Superiorja njeh sot kampionin e fazës së parë

Pikërisht përfundimi i takimeve do t’u hapë rrugë llogarive të të gjitha skuadrave për këtë pjesë të parë të edicionit 2008-2009, ku bie në sy një dominim i lehtë i Tiranës, e cila duket se ka lëshuar disi terren në tre javët e fundit, ku ka koleksionuar dy barazime (0-0 me Shkumbinin, 1-1 me Besën) dhe një humbje (1-0 në Elbasan).
Po ashtu, kjo fazë e parë ka nxjerrë në pah edhe krizën e thellë financiare të Partizanit, i cili vetëm pak ditë para fillimit të sezonit u shkatërrua si një “kështjellë prej rëre”, duke larguar lojtarët më të rëndësishëm.
Të kuqtë kanë fiksuar edhe bilancin më të keq: 1 fitore, 3 barazime, 6 humbje. Sulmi i tyre është më i keqi i Superiores, me vetëm 4 gola të shënuar dhe kanë gjithashtu edhe mbrojtjen e tretë më të keqe, me 11 gola të pësuar, po aq sa edhe Bylisi.
Në lojë për titullin simbolik të kampionit të fazës së parë janë gjashtë skuadrat e para, Tirana (19), Vllaznia (18), Shkumbini (18), Dinamo (17), Besa (16) dhe Teuta (16).
Skuadra durrsake, e drejtuar nga trajneri i njohur Sulejman Starova, është ajo që ka edhe vazhdimësinë më të mirë gjatë kësaj faze: pas 5 ndeshjeve të para kishte vetëm 3 pikë (3 barazime), ndërsa në pjesën e mbetur (5 ndeshje) ka grumbulluar 13 pikë (4 fitore dhe 1 barazim). A. Manallari