E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superkupa e Hysit

Hysi është fitues i Superkupës, pasi e mposhti Besën me rezultat 3:1. Para një numri të vogël shikuesish, kampioni i Kosovës ia doli ta mposhtë fituesin e Kupës për ta çuar trofeun në Merdar. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 13 gusht 2011 në ora 19:04

Kampioni i Kosovës, Hysi të shtunën është stolisur edhe me një trofe. Bardhezinjtë e fituan Superkupën e Kosovës në futboll, pasi e mposhtën fituesin e Kupës, Besën, me rezultat 3:1, në takimin që u zhvillua në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë.

Marrë në tërësi, ekipet aplikuan lojë të hapur dhe të pëlqyeshme për shikues, pasi përveç që u shënuan katër gola, ekipet patën edhe shumë raste të tjera të mira shënimi.

Në fakt, gjatë pjesës së parë të takimit, Besa luajti më mirë duke i kërcënuar disa herë llapjanët, por Krenar Vokshi, Bernard Berisha e Haxhi Zeka lëshuan raste të mira për të shënuar.

Këto gabime të pejanëve i dënoi Hysi në pesë minutat e fundit të pjesës së parë, duke i realizuar dy gola.

Fillimisht Enis Zabërxha shënoi për rezultat 1:0 në minutën e 42-të, derisa tre minuta më vonë, Mentor Zhdrella e dyfishoi epërsinë e ekipit të tij nga penaltia, të cilën e fitoi Ardian Zabërxha.

Lojë të hapur ekipet aplikuan edhe gjatë pjesës së dytë. Besa nuk kishte çka të humbiste më, andaj nisi të sulmojë më tepër dhe si rezultat i kësaj, pejanët e ngushtuan disavantazhin në 2:1 në minutën e 57-të nëpërmjet Elvis Gacaferit.

Por, shpresat pejanëve për ta fituar këtë trofe ua humbi Enis Zabërxha, i cili shënoi në minutën e 64-t për rezultat përfundimtar, 3:1.

Ky ishte goli i dytë në këtë takim që e shënoi Zabërxha, i cili ishte njëri ndër më meritorët në këtë sukses të Hysit.

“Kemi punuar gjatë gjithë fazës përgatitore për ta fituar Superkupën. I kryem me sukses detyrat tona, ashtu siç kemi planifikuar, edhe ia arritëm qëllimit. Kështu, dëshmuam edhe një herë se me plot meritë e mbajmë titullin e kampionit të Kosovës”, u shpreh Zabërxha pas ndeshjes.

Kështu, Hysi e nisi me trofe edicionin e ri. “E nisëm mirë. Pas këtij trofeu, edhe në sezonin e ri synojmë ta fitojmë titullin e kampionit dhe Kupën”, u shpreh sulmuesi i bardhezinjve.

Në anën tjetër, pejanët pranuan se Hysi me meritë e fitoi sfidën ndaj tyre.

“E nisëm mirë ndeshjen dhe i krijuam disa raste të volitshme, të cilat nuk i shfrytëzuam. Dhe kur nuk i shfrytëzon shanset, natyrisht që pëson. Të gjithë golat i pësuam nga pakujdesia jonë, me përjashtim të penaltisë, që ishte tendencioze. Po ashtu, në këtë rezultat ka ndikuar edhe largimi i disa futbollistëve dhe disa problemeve të tjera që i kishim”, është shprehur kryetrajneri i Besës, Valdet Shoshi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›