Protestë në Lukovë: S’e duam hidrocentralin
• SARANDE – Rifillimi i punës për një hidrocentral në zonën e Lukovës ka ngritur sërish në protestë banorët e zonës bregdetare.Ata janë dyshues për projektin dhe firmën që kryen punimet, duke deklaruar se ata kanë qëllim vjedhjen e pronave. HEC-i do të ngrihet në zonën e njohur si kodra e “Lapidarit”. Protesta e parë rreth katër muaj të shkuara synonte tërheqjen e firmës ndërtuese, e cila është akuzuar nga banorët dhe vetë autoritetet e komunës dhe fshatit si një veprimtari që drejtohej kundër pronës private duke hedhur hije dyshimi se një nismë e tillë synonte grabitjen e tokave të banorëve. Mirëpo, sipas banorëve, protesta e shoqëruar me shumë letra e kërkesa drejtuar qeveritarëve ka rënë në vesh të shurdhët. Firma ndërtuese ka filluar sërish punën duke cenuar tokat e 113 pronarëve. Rreth 800 banorë, pronarë dhe të afërm të tyre, të mbështetur edhe nga autoritetet e drejtuesit e fshatit dhe komunës kanë dalë me parullat “Larg duart nga tokat në Bregdet”, “Nuk pranojmë grabitjen e tokave që na takojnë”, “Këtu ka gisht mafia e tokave dhe se vetëm fasada është për ndërtimin e hidrocentralit”, etj. sh.d