites, diku rreth orës 18:00, nga një personel i një hoteli në Zubin Potok, të cilët kanë gjetur një letër kërcënuese dhe kanë regjistruar dëme materiale në xhamin e një zyre, e cila është përdorur si zyra ndërlidhëse për pjesëtarët e KFOR-it danez. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka bërë shikimet dhe ka marrë si provë materiale këtë letër kërcënuese. Përveç kësaj letre kërcënuese, policia ka regjistruar edhe dëmet materiale në xhamin e kësaj zyre, bëri të ditur Hoti. Rastin e konfirmoi edhe majori Majkëll Koting, zëdhënës i KFOR, duke thënë se sulmi ishte drejtuar kundër shtëpisë që strehon ekipin mbikëqyrës e ndërlidhës të trupave daneze. Koting nuk dashi të flasë më shumë për rastin, por tha se hetimet janë duke vazhduar dhe se KFOR do të vazhdojë të angazhohet për një ambient të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë. Mandati ynë, mandati i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përcakton që KFOR-i duhet të vazhdojë të garantojë një ambient të qetë e të sigurt dhe liri të lëvizjes në mënyrë të paanshme. Ne jemi të përkushtuar në mënyrë të fuqishme për zbatimin e këtij obligimi për të mirën e të gjithë qytetarëve në Kosovë dhe nuk do të tolerojmë çfarëdo lloj aksioni të dhunshëm apo ndërhyrjeje, që do të mund ta komprometonin paanshmërinë tonë, u shpreh ai, për të shtuar se nga ana tjetër të gjitha veprimet e tyre do të vazhdojnë të jenë transparente dhe KFOR do të vazhdojë të mbetet i hapur për dialog me të gjithë njerëzit në Kosovë.


Letra kërcënuese
Në letrën kërcënuese, kontingjenti danez akuzohet se po mban anën e shqiptarëve dhe mes tjerash thuhet se aksionet e ardhshme do të varen nga veprimet e paqeruajtësve danezë. Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, janë duke hetuar rastin. Zyrtarët e KFOR vizitojnë këtë zyrë së paku një herë gjatë javës. Do të thotë, nuk është një qëndrim permanent i forcave të KFOR-it në këtë objekt. Sido që të jetë, mbetet te organet e policisë dhe të hetuesisë që ti zhvillojnë hetimet e mëtutjeshme, bashkërisht me zyrtarët e EULEX-it, për të gjetur kryerësit e këtij akti, tha Hoti. Ndryshe, Danimarka është në mesin e 68 shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›