E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga Dinamo shpallet kampion, Tirana turpërohet nga Laçi

Autori i Lajmit: Redaksia

Tiranë - Dinamo, kampione, por pas katër humbjesh kur duhen edhe katër javë nga përfundimi i kampionatit. Një titull i fituar matematikisht në një “Selman Stërmasi”, aspak të përgatitur për festë. Senegalezi Ablaye Papa Diop realizoi në minutën e 11-të për Dinamon, përpara se Elton Muçollari të barazonte për Teutën në minutëne 17-të. Kapiteni i Teutës, Vangjel Mile me golin e tij në të 69 mbylli llogaritë e takimit, duke fiksuar fitoren e dytë rresht të durrsakëve, trepikësh që i çoi në kuotën e 38 pikëve “djemtë e detit”, përpara se ata të përballen me Skënderbeun në “Niko Dovana”. Tifozët e paktë përveç tre golave të takimit, “shijuan” edhe ndëshkimin me karton të kuq të golashënuesit më të mirë të Dinamos, Elis Bakaj, i nervozuar pas anulimi të një goli të tij nga gjyqtari Evin Hoxha, pak minuta përpara përfundimit të ndeshjes. Kjo ishte fitorja e 27-të e Teutës në 128 ndeshje historike me Dinamon (61 fitore, 40 barazime), ndërsa Mile shënoi golin e 105-të të durrsakëve kundrejt 189 golave të bluve kryeqytetas. Dinamo regjistroi humbjen e katërt rresht dhe që të gjitha me të njëjtin rezultat: 2-1, kundër Vllaznisë, Flamurtarit, Apolonisë dhe Teutës. Dinamo, pas javës së 29-të mbeti sërish në kuotën e 58 pikëve, por me Besën e vendit të dytë që ka 46 pikë, 12 më pak se blutë, kur në lojë janë po 12 pikë. Por, skuadra e Muçës i ka fituar të dyja ndeshjet me kavajasit, e duke mbyllur kështu çështjen titull. Kampionia e Shqipërisë për edicionin 2009-2010 koleksionoi titullin e 18-të saj katër javë përpara përfundimit të Kampionatit të 71-të Kombëtar të Futbollit. Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, rikthen titullin në 60-vjetorin e themelimit të klubit blu, ndërkohë që vetë tekniku fitoi titullin e katërt si trajner, pas atyre me Tiranën në sezonet 1994-1995, 1999-2000 dhe 2006-2007. Shkëlqim Muça u bashkua në klubin e kampionëve “blu”, 11-të tillë, e ku bëjnë pjesë Zihni Gjinali (6 herë kampion si trajner me Dinamon), Skënder Jareci (2), Durim Shehu (2),Zyber Konçi (1), Sabri Peqini (1), Stavri Lubonja (1), Fatmir Frashëri (1), Bejkush Birçe (1), Faruk Sejdini (1) dhe Ilir Daja (1).

Besa rimerr vendin e dytë

Besa triumfoi për herë të tretë ndaj Shkumbinit në kampionat, por fitorja 2-0 e kavajasve u shoqërua me shumë incidente në shkallët e stadiumit, një tension i pritshëm dhe i paralajmëruar pas ngjarjeve në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Gjatë takimit të ndërprerë disa herë, madje qysh në minutën e dytë, nuk munguan edhe stolat mbi bankinën e revoltuar të peqinasve. Gjyqtari ndërkombëtar, Sokol Jareci, largoi fillimisht për protestë trajnerin Përparim Daiu, përpara se të dëbonte sekretarin e klubit të Shkumbinit, Astrit Isai. Peqinasit, që në tribunë kishin dyshen presidenciale Dyrmishi-Ismaili, e bashkë me ta edhe ish-zëvendëstrajnerin e dënuar përjetësisht, Klodian Dervishi, u drejtua në minutat e mbetura nga trajneri i portierëve, Aranit Ballhysa. Besa shënoi pa kaluar 100 sekonda lojë falë një eurogoli të realizuar nga Bledi Shkëmbi, por trajneri i Shkumbinit, Përparim Daiu protestoi fuqishëm te kryesori Jareci për dhënien e faullit. Skuadrat u përfshinë në një tension të panevojshëm midis tyre dhe loja u ndërpre për disa minuta, ndërkohë që ultrasit kavajas e tepruan me hedhjen e objekteve në fushë. Vioresin Sinani shënoi golin e dytë të Besës në minutën e 57-të, përpara se Daniel Xhafaj të gabonte në penalltinë e tij të parë dhe te vetme të gjuajtur prej tij në këtë sezon, çka do ti jepte edhe kryesimin e golashënuesve të Superligës. Kjo ishte fitorja e tretë sezonale e Besës, së rikthyer tashmë në vendin e dytë (46 pikë), dhe e 17-ta në 33 ndeshje historike ndaj Shkumbinit (12 fitore, 4 barazime).

Laçjanët turpërojnë bardheblutë

Tirana komprometoi rëndë shpresat për vendin e dytë në Superligë, teksa ish-kampionët e porsa shkurorëzuar humbën 2-1 me Laçin, pikërisht në një “Qemal Stafa” të përzgjedhur enkas për likuidimin e rivalit befasues. Mesfushori me përvojë Julian Ahmataj shënoi në minutën e 10-të, duke krijuar përshtypjen e fitores së katërt rresht nën drejtimin e Sulejman Starovës, por Valdano Nimani vendosi ekuilibrat në minutën e 44-të, duke i çuar të barabarta ekipet në dhomat e zhveshjes. Trajneri i Laçit, Stravri Nica, një prej katër “heroikëve” të pa shkarkuar gjatë këtij sezoni, hodhi në pjesën e dytë kartën “Nora”. Sulmuesi gjirokastrit ia shpërbleu duke realizuar golin e fitores 2-1 në minutën e 73-të, që mban ende shpresat gjallë për një vend për herë të parë të Laçit në Evropë. Tashmë, me Dinamon kampione, Laçi (45 pikë) i ka të gjitha mundësitë të kapë dhe vendin e dytë, nisur dhe nga fakti, se ndaj Besës (46 pikë) do të luajë në shtëpi. Kjo ishte fitorja e 5-te e Laçit ne 23 ndeshje historike me Tiranen (13 fitore, 5 barazime).

Vllaznia mëson të humbasë

Kastrioti me fitoren 2-0 në Krujë komplikoi jo pak pozitat e Vllaznisë pas 29 javëve në kampionat, në një ndeshje me shumë grintë dhe atmosferë. Mesfushori kroat Ivan Babiç ishte sërish heroi i krutanëve të Ramadan Ndreut, me dy gola të tij në pjesën e dytë, të parin nga pika e bardhë (62) dhe të dytin, katër minuta nga përfundimi i kohës së rregullt. Vllaznia, pas humbjes në tavolinë me Skënderbeun, pësoi një tjetër humbje shokuese në fushë, ndaj një skuadre të cilën nuk e llogariste aspak si favorite për të fituar takimin. Me fitoren e së mërkurës, Kastrioti u ngjit në zonën “plejaut”, duke lënë pas Apoloninë dhe Gramozin. Kjo ishte fitorja e 4-t në 17 ndeshje historike midis dy skuadrave, me Vllazninë të ndalur në kuotën e 9 fitoreve (4 barazime). Tashmë, Vllaznisë i duhet të fitojë me patjetër Kupën e Shqipërisë në finalen e 9 majit ndaj Besës, për të siguruar një vend në Ligën e Evropës.

18 TITUJT E DINAMOS

2009-2010 Shkëlqim Muça
2007-2008 Ilir Daja
2001-2002 Faruk Sejdini
1989-1990 Bejkush Birçe
1985-1986 Fatmir Frashëri
1979-1980 Stavri Lubonja
1976-1977 Durim Shehu
1975-1976 Durim Shehu
1974-1975 Sabri Peqini
1972-1973 Skënder Jareci
1996-1967 Skënder Jareci
1960 Zyber Konçi
1956 Zihni Gjinali
1955 Zihni Gjinali
1953 Zihni Gjinali
1952 Zihni Gjinali
1951 Zihni Gjinali
1950 Zihni Gjinali

Skënderbeu tani nuk fiton më

Skënderbeu shpërdoroi një tjetër mundësi të artë në shtëpi, duke mos shkuar më shumë se barazimi ndaj një Apolonie (1-1), të rrezikuar më shumë se kurrë për të rënë nga Superliga. Pas një pjesë të parë pa gola, ishte Klodian Asllani ai që ringjalli në minutën e 54-t shpresat e Skënderbeut për të marrë tre pikë të tjera të arta pas fitores në tavolinë me Vllazninë. Apolonia, që nga ana e saj ka bërë një sezon me dy pamje në kontrast të fortë, falë golit të Kenan Rakipoviç (70) doli për herë të dytë e pathyer nga Korça, ku në fazën e parë kishte fituar 3-2. Ndërsa Skënderbeu u ngjit në kuotën e 37 pikëve, Apolonia rrëshqiti në “zonën e vdekjes”, në vendin e parafundit. Përsa u përket statistikave ky është barazimi i 15-të në 45 ndeshje midis dy ekipeve: 18 fitore Skënderbeu; 12 fitore Apolonia (golat 61-51).

Gramozi zyrtarisht në Katëgorinë I

Gramozi “firmosi” rënien zyrtare nga Kategoria Superiore me një barazim prestigjioz me Flamurtarin (1-1) në Ersekë, në një ndeshje të zhvillua pa shikues. Sulmuesi Armando Sadiku shënoi në minutën e 6-të për formacionin e Agim Canajt (goli i tij shtatë sezonal), duke sjellë jo pak shqetësim të Flamurtari. Vlonjatët falë aftësive të jashtëzakonshme të golashënuesit të tyre më të mirë, Migen Memelli (81), morën një pikë të çmuar në në Ersekën, duke shmangur humbjen pas një serie prej pesë fitoresh rresht.
Për Migen Memelin ky ishte goli i tij i 11-të sezonal, duke u bërë një presion të hapur Elis Bakajt (Dinamos), Daniel Xhafajt (Besa) dhe Mlladen Bërkiç (Apolonia), të tre nga 13 gola, por që nuk realizuan këtë javë, madje Xhafaj humbi dhe një penallti kundër Shkumbinit. Flamurtari u ngjit në kuotën e 40 pikëve, përpara se të përballet në Shkodër me Vllazninë, që ka një pikë më pak.

Ky lajm është publikuar: 22/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›