Pato, akuza mjekëve të Milanit: Donin që të luaja me patjetër
Aleksandër Pato lëshon akuza të rënda ndaj mjekëve të Milanit. Në një intervistë të dhënë, sulmuesi ngarkon me faj mjekët e klubit kuqezi për dëmtimet e shpeshta të tij. "Edhe këtë vit te Milani ka shumë të dëmtuar, çka vërteton se problemet muskulare që kam kaluar nuk ishin për fajin tim. Unë luaja një ndeshje, pastaj dëmtohesha, rikuperohesha dhe dëmtohesha sërish. Faji është i mjekëve, që dëshironin të më kthenin sa më shpejt në fushë". Te Korinthians, Pato ka treguar se është integruar mirë fizikisht dhe se ka kaluar problemet fizike që kanë karakterizuar aventurën italiane. "Për dëmtimet kam paguar dhe vijoj të paguaj, për diçka që nuk varej nga unë. Të gjithë mund të shohin diferencën ndërmjet periudhës në Itali dhe kësaj të rikthimit në Brazil". Pato bën të ditur se shkaku i dëmtimeve është mënyra se si punoi stafi mjekësor gjatë periudhës së rikuperimit të brazilianit. "Në Itali trajtimi është i ndryshëm nga këtu në Brazil. Aty punohet shumë në aspektin fizik. Bëhet pishinë, fizioterapi, duke mbyllur punën e 20 ditëve në një javë të vetme. Është normale që më pas të kesh probleme fizike". Në 21 javë kampionat, Pato është aktivizuar në 18 takime, duke treguar formë të mirë fizike dhe ka shënuar 7 gola.