Salihi: "Me Kajserispor, një humbje aksidentale"

Sulmuesi bardheblu Hamdi Salihi është shprehur në përfundim të takimit ndaj turqve të Kajserisporit se humbja e Tiranës në këtë përballje të parë të turit të dytë paraeliminator të UEFA-s ishte aksidentale dhe se i vinte vërtet keq që ekipi nuk mundi në pjesën e dytë të ndryshonte rrjedhën e rezultatit, ose të paktën ta kishin ngushtuar atë. Shkodrani ka qenë në këtë takim i pafat, pasi ka tentuar për të disatën herë kuadratin e mbrojtur nga bullgari Ivankov, por pa gjetur golin. "Unë mendoj se skuadra u ndëshkua shumë shpejt dhe nuk arriti të dilte si duhet në lojën e saj. Megjithatë, parë në total, mendoj se ne humbëm aksidentalisht, pas disa gabimeve që janë pjesë normale e lojës, apo dhe fatit. Në pjesën e parë patëm pak raste, por shënimi i golit të dytë nga turqit na vuri në vështirësi serioze. Në pjesën e dytë bëmë një lojë më të mirë dhe sulmuam në front, por në këtë pjesë realisht nuk patëm fat. Unë isha disa herë pranë golit, po kështu edhe Sinani e Merkoci, por dukej se nuk ishte dita jonë. Humbëm një ndeshje krejt aksidentalisht dhe vështirësuam në maksimum qëllimin tonë final. Askush nga ne nuk e kishte menduar se do ta humbnim këtë takim", - tha Salihi, i cili edhe pse u përpoq me të gjitha energjitë e tij për të shënuar, nuk ia doli dot mbanë, kjo edhe për meritë të portierit mik Ivankov që ishte në një ditë të shkëlqyer. Bardheblutë nuk e nisën aspak mirë këtë tur të dytë paraeliminator të UEFA-s, ku me humbjen e përballjes së parë me turqit i japin praktikisht fund ëndrrës së tyre për të shkuar më tej. Themi praktikisht, pasi teorikisht është dhe një përballje e dytë për t'u luajtur, e cila konsiderohet e pamundur për të bërë përmbysjen e rezultatit të ndeshjes së parë. Megjithatë, në futboll asnjëherë nuk i dihet, aq më shumë që Tirana ka dhënë prova se di të fitojë dhe jashtë fushës së saj në të tilla kompeticione. Por Salihi tregohet i kujdesshëm në deklaratat e tij, duke thënë se bardheblutë do të shkojnë në fushën kundërshtare për të bërë lojën e tyre, gjithmonë duke shpresuar. "Është gati e pamundur, por ne do të shkojmë të bëjmë atje lojën tonë. Shpresa vdes e fundit dhe ne do të rrezikojmë. Në ndeshjen e Tiranës treguam që nuk jemi inferiorë në lojë, kështu që edhe atje mund të bëjmë dicka më të mirë se sa këtu, ku patëm dhe mungesa. Sidoqoftë, kjo humbje na ka prerë krahët", - përfundoi Salihi.