E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulo Gradeci: Enver Hoxhën për herë të parë e kam hasur në ‘41-shin

Vijon intervista e Sulo Gradecit. Njeriu që siguroi për 30 vjet jetën e Enver Hoxhës vjen këtë herë para publikut shqiptar në një rrëfim të gjatë të jetës së tij, të cilën siç e shpreh dhe vetë e ka shumë të lidhur me vendlindjen, Gradecin e Tomorricës së Skraparit, prej të cilës trashëgon dhe mbiemrin. Por, ndërsa në numrin e kaluar të kësaj bisede të hollësishme, zoti Gradeci shpalosi një prej surprizave më të çuditshme, duke deklaruar se Ismail Qemali ka qenë përfaqësues i vendlindjes së tij në Kuvendin e madh, sot rezervon të tjera detaje mjaft interesante. Por, kush është e kaluara e fëmijërisë së njeriut të shumënjohur të Shqipërisë? Kur është larguar nga fshati dhe kontakti i parë me emrin e Enver Hoxhës pas të cilit do të lidhte gjithë veprimtarinë e jetës së tij kur do të caktohej nga nomenklatura më e lartë e vitit 1956 që të drejtonte grupin e sigurimit personal. Nga vjen Sulo Gradeci, familja e tij dhe peripecitë e pashembullta të saj, duke filluar që nga babai që kishte njohur personalisht Ismail Qemalin dhe Frashërllinjtë e deri te nëna që jetoi pranë vjehrrës së saj nën betimin fisnik kur i shoqi kishte humbur prej nëntë vjetësh në luftërat e Ataturkut në mbarë Turqinë, prej ku ka marrë tre plagë të rënda. Këto dhe të tjera momente interesante të jetës dhe familjes së Sulo Gradecit, lexuesi i gjerë do ti mësojë pikërisht në vijim të intervistës së sotme të dhënë ekskluzivisht për "Gazeta Shqiptare".
(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Gradeci. Ju tashmë njiheni publikisht nga mbarë shqiptarët se keni qenë njeriu që u është besuar jeta personale e Enver Hoxhës, të cilën me grupin special që drejtonit, arritët ti përkushtoheshit për 30 vjet me radhë derisa ai ka dhënë frymën e fundit. Ky mision dhe kjo veprimtari, sigurisht ju ka bërë të komentuar, por që askush s'ka mundur të vërë në dyshim besnikërinë tuaj ndaj liderit të shtetit komunist. Ndryshe nga shumë të tjerë që kanë qenë servilosur dhe kanë përfituar prej familjes së tij, ju vazhdoni të manifestoni akoma simpati, duke deklaruar publikisht se është nderi dhe krenaria juaj e madhe që keni pasur mundësi ti shërbeni Enver Hoxhës për faktin se siç shpreheni ai ishte kthyer në udhëheqës shpirtëror i popullit. Madje, nga sa kemi biseduar larg mikrofonit, keni theksuar se është në karakterin e edukatës suaj që keni marrë që në familje nga prindërit e shumëvujatur që të mos bëheni siç e quani ju "bukëshkalë" dhe të mos degradoni në momente dhe në interesa. Pra, kjo është arsyeja që ju qëndroni korrekt përsa keni bërë dhe sa keni thënë. Pikërisht te familja për të cilën flisni me shumë krenari dhe se thoni se është edukata që keni marrë nga prindërit që rrini korrekt dhe konsekuent pranë emrit të Enver Hoxhës. Pra le të ndalemi te fëmijëria juaj duke ju pyetur si fillim se kush është e kaluara juaj e hershme?
Unë kam lindur në 17 shkurt të vitit 1922 në katundin Gradec të Tomorricës së Skraparit, në lagjen "Dalipaj".
Sa fëmijë keni qenë?
Kemi qenë pesë fëmijë katër vëllezër dhe një motër. Unë isha fëmija i parë dhe i lindur në situata të çuditshme, pasi para lindjes sime familja kishte përjetuar një dramë të pabesueshme. Për këtë fakt mund të them se jam rritur me një përkujdesje të jashtëzakonshme nga nëna ime Sherina dhe gjyshja e shtrenjtë, Minushja.
Kush është kjo dramë që paska ndikuar kaq shumë në familjen tuaj?
Kjo ka një histori të gjerë. Jua preka paksa edhe nga numri i kaluar i kësaj interviste, por mund t'ua përmend disi më hollësisht meqenëse po ngulmoni për sqarime të hollësishme në këtë lloj bashkëbisedimi që po bëjmë. Babai im ka qenë një emigrant i rregullt në Turqi. Qysh prej adoleshencës' ai ishte vendosur në Izmir dhe Stamboll, ku ishte specializuar në profilin e shtrimit të kalldrëmeve në procesin e ndërtimit të rrugëve. Kishte arritur të krijonte edhe sipërmarrje për këtë profil ku punëson më së shumti bashkëfshatarë apo patriotë të tjerë nga vendi i tij. Kështu, ai kishte mundur të mbante familjen e tij në Gradec të Tomorricës për të cilin duhet të pranoj se kam një dobësi të veçantë dhe një lidhje shpirtërore të pashpjegueshme. Në këto situata, duke shkuar dhe ardhur nga emigracioni ai arriti moshën e martesës. Kështu, u martua me nënën time Sherinën. Por pas kësaj, u largua sërish në kurbet. Ajo ishte e vetmja rrugë për burrat që të mbijetonte familja dhe të mos zhytej në mjerim. Pastaj ishte një zakon burrërie dhe sakrifice që burrit i takonte ti bënte ballë jetës duke mbajtur mbi supe familjen qoftë dhe me kurbet. Kështu bëri dhe im atë, Hekuran Dalipi apo Hekja siç e quanin bashkëfshatarët e tij. Pas martesës, ai u largua në Stamboll. Pak kohë pas mbërritjes së tij Turqia u përfshi nga luftërat e jashtëzakonshme nën drejtimin e Ataturkut të madh për të mbrojtur ekzistencën nga hordhitë Greke, Angleze e më tej që donin të shpërbënin pas rënies së Perandorisë Osmane. Në këtë kohë urdhri i Ataturkut ishte nën parullën "Çdo gjë dhe kushdo të shkrihet për Turqinë". Kështu në formacionet e shpëtimit të Turqisë u radhitën të gjithë emigrantët e atjeshëm, midis tyre dhe im atë.
Mori pjesë në luftimet e Ataturkut?
Po. Ka qenë pjesëmarrës drejtpërsëdrejti në betejat më të famshme të tij si ajo e Çana Kalas, ku u mobilizua që nga plaku deri te fëmija dhe derdhej gjaku lumë. Madje ato beteja, mbaj mend që im atë i tregonte me pasion të madh. Kështu im atë, ndërkohë që kishte lënë nënën time të porsamartuar në shtëpi, nuk u bë i gjallë për nëntë vjet me radhë pasi nuk ekzistonte asnjë mundësi komunikimi, ndërkohë që flitej për jetë e vdekje të tij, pasi çdo moment jeta dhe vdekja ecnin bashkë. Kështu, në ato vite betejash të përgjakshme im atë Hekurani, ka marrë tre herë plagë të rënda që vetëm fati e ktheu sërish mes shokëve në beteja.
9 vjet pa u lidhur me familjen?
Plot 9 vjet pa u lidhur fare. Ndërkohë që nëna ime rrinte me gjyshen në një kohë që s'kishte edhe fëmijë aq më shumë që as e dinte se ku ishte i shoqi aq sa mendohej edhe se mund të kishte vdekur.
Nëntë vjet pa marrë haber dhe ndenji me gjyshen tuaj?
Plotë nëntë vjet, madje këtu ka dhe një moment shumë emocional, pasi gjyshja ime që mendonte se e kishte humbur djalin dhe që ishte shumë e tronditur nga kjo që i kishte ndodhur, se s'kishin si ta shpjegonin këtë mungesë kaq të gjatë dhe të paimagjinueshme, i sugjeroi nënës të martohej. Ajo iu shpreh që "ti e shikon se kjo punë ka mbaruar prandaj ti shiko jetën tënde. Shko te prindërit dhe krijo familjen tënde".
Po nëna juaj si iu përgjigj kësaj kërkese fisnike të gjyshes?
"Sido që të vijë puna - i tha nëna - unë do të rri me ty dhe do të vdes me ty. Nuk dua të hyj dhe në një familje tjetër. Aq më shumë që unë nuk di akoma nëse ka ndodhur gjë për burrin tim apo jo?.
Ndenji në familjen e burrit për nëntë vjet edhe pse s'kishte fëmijë?
Po. Nëna ime nuk deshi ta largojë vëmendjen nga babai për të krijuar një familje të re, por u betua që ta ngryste jetën me gjyshen. Janë momente emocionale dhe që flasin për karaktere shumë të veçanta dhe të larta.
Së fundmi babi u kthye!
Dhe në të vërtetë babai erdhi. Ka qenë aty nga viti 1921. Pas kësaj, pikërisht në 17 shkurt 1922, linda unë. Pas 2-3 vjetësh ai largohet prapë pasi kërkesat dhe nderi i familjes kërkonin sakrificë për burrin. Kjo siç ju thashë ishte edhe në traditën e kohës, por ishte edhe në përkushtimin që kishin kryefamiljarë për ti dalë për zot konakut familjar. Në koto kushte, tashmë nëna dhe gjyshja ime e hodhën gjithë interesimin tek unë. Më kanë rritur me një ndjenjë shumë ta veçantë dashurie dhe patriotizmi. Çuditem edhe sot se si ato gra fisnike më flisnin për atdheun dhe vatanin gjë që ndodh rrallë në jetët e zakonshme familjare kur mbulohen nga hallet. Kjo ka qenë arsyeja që unë u bëra pjesëmarrës në luftë që kur u pushtua vendi kur unë si kisha mbushur akoma të 15 vitet e jetës. Jo vetëm kaq, por në luftë jam plagosur tre here, ku në një rast që ka qenë një betejë për jetë a vdekje me gjermanët në Fan të Mirditës, jam plagosur në kokë. Vetëm fati dhe përkujdesja e një plake mirditore bënë që unë të rikthehesha në jetë, sepse pothuajse kisha vdekur.
Pastaj u lindën motra dhe vëllezërit që më folët nga numri i kaluar i kësaj bisede?
Po. Jua përmenda dhe nuk ndjehem mirë kur i përmend së dyti gjërat, por ju gazetarët ngulmoni shumë për të saktësuar çdo gjë me lapsin e mprehur (Qesh). Po jua përsëris sërish shumë shkurt. Babai ka shkuar në emigrim deri në vitin 1935. Gjatë kësaj kohe, ai shkonte një apo dy vjet dhe rrinte po aq në shtëpi kur kthehej. Me këtë bëri që familja jonë të jetonte mirë. Ai po shkrinte jetën për të mos turpëruar veten me fukarallëk në familje. Po ta vësh re është karakteristikë e njerëzve fisnikë puna dhe vetëmohimi për të kryer detyrimet në familje. Madje këta lloj njerëzish edhe në jetë janë me shoqëri dhe rrojnë me fisnikëri prandaj edhe im atë kishte miq kudo. Jo vetëm kaq, por ai siç ju thashë pavarësisht se ishte një punëtor i zakonshëm që bënte një proces të rëndë në kurbet kishte arritur të kishte kontakte me vetë Ismail Qemalin apo me Naimin, Abdylin e Samiun. Këtë e kishte arritur se ai frekuentonte shoqëritë e patriotëve për kulturën dhe gjuhën tonë. Pra nuk e kishte mendjen vetëm te fitimi, por edhe te kultura. Unë jam krenar që ai jo vetëm mësoi vetë shkëlqyer gjuhën shqipe në një kohë që ligjet e kohës të përvëlonin në zjarr për një veprim të tillë, por e përcolli atë edhe te fëmijët e fshatit kur vinte. Në këto kushte të vajtje e ardhjeve në Turqi, familja jonë siç ta përmenda, falë kësaj sakrifice jetonte mirë dhe me nder. Unë që isha fëmija i parë shikohesha shumë ndryshe që dalloja nga bashkëmoshatarët e mi që nga veshja dhe deri te ushqimi. Që të mos i largohemi interesimit tuaj, isha i detyruar t'ju rikujtoja edhe një herë përsa u kam treguar, po sqaroj se gjatë kohës që babai shkonte dhe vinte në kurbet, na kanë ardhur në jetë edhe motra dhe tre vëllezërit. Konkretisht na lindi motra Minja, Ademi, Shefqeti, Nexhati. Por fatkeqësisht tre prej tyre vdiqën shumë shpejt. Nuk mundën të gëzojnë dot as rininë.
Kur ju kanë vdekur?
Pooo, Minja që ishte motra e vetme na vdiq vetëm 7 vjeçe. Siç jua thashë dhe dje na e hëngri gjarpri teksa hante rrush. Ai ishte poshtë verigave të bëra pirg, kur e pickoi në dorën e vogël teksa ajo e zgjati për të marrë disa kokrra. E mbaj mend si tani. E donim shumë se e kishim motrën e vetme. Mbaj mend që e mbaja vetëm në krahë. Por nuk ishte e thënë. Me fatin nuk luhet. Po kështu fare të rinj më vdiqën dhe Shefqeti dhe Nexhati. Ishin vitet '44 - '45 kur Shefqeti vdiq pa mbushur akoma të 16 vitet dhe Nexhati pa mbushur akoma 15-të. Kështu jetuam vetëm unë me Ademin. Edhe unë siç ju shpjegova kam shpëtuar vetëm kot në kohën që isha në luftë, pasi jam plagosur jo pak, por tre here, kur një plumb e kam marrë në kokë. Por tashmë edhe Ademi ka gjashtë muaj që ka vdekur.
Ndërsa në lidhje mesa thatë për kurset e gjuhës shqipe që i solli yt atë në fshat dhe në zonën e Tomorricës, flitet për intervalet që kthehej nga emigrimi apo jo?
Kur ai kthehej nuk është se ikte menjëherë, por rrinte shumë, pastaj ikte prapë. Kështu në këto intervale që rrinte punonte pikërisht për këtë gjë. Pastaj kur erdhi në 35-ën, u bë shkolla e rregullt në fshat. Vinte një mësues që ishte nga Libohova e Gjirokastrës. Jepte mësim pavarësisht sadopak.
Dhe si vijoi jeta e familjes suaj kryesisht e babait kur u kthye në 35-ën nga emigrimi?
Pastaj ai shkoi në Berat. Në këto rrugët Berat - Skrapar që hapte Zogu. Dhe mua më mori me vete. Rrinim në kafen "Tomorri" ku pronarin e saj e kishte mik të afërt, apo e kishte "vëllam" siç njihej me gjuhën e kohës. Quhej Stavro Gjika. Si tani i mbaj mend netët e gjata kur babai teksa kthehej nga puna, bisedonte duke ngrënë e duke pirë me Stavron deri afër mëngjesit. Ai ishte një patriot i spikatur dhe atdhetar fisnik. Kafeneja e tij ishte një godinë dy katëshe në qendër të qytetit ku kati i dytë shërbente si hotel. Ne kishim një dhomë tonën ku jetonim normalisht. Aty unë vazhdova dhe mësimet e shkollës fillore.
Deri në çfarë viti ndenjët në Berat?
Aty ndenjëm deri në 39-ën kur u pushtua Shqipëria nga Italia fashiste. Pas kësaj unë kalova në fshat, në Gradec. Një fshat shumë patriot. Mbaj mend sikur të ketë ndodhur dje momentin e pushtimit të vendit. Teksa avionët nxinë qiellin tonë, dolën të gjithë njerëzit në rrugë që nga plaka, gra e fëmijë dhe vajtonin me zë duke tunduar duart përpjetë sikur të trembnin mortjen që vinte nga qielli. Ishin skena të ngjashme sikur të kishin vdekje në shtëpitë e tyre. Vajtonin Shqipërinë me ligje. Pas kësaj, gjithë fshati u mblodh në dy-tre pika që përdoreshin për kuvende dhe bënin thirrje për të shkuar në komunë për tu armatosur që ti bënin ballë pushtuesit. Ishte moment shumë kritik, por edhe emocionant kur shikoje ata njerëz të përvuajtur, por aq patriot që qanin dhe shkulin flokët për mynxyrën që gjeti vatanin. Më dilnin qartazi ato skena të bashkëfshatarëve të mi kur isha pionier në formacionet partizane sa herë na hidhnin në sulm për tu lëshuar mbi armiqtë që vinin drejt nesh rreshta rreshta.
Pra në momentin e pushtimit, ju u ndodhët në fshatin tuaj, Gradec?
Në ato momente u ndodha në mes të tyre. Ju thashë që edhe tashmë që jam 90 vjeç nuk më hiqen nga mendja ato skena, sepse ndihem shumë krenar me patriotizmin e zonës time. Ishin momente të paimagjinueshme. Nuk mund ta kuptosh se çfarë patriotizmi dhe solidariteti ekzistonte.
Shkuan për armë?
Nga xhandarmëria dhe komuna kur u kërkonin armë ndodhi e njëjta gjë si në gjithë Shqipërinë, ku dëgjohej vetëm një fjali; "ja të shikojmë"; "Mos u nxitoni"; "Prisni se mbreti nuk ju lë në rrugë, se ka deklaruar se do mbathë opingat po të jetë nevoja", e budallallëqe të asaj natyre që tashmë dihen mirë se thuheshin në një kohë kur Mbreti kishte 24 orë që ja kishte mbathur fare nga vendi.
Dhe vijimi juaj që të mos i largohemi fokusimit të veprimtarisë?
Pas kësaj unë shkoj prapë në Berat. Këtë herë babai na mori me gjithë vëllain tim më të vogël, Ademin, i cili më ka vdekur para disa kohësh. Në mëngjes unë çoja vëllain në shkollë dhe vetë shkoja në Kala ku babai kishte një pikë që punonte. E kishte merak të madh që të na jepte dije. Unë në këtë kohë u lidha më shumë me Beratin, por sidoqoftë nuk është se ndenjëm shumë kohë.
Nëna ngeli në shtëpi?
Natyrisht. Nëna me fëmijët e tjerë ngeli në shtëpi. Babi vijonte të punonte për të mbajtur familjen, por siç po shikon jo në kurbet, por ku kishte procese pune që i përkisnin profilit të tij. Ishte punëtor i madh dhe njeri me shumë sedër. Jemi rritur me krahët e tij të robtuar. Kjo më ka bërë tërë jetën të jem shumë krenar. Pas kësaj unë u largova nga babai se tashmë isha te 15 vitet dhe se mund të kërkoja nga vetja më shumë.
Pse ku shkuat?
U bëmë shtatë shokë nga Gradeci dhe erdhëm në Tiranë për të gjetur punë që të ndihmonim familjet. Këtu gjetëm një sipërmarrës korçar që bënte materiale ndërtimi te fusha e vjetër e aviacionit, i cili na afroi mundësinë. Të them të drejtën ishte punë shumë e vështirë.
Po babai erdhi me ju në Tiranë?
Jo, babi ndenji në Berat për të punuar ndërsa siç ju thashë, në Tiranë unë erdha me shokët. Këtu veç punës së rëndë që gjetëm si bazë merreshim edhe me tregti frutash. I merrnim te fshatarët në pikat e tregtimit të ture si në Laprakë apo te Pazari e Vjetër dhe ua shisnim pilotëve italianë te fusha e aviacionit ku kishim bazën.
Pilotëve italianë?
Po, te pilotët italianë. Ç'është e vërteta, ata merrnin shumë fruta. Ne rrinim te dera për të shitur dhe ata merrnin kush dy e kush tre kile rrush apo fiq, shalqi, mollë etj, etj. Por për këtë na ndihmonte një Veliko Pronoviku. Ai na ndihmonte shumë se e dinte mirë italishten. Punonte si kuzhinier në një sallë që gatuante për punëtorët italianë që punonin në ndërtim. Këtu ka një detaj të veçantë meqenëse ju jeni gazetar i "Gazetës Shqiptare" dhe se kjo intervistë po botohet pikërisht te kjo gazetë.
Kush qenka ky detaj interesant?
Unë kam lexuar gazetën tuaj pra "Gazetën Shqiptare" që në vitin 1939. Aty te fusha e aviacionit, ndërsa shisnim fruta te pilotët italianë merrnim përditë edhe "Gazetën Shqiptare"?
Ku e merrnit?
"Gazeta Shqiptare" vinte përditë nga Bari për pilotët dhe ushtarët italianë. I mbante njëri prej tyre në tufë dhe i shpërndante. Ai nuk harronte asnjëherë të na shpërndante dhe ne "tregtarëve" të vegjël që pozicionoheshim para portës me çantat tona të tregtimit të frutave.
Ishin korrekt dhe të rregullt me pagesat ushtarët italianë?
Po, po patjetër të tillë ishin. Aty morëm kontakt edhe me shumë shok që kishin filluar një aktivitet të ethshëm revolucionar. Morëm kontakt me dy tre shok.
Enver Hoxhën e kontaktuat?
Atje e kam dëgjuar emrin e tij për herë të parë sepse ishte demonstrata e madhe e 28 nëntorit kur mësuam se ishte organizuar nga një profesor revolucionar. Nuk e them këtë për inerci se edhe nga interpretimet e mëparshme është thënë kjo gjë, por për sinqeritet që duhet të më besoni, sepse atje ka qenë momenti i kontaktit të parë me emrin e Enver Hoxhës.
Ju nuk e patë dhe nuk e njohët?
Jo. Kam dëgjuar vetëm emrin, madje u theksua shumë në qarqet tona ku rinim për biseda për vetë faktin se një demonstratë të tillë as e kishim dëgjuar dhe as e kishim menduar se mund të kishte një agresivitet dhe një masivitet të tillë dhe jo ta shikonim me sy. Prandaj edhe mendja dhe fjala na shkonte te ai që e kishte organizuar aq më shumë na bënte përshtypje kur thanë se ishte profesor. Sigurisht, unë në ato momente as që e mendoja se jo vetëm me atë emër, por edhe fizikisht me të do të më ndodhte të kontaktoja prapë dhe aq më shumë që të befasohesha nga personaliteti i tij.
Ku diskutonit juve në momentin e demonstratës?
Në atë kohë kur filloi demonstrata, ne ishin te hotel "Europa" ku ishim stabilizuar dhe ndërsa rrinim në trotuar të grumbulluar si përherë pranë një mbajtëse biçikletash të ndërtuar me dru përgjatë trotuarit pamë fillimisht një grup njerëzish se si u sulën te mbajtësja dhe filluan ta shqyenin duke u "armatosur" në duar me copa dërrasash dhe hunjsh dhe u lëshuan mbi karabinierët që filluan të bllokonin sheshin "Skënderbej". Ishte një përleshje e paimagjinueshme. E kam parasysh si tani si godisnin mbi karabinierët dhe fashistët. Me ta bashkoheshin vazhdimisht njerëz në formën e një orteku aq sa bënë që të tronditej tërë sheshi si të ishim nën ndikimin e një tërmeti shkatërrues.
(Vijon nesër)
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›