Fullani: Ekonomia, rritje nën potenciale
Ritmet e rritjes ekonomike kanë prirje ngadalësuese, ndërkohë që punësimi mund të ketë rënie gjatë tremujorëve të ardhshëm. Banka e Shqipërisë prezantoi dje raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë të këtij viti. Raporti paraqiti një tablo mjaft të luhatshme të gjendjes së ekonomisë shqiptare, që në këtë periudhë po rezulton gjithnjë e më shumë si një mozaik mjaft i komplikuar, për t’i dhënë një pamje të qartë. Megjithatë, duket se tiparet mbizotëruese nuk përshkruajnë një situatë shumë optimiste. Madje, sipas një studimi jo zyrtar dhe jo përfundimtar, Banka e Shqipërisë ka arritur në konkluzionin se potenciali rritës i ekonomisë shqiptare mund të ketë rënë nga 6%, që pranohej më parë, në një interval mes 5% dhe 5.5%. Kërkesa e brendshme në vend ka shënuar zhvillime pozitive, për shkak të rritjes së stimulit fiskal, por ulja e këtij stimuli në gjysmën e dytë të vitit e bën një faktor të përkohshëm të nxitjes së konsumit. Një tjetër zhvillim inkurajues në dy muajt e parë të vitit 2011 ishte rritja e kredisë për investime, por megjithatë nga analizat e Bankës së Shqipërisë rezulton se potencialet e pashfrytëzuara në ekonomi vazhdojnë të jenë në nivele të larta.