Tritol në banesën e gruas së divorcuar, atentati i tretë
• VLORE - Një shpërthim i fuqishëm tritoli ka terrorizuar familjet që jetojnë rreth bashkisë së Vlorës.Duke u gdhirë e diela, rreth orës 05.00 të mëngjesit, një pjesë e mureve të apartamentit të Anxhela Myrtaj 47 vjeçe, janë shembur bashkë me derën kryesore. Në panik e sipër, kryefamiljarja, e ndarë nga burri, ka mundur të dalë bashkë me dy vajzat e saj. Ngjarja e rëndë ka terrorizuar edhe banorët e pallatit, të cilët dëgjojnë për herë të tre atentate me tritol në pragun e familjes Myrtaj. Anxhela, bashkë me dy vajzat e saj, njëra në gjimnaz dhe tjetra në shkollë 9-vjeçare, kanë shpëtuar vetëm me disa gërvishtje të vogla në trup dhe fytyrë. Mbas disa minutash në vendngjarje kanë mbërritur ekspertë të policisë, të cilët kanë kryer ekspertimin e vendit të ngjarjes. Si pasojë e shpërthimit ata nuk kanë mundur që të marrin shenjat e personave që kanë vendosur lëndën plasëse, por kanë arritur të përcaktojnë se ajo ka qenë në një sasi deri në 150 gramë. Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar dera kryesore, muret mbajtës janë çarë, si dhe është shkatërruar gjithçka që ndodhej në korridor. Fatmirësisht, dhoma ku flinte gruaja dhe vajzat, nuk është prekur nga vala e shpërthimit. “Nuk kam asnjë mosmarrëveshje, debat apo konflikt me persona të tjerë”, është shprehur 47-vjeçarja Myrtaj. I vetmi njeri që akuzoj është ish-bashkëshorti im. Po ky njeri më ka vendosur dhe dy herë të tjera lëndë eksplozive në banesë para dy vitesh, por dhe pse e kam denoncuar në polici asnjë masë nuk është marrë ndaj tij. Që nga momenti që jam ndarë me ish-bashkëshortin tim kanë filluar kërcënimet e tij, të cilat po i bën realitet derisa të na vrasë të trejave ndonjë natë. Atëherë, policia do të kujtohet të marrë masa ndaj tij”, është shprehur e revoltuar gruaja 47-vjeçare. Pas denoncimit në komisariat të 47-vjeçares për ish-bashkëshortin e saj, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje personin në fjalë, si dhe disa persona të tjerë. Por duke qenë se nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për ta fajësuar, e ka liruar brenda disa orësh. Banorët shprehen se është hera e tretë që në këtë hyrje vendoset lëndë eksplozive, por askush nuk ka marrë ndonjë masë apo të ketë zbuluar autorin e këtyre akteve që përsëriten. Vajzat e familjes tashmë janë të traumatizuara nga shpërthimet e njëpasnjëshme në banesën e tyre. Madje, edhe sa herë që hidhen shashka e fishekzjarrë në raste festash, ato janë të terrorizuara. q.b