Vdes në spital minatori i Bulqizës
• Ka ndërruar jetë minatori Sami Doga, 45 vjeç, i martuar me 3 fëmijë, pas një aksidenti të rëndë që pësoi dy ditë më parë në minierën e kromit Bulqizë. Dhimbja e lotët pushtuan dje babanë e tij, Rexhepin, bashkëshorten, dy djemtë dhe vajzën e tij.BULQIZË/ Enver DoçiRreth mesnatës së një nate më parë, pas ndërhyrjes së tretë kirurgjikale ai ka ndërruar jetë. Babai i Samiut, mbi të 80-at nuk i mban lotët, teksa kujton se edhe një vit më parë ai ishte aksidentuar në minierë dhe se pas tre muaj kurim në Spitalin Ushtarak i shpëtoi vdekjes.Rait Çekiçi, është një prej minatorëve që ka nxjerrë nga nëntoka gjysmë të vdekur, kolegun e tij. Edhe Raiti ka punuar për dekada të tëra në minierën e kromit dhe mjaft i shqetësuar për humbjen e kolegut të tij të punës. Ai rrëfen momentet e vështira kur Sami Doga për herë të dytë është nxjerrë në gjendje kome nga galeritë.A mund të kujtoni momentin kur Sami Doga u aksidentua në minierë?Sigurisht që po. Ishte e premte, ora shënonte 13.25. Ishim në thellësitë e nëntokës, në nivelin 16. Unë jam minator, ndërkohë Samiu punonte armator. Atë ditë ai po vendoste shtylla e traversa për të siguruar nga shembja frontin e punës. Ishte së bashku me minatorë të tjerë. Brenda pak sekondave pas shembjes së masivit të mineralit dhe gurëve jam ndodhur në vendin e ngjarjes. Sapo mësova kush ishte u pikëllova. Ishte hera e dytë që Samiun e nxirrnim nga nëntoka në gjendje kome. Shumë shpejt punuam të gjithë së bashku dhe e çliruam nga masivi që e kishte mbuluar. Më kujtohet mjaft mirë që 8 minatorëve, njëri pas tjetrit i binte të fikët. E vendosëm në një barrelë dhe e dërguam shumë shpejt në spitalin e qytetit. Herë pas here Samiu kalonte në gjendje kome. Mirëpo shpresonim se do të shpëtonte sepse nganjëherë përmendej. Më pastaj erdhi helikopteri dhe e nisëm për Tiranë, ashtu si një vit më parë.Përse për herë të dytë, çfarë i ka ndodhur Sami Dogës para një viti?Samiu është aksidentuar për vdekje dhe një vit më parë. Ka rënë nga një lartësi e madhe e një furneli dhe pësoi dëmtime serioze në gjymtyrë dhe në kokë. E dërguam shpejt me helikopter në Tiranë dhe qëndroi për 3 muaj i shtruar në spital. Falë zotit i shpëtoi vdekjes. Cilat janë shkaqet sipas jush, për ngjarjet aksidentale në minierë dhe çfarë kërkoni nga shteti?Shkaqet e aksidenteve në minierën e Bulqizës janë të shumta. Ne protestuam gjatë për kushtet e punës dhe javë më parë kanë nisur investimet në minierë nga firma austriake. Unë dhe kolegët e mi kemi një apel për shtetin, për qeverinë. Prokuroria e Përgjithshme duhet të marrë situatën në dorë dhe të hetojë çfarë ndodh në minierën e kromit, Bulqizë. Shteti ka në dorë të veprojë dhe në lidhje me ngritjen dhe funksionimin e sektorit të “Avari-Shpëtimit”. Në çdo nivel duhet të funksionojnë dhomat e emergjencës. Brenda 10-15 minutave ky shërbim duhet t’ju afrohet minatorëve.Puna e reTë afërm të Sami Dogës me lot në sy e dhimbje, thonë se para afro tre javësh ai është rikthyer në minierë, pas afro një viti. “Kishte marrë raport mjekësor dhe qëndroi në shtëpi për afro një vit. Më tej nuk i dhanë raport dhe u rikthye në minierë. U kërkoi drejtuesve të saj të punonte në reparte ndihmëse dhe jo në galeri. Mirëpo kërkesën nuk ia plotësuan. Në këto rrethana, për të mbajtur prindërit dhe fëmijët u detyrua të punonte përsëri në galeri”, sqarojnë ato.Errësira Fushë Bulqizë, vendlindja e Sami Dogës dje ishte në errësirë të plotë, ashtu si ditët e tjera. Temperatura shënonte minus 9 gradë dhe një erë e fuqishme frynte. Njerëzit mezi lëviznin. “Kemi njoftuar KESH-in që të lëshonte dritat”, thonë bashkëfshatarët e Samiut. Nuk morëm asnjë përgjigje, paçka se lajmin e kanë dhënë dhe mediat. Eshtë e pafalshme dhe e turpshme të mos tolerohet në raste të tilla”, u shprehën ata.6 viktima Fëmijët e 6 minatorëve të Bulqizës kanë mbetur jetimë, pa babanë e tyre. Brenda këtij viti kanë humbur jetën 6 minatorë. Ato janë, B. Alliu, H. Elezi, A. Duriçi, M. Jani, Z. Hysa, S. Doga. Minatorët mbeten të shqetësuar se të tjerë kolegë të tyre mund të humbin jetën në minierë. “Sipas të moshuarve, thonë ata, numri i të vdekurve mund të shkojë në 9. Këtë ata e sqarojnë sipas fesë. Çdo prag feste kemi frikë dhe bëjmë të pamundurën të ruhemi”, pohojnë minatorët.