Plagosja në Linzë, në pranga pronari i lokalit
TIRANE - Rihetimi i një plagosje që ka ndodhur një muaj më parë në parkingun e një lokali në Linzë të Tiranës, ka sjellë arrestimin e pronarit të lokalit, si bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Urim Allushi ka përfunduar në prangat e policisë të shtunën në mbrëmje, pasi akuzohet se në bashkëpunim me kushëririn e tij, Alban Allushin, tashmë të arrestuar, kanë tentuar të vrasin katër të rinj, njërin prej të cilëve e kanë plagosur rëndë. Një grup hetimor i përbërë nga specialistë të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit dhe oficerë të Komisariatit Nr.4 në kryeqytet, që prej ditës që ndodhi ngjarja kishte pyetur disa herë në cilësinë e dëshmitarit por edhe të dyshuarit, pronarin e kompleksit "Golden Gold", Urim Allushi. Megjithatë ende nuk kishte siguruar prova të mjaftueshme për implikimin e tij në plagosjen e Saimir Sulit, dhe vrasjes së mbetur në tentativë të Alti Loshajt, Maksim dhe Ergys Hoxhës. Është dashur rihetimi i kësaj ngjarje dhe grumbullimi i provave të reja, për të arrestuar si bashkëpunëtor edhe Allushin, i cili tashmë do të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij, për plagosje të rëndë me dashje, të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Ngjarja për të cilën akuzohen kushërinjtë Urim dhe Alban Allushi ka ndodhur më 22 shkurt të këtij viti, rreth orës 16:30, në parkingun e kompleksit "Golden Gold", në pronësi të vëllezërve Urim dhe Agron Allushi. Një person ka telefonuar në sallën operative, se një i ri po qëllonte me pistoletë ndaj një makine, ku ndodheshin katër persona. Telefonuesi ka shpjeguar se ngjarja po ndodhte në parkingun e lokalit "Golden Gold", në fshatin Linzë. Me t'u njoftuar, në vendin e ngjarjes janë nisur uniformat blu nga Komisariati Nr.4, të cilët janë mbështetur edhe nga një grup hetimor, i Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Nga kjo përplasje me armë, kishte mbetur i plagosur një klient lokali, ndërkohë që njëri nga autorët ishte larguar në drejtim të paditur. Pa kaluar shumë kohë, uniformat blu kanë mundur të identifikojnë njërin nga autorët e dyshuar, i cili është Alban Allushi, 23 vjeç, kushëriri i pronarit të kompleksit, Urim Allushit. Edhe pse 23-vjeçari ka mbajtur mbi shpatulla autorësinë e ngjarjes, hetimet kanë zbuluar se ai është ndihmuar edhe nga pronari i lokalit, i cili është arrestuar të shtunën. e.d