Superiorja, sot luhen ndeshjet e javës së tretë
Sot do të luhet java e tretë e Kategorisë Superiore, ku spikasin dy ndeshje të forta. Skënderbeu do të presë Kukësin, pikërisht dy skuadrat që luajtën denjësisht në Europë këtë sezon, ndeshje e cila pritet të luhet në orën 17:00. Ndërsa Tirana udhëton në Shkodër për t'u ndeshur me Vllazninë. Gjithnjë Vllaznia-Tirana ka dhuruar spektakël dhe kështu pritet edhe kësaj radhe. Jo më kot ky duel etiketohet si tradicionalja e futbollit shqiptar. Ndërsa çiftet e tjera të javës së tretë janë Partizani-Bylis, Lushnja-Laçi, Teuta-Flamurtari dhe Kastrioti-Besa. Me heqjen e tri pikëve Flamurtarit, asnjë ekip në dy javët e para nuk ka 6 pikë, kështu që sot priten sfida të luftuara në fushën e lojës, duke shpresuar që të ketë nivel dhe cilësi dhe jo dhunë në fushë dhe në tribuna. Përveç sfidës në Korçë, takimet e tjera luhen në orën 14:00. Kampionati do të luhet sërish në fundjavë, me javën e katërt.
(a.k/E.Ilnica/Balkanweb)
(a.k/E.Ilnica/Balkanweb)