E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga Dinamo mposht Besën dhe shkon +15, titulli formalitet

Autori i Lajmit: Redaksia

Tiranë - Dinamo mposhti 1-0 Besën në supersfidën e sezonit, duke mbyllur përfundimisht çështjen e titullit, pasi diferenca midis dy kryesuesve të Kampionatit të 71-të Kombëtar të Kategorisë Superiore shkoi në +15 pikë për blutë e Shkëlqim Muçës, kur duhen edhe 14 javë për tu luajtur nga përfundimi i sezonit 2009-2010. Golin e artë për 17-herë kampionët e Shqipërisë e shënoi argjentinasi 21-vjeçar Rafael Alfredo Soza në minutën e 33-të nga një goditje këndi. Goli i tij i 5-të sezonal me blutë e Shkëlqim Muçës. Edhe në takimin e fazës së parë, të zhvilluar në Kavajë, Dinamo kishte fituar po 1-0 dhe po me një gol të realizuar po nga Rafael Soza. Pas përfundimit të ndeshjes së fazës së parë, java e 10-të, Dinamo, 26 pikë, kishte krijuar një diferencë prej 8 pikësh ndaj Besës së vendit të dytë, 18, ndërkohë që pas përfundimit të takimit të fazës së dytë, java e 21-të, Dinamo, me 54 pikë ka krijuar një diferencë prej 15 pikësh ndaj ndjekëses së saj, Besës, 39 pikë, çka dëshmon potencën dhe dominimin absolut të kryesuesve të Superligës. Gjithsesi, Dinamo e Besa, me stilimin që i kanë bërë renditjes së fazës së dytë, sipas së cilës përcaktohet edhe kalendari i fazës së tretë do të diskutojnë midis tyre edhe ndeshjen e fundit të këtij edicioni, e që ka të ngjarë që blutë ta festojnë 60-vjetorin e krijimit të tyre me titullin e 18-të kampion, të tretin për presidentin Besnik Sulaj dhe të katërtin për Shkëlqim Muçën në karrierën e tij si trajner, duke llogaritur edhe tre titujt e fituar me Tiranën. Për Dinamon, “violina e parë” e këtij sezoni, kjo ishte fitorja e 17 sezonale në 21 ndeshje (3 barazime, 1 humbje), duke grumbulluar kështu 54 pikë, ose 85.7 për qind të pikëve të mundshme (2.57 pikë për ndeshje). Besa nga ana e saj pësoi humbjen e katërt sezonale, por gjithsesi mbetet e shkëputur me 7 pikë nga Tirana që mban vendin e tretë me 32 pikë.

Kronika

Një gol i mesfushorit argjentinas Rafael Soza në minutën e 31-të i ka dhënë fitoren Dinamos. Shkëlqim Muça ka hedhur në fushë një skuadër me vetëm një sulmues, Elis Bakajn, i mbështetur në krah nga argjentinasi Rafael Soza dhe mesfushori i Kombëtares, Emiljano Vila. Ndërsa trajneri i Besës, Shpëtim Duro ka hedhur në fushë dy sulmuesit, Vioresin Sinanin dhe Daniel Xhafajn, të mbështetur nga Blendi Shkëmbi dhe Bledar Mancaku. Paraqitja me shumë forca në sulm ka rezultuar pozitive për Besën, e cila ka krijuar disa raste për shënim në 20 minutat e para me anë të sulmuesit Daniel Xhafaj. Megjithatë Dinamo ka qenë mjaft e rrezikshme në kundërsulme ku lojtarët e shpejtë Bakaj, Vila dhe Soza kanë krijuar disa herë shqetësim në mbrojtjen kavajase.
Pikërisht në një rast të tillë Dinamo ka arritur të fitojë një goditje nga këndi, e cila u shfrytëzua mjaft mirë nga mesfushori Soza, që arriti të shënojë me kokë mes mbrojtësve të Besës. Goli ka çliruar Dinamon dhe deri në përfundim të pjesës së parë Bakaj ka pasur edhe dy raste të tjera për shënim. Në pjesën e dytë Muça ka hedhur në lojë mesfushorin senegalez Diop në vend të mbrojtësit Renato Malota, duke përforcuar mesfushën. Kjo lëvizje ka rezultuar e saktë, pasi Dinamo ka zotëruar më së miri mesfushën duke krijuar një rast tjetër për gol në minutën e 50-të të pashfrytëzuar nga Emiljano Vila. Tek skuadra e Besës është ndjerë edhe lodhja e ndeshjeve të fundit, ku ka luajtur në terren të vështirë, në Kupë ndaj Tiranës, të mërkurën. Për këtë arsye ritmi i lojës në pjesën e dytë ka rënë dukshëm. Pas ndeshjes, trajneri Dinamos, Shkëlqim Muça, ka fajësuar terrenin e rënduar të “Qemal Stafës”, i cili sipas teknikut blu ka kushtëzuar mjaft takimin e sotëm (djeshëm). Ndërsa për sa i përket kampionatit, për Muçën kjo ka qenë një fitore e rëndësishme drejt titullit, por sipas tij ka ende ndeshje të tjera deri në fund të kampionatit. Edhe trajneri i Besës, Shpëtim Duro, ka kritikuar terrenin e rënduar dhe ka theksuar se kalendari i ngjeshur dhe fushat e këqija ku ka luajtur Besa këtë muaj, kanë sjellë dëmtime të shumta në skuadër dhe lodhje të ekipit. Për sa u përket statistikave historike të ndeshjeve midis tyre, për Dinamon kjo ishte fitorja e 66-të në 115 ndeshje me Besën, që nga ana e saj rezulton me vetëm 20 fitore (29 barazime). Në javën e 22-të e që përkon me ndeshjet e fundit të fazës së dytë, Dinamo do të përballet me Apoloninë e vendit të 7-të në “Loni Papuçiu”, ndërkohë që Besa do të presë në shtëpi fqinjën e saj, Teutën. Takimet e javës së 22-të do të luhen ditën e diel, pasi të mërkurën, më 17 shkurt, një seleksion B i Kombëtares do të përballet në Prishtinë me përfaqësuesen e Kosovës me rastin e dyvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së shtetit më të ri në botë. Të mërkurën, më 17 shkurt, në Korçë do të luhet ndeshja e prapambetur midis Skënderbeut e Teutës, e vlefshme për javën e 20-të e të shtyrë për shkak të gjendjes së papërshtatshme të terrenit.

Ky lajm është publikuar: 16/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›