E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga Dinamo në kërkim të pikës së “artë”, Tirana-Laçi vendos nënkampionen

Autori i Lajmit: Redaksia

Dinamos i duhet vetëm një pikë sot për të fituar titullin e 18-të në historinë e saj 60-vjeçare. Trofeun e fundit blutë e fituan në sezonin 2007-2008 në “finalen” e javës së fundit kundër Partizanit (2-1), ndërkohë që në këtë sezon kanë mundësi ta fitojnë atë minimalisht katër javë përpara përfundimit të edicionit 2009-2010. Ndeshja e radhës është kundër Teutës, ndaj së cilës fitoi 1-0 në Tiranë në fazën e parë (java 3-të) dhe 3-1 në fazën e dytë në Durrës (java e 14-të). Duke parë statistikat midis tyre, por dhe faktin se Teuta është ekipi i tretë më i dobët në transfertë (8 pikë nga 39 të mundshmet), të paktën një pikë nga ana e Dinamos në “Qemal Stafa” duket e sigurt, çka do të përkthehej edhe titullin e 18-të matematikor, përpara se “kupa me veshë” e kampionatit shqiptar ti dorëzohej kapitenit Arjan Pisha në ndeshjen e fundit me Besën, më 15 maj. Ndaj Teutës (35 pikë), do të mungojë kapiteni Arjan Pisha (i pezulluar), ndërkohë që durrsakëve do tu mungojë mbrojtësi Fatmir Caca. Gjithsesi, trajneri i Teutës, Ylli Shehu, do të ketë në dispozicion mbrojtësi Erjon Dushku dhe mesfushori Erald Deliallisi. Në fakt, Dinamo (58 pikë, 14 më shumë se Tirana e vendit të dytë) ka pasur më shumë se një mundësi për ta mbyllur kampionatin, por formcioni i Shkëlqim Muçës ka bërë një fazë të tretë deri tani shumë të shëmtuar. Në gjashtë ndeshje Dinamo ka regjistruar 4 humbje, 1 fitore e 1 barazim, duke grumbulluar vetëm 4 pikë nga 18 të mundshmet, çka po të merrej parasysh renditja vetëm për këtë fazë është ekipi i tretë më i dobët pas Gramozit (1 barazim në 6 ndeshje) dhe Besës (1 fitore në 6 ndeshje). Dinamo është duke bërë një fazë të tretë jo të pëlqyeshme, kur në gjashtë ndeshjet e para ka arritur vetëm një fitore me Gramozin e vendit të fundit (1-0). Në pesë ndeshjet e tjera, blutë - të cilët e kanë të sigurt titullin kampion (kanë +14 pikë më shumë se vendi i dytë, Tirana, 44 pikë)- kanë barazuar 1-1 me Kastriotin, dhe kanë humbur me Skënderbeun (4-3, në Korçë), Flamurtarin (2-1, në Vlorë), Vllazninë (1-2, në Tiranë) dhe së fundi humbi 2-1 me Apoloninë në Fier. Blutë janë eliminuar edhe nga Kupa e Shqipërisë, me dy humbje në çerekfinale ndaj Shkumbinit: 2-1 në Peqin dhe 0-1 në Tiranë.

Tirana-Laçi

Tirana pas “likuidimit” të Shkumbinit katër ditë më parë, synon sot të “heqë qafe” një tjetër kundërshtar në luftën për vendin e dytë, Laçin, surprizën e madhe të këtij sezoni.
Kur duhen edhe pesë ndeshje nga përfundimi i sezonit, Tirana ndodhet në vendin e dytë, me 44 pikë, 14 më pak se Dinamo e vendit të parë, dhe një më shumë se Besa e vendit të tretë. Laçi, kundërshtari i radhës i Tiranës, ndodhet në vendin e katërt me 42 pikë, po aq sa Vllaznia, e pesta. Një fitore surprizë e kurbinasve në “Selman Stërmasi” do të sillte edhe rokadën midis dy skuadrave. “Ndeshja me Laçin është më e vështirë se ajo në Peqin”, - tha trajneri i Tiranës, Sulejman Starova. Në drejtimin e Starovës, trajneri i pestë sezonal që drejton në bankinën e bardhebluve, 24-herë kampionët kanë arritur tri fitore rresht në po aq ndeshje. “Synimi ynë është që të fitojmë dhe të marrim tri pikët e radhës”, - theksoi për mediat, trajneri që fitoi me Tiranën titullin në sezonin 2004-2005. Dy ndeshjet midis tyre gjatë këtij sezoni, kanë rezultuar me nga një fitore në shtëpi për çdo skuadër: Laçi fitoi 1-0 në fazën e parë dhe Tirana fitoi po 1-0 në kryeqytet në fazën e dytë. Laçi synon për herë të parë Evropën gjatë 10 sezoneve të tij në Superligë.
Trajneri durrsak, Stavri Nica, ka ndërtuar një ekip solid, pavarësisht se në transfertë ka grumbulluar vetëm 10 pikë (13 ndeshje) në raport me 32 pikët e koleksionuara në shtëpi (15 ndeshje) “Të mërkurën ndaj Tiranës do të këmbëngulim të marrim pikët e nevojshme”, - tha mbrojtësi 24-vjeçar Emiljano Çela. “Unë nuk shoh asgjë që nuk shkon”. Në fakt, në transfertë, Laçi ka fituar vetëm dy takime: me Gramozin (1-2) dhe me Vllazninë (1-2), një skuadër që e ka mundur dy herë Tiranën brenda këtij sezoni në kryeqytet. Laçi nuk humbet prej katër ndeshjesh, por kalendari i tij drejt Evropës është tepër i komplikuar, pasi kurbinasve do tu duhet të përballen me radhë: Tiranën, Besën, Dinamon, Skënderbeun dhe në mbyllje të kampionati me derbi kundër Kastriotit. Laçi ka shënuar një gol për ndeshje, sulmi i pestë më i dobët në kampionat. Në gjashtë ndeshjet e fundit (fazën e tretë) ka shënuar vetëm gjashtë gola, por në tri ndeshjet e fundit nuk shënon asnjë sulmues, përfshirë dhe Arlind Norën, golashënuesin më të mirë të ekipit (10 gola). Nga ana tjetër formacioni i Stavri Nicës mban një rekord sezonal: është skuadra që ka pësuar më pak gola, 23, një më pak se Besa (24) dhe dy më pak se Tirana (25). “Me Tiranën do të jetë e vështirë, por Laçi ka potenciale për të zhvilluar këtë takim me rivalitet të plotë”, - theksoi kapiteni Julian Brahja. Në ndeshjen e fundit, Laçi fitoi 1-0 me Gramozin në shtëpi, ndërkohë që Tirana fitoi po 1-0 me Shkumbinin në transfertë.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 29, 21.04.2010, 14:00

Dinamo-Teuta (Hoxha)
Besa-Shkumbini (Jareci)
Tirana-Laçi (Janku)
Skënderbeu-Apolonia (Pashaj)
Kastrioti-Vllaznia (Meta)
Gramozi-Flamurtari (Jemini)

Skënderbeu–Apolonia, betejë për mbijetesë

Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Korçë, Skënderbeu humbi 0-1 ndaj rivalit direkt për mbijetesë, Flamurtarit, një dështim që u ndoq “live” nga mbi 7 mijë shikues në stadiumin e qytetit të tyre. Sot, djemtë e “Red Bull”-it presin të arkivojnë në tavolinë fitoren me Vllazninë (takimin në Shkodër e humbën 3-2), përpara se ata të përballen me një tjetër skuadër në urgjencë pikësh, Apoloninë e Fierit. “Takimi i kësaj jave me fierakët është ndeshja për të harruar fierakët”, - tha trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, tekniku i tretë sezonal i korçarëve pas Gerti Haxhiut dhe Andrea Markos. Në takimin e fundit të zhvilluar në Korçë, Skënderbeu humbi 2-3 me Apoloninë, por si në bankinën e korçarëve ashtu dhe të fierakëve ishin të tjerë aktorë: Gerti Haxhiu te Skënderbeu dhe Esad Karishik te Apolonia. Skënderbeu ka bërë një fazë të tretë thuajse të jashtëzakonshme, duke u shkëputur nga vendi i fundit që e mbajti për gati 20 javë. “Është mundësia për ta parë veten jashtë grupit të skuadrave që rrezikohen nga kategoria”, - theksoi Josa, që me tri pikë të mundshme me Apoloninë e ato me Vllazninë, do ta ngjiste ekipin në kuotën e 39 pikëve. Por te Apolonia i bëjnë ndryshe llogaritë. “Në Korçë duhet të shkojmë për pikë”, -tha mesfushori i Apolonisë, Agim Meto. “Ne duhet të luftojmë deri në fund”. Apolonia mbërrin në Korçë pas fitores në Fier 2-1 me Dinamon, ndaj së cilës edhe Skënderbeu fitoi 4-3, dy ndeshje që konsiderohen si të “dhuruara” nga kryesuesit e kampionatit. “Korçarët do të kërkojnë të marrin maksimumin në shtëpi, por dhe ne po përgatitemi për të mos i diskutuar pikët e plota”, - tha qëndërmbrojtësi i Apolonisë, Maringlen Shoshi. Skënderbeu është skuadra e dytë më e mirë përsa u përket golave të shënuar: 35 të tillë (po aq sa Flamurtari), teksa Dinamo mbetet dhe makina e golave (47). Ajo që bie në sy është fakti, se golashënuesi më i mirë i korçarëve është kroati Milain Guerrib me 9 gola. Por, edhe te Apolonia, “topçiu” më i suksesshëm është po një lojtar i huaj, sulmuesi serb Mladen Bërkiç, që me 13 gola të realizuar kryeson listën e golashënuesve, po aq sa Elis Bakaj i Dinamos dhe Daniel Xhafaj i Besës, duke qenë një kandidat i fortë për fitimin e “Këpucës së artë”.

Besa–Shkumbini, kavajasit smund të shkojnë më poshtë

Besa për javë të tëra bashkëkryesoi kampionatin me Dinamon, më pas u ul gjatë në vendin e dytë, por pas 28 javësh, kavajasit, me 43 pikë, tani e shohin veten në tretin, pas Dinamos (58 pikë) dhe Tiranës (44 pikë). Faza e tretë e kavajasve është një katastrofë e vërtetë për përmasat që i ka dhënë skaudrës presidenti Nexhat Bizhdili dhe trajneri Shpëtim Duro: pesë humbje në gjashtë ndeshje (një fitore). Gjithsesi, edhe pse me “biletën” e finales së Kupës së Shqipërisë në xhep kundër Vllaznisë, kavajasit nuk mund ta kenë të garantuar një vend në Ligën e Europës nëse nuk fitojnë të mërkurën kundër Shkumbinit, pikërisht skuadrës që e eliminuan në gjysmëfinalen e kupës. Pas miqësisë së thekur midis dy klubeve thuajse fqinjë, Besa e Shkumbini po përjetojnë një klime të ashpër armiqësore, nisur edhe nga incidentet e pazakonta pas ndeshjes së kthimi të Kupës, kur kryetari i Bashkisë së Peqinit goditi me grusht trajnerin Shpëtim Duro. Shkumbini kaloi një “mini-krizë” bankine, kur trajneri Përparim Daiu dha dorëheqjen pas humbjes me Tiranën dhe u rikthyer në drejtim pas presionit të drejtuesve të klubit peqinas. Ish-trajneri i Besës do të jetë për herë të tretë si kundërshtar i skuadrës së qytetit ku ka lindur dhe është formuar si futbollist. “Kam shumë besim se në javët në vazhdim do të japim maksimumin për të justifikuar besimin e drejtuesve tanë”, - tha Daiu, që e ka marrë në dorëzim skuadrën peqinase nga java e 16-të, duke pasuar në bankinë Kristaq Milen. Shkumbinin në ndeshjen e parë të Daiut regjistroi fitoren më të bujshme në kampionat, duke mposhtur 4-0 Dinamon e duke i dhënë skuadrës një profil pretendenteje në Evropë. Tani, pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, gjërat kanë ndryshuar për keq për skuadrën peqinase. Pas barazimit shpresëdhënës në Kavajë, 1-1, gjithçka u shkatërrua në Peqin, atje ku Besa fitoi 1-0 falë golit të Sokol Cikalleshit. Sulmuesi i talentuar kavajas: “Për ndeshjen e radhës (ndaj Shkumbinit) do të japim maksimumin për të arritur fitoren). Në fakt, Besa dhe Tirana janë të vetmet skuadra që e kanë mundur Shkumbini në Peqin. Kavajasit fituan 2-1 në javën e dytë të kampionatit, çka solli edhe vetëdorëheqjen e trajnerit të parë të këtij sezoni te Shkumbini, Gugash Magani.
Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Kavajë, Besa fitoi 2-0 me Shkumbinin, që nga ana e tij është i vetmi ekip që nuk ka fituar asnjë ndeshje në transfertë gjatë këtij sezoni.

Ky lajm është publikuar: 21/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›