E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA prezanton kartëmonedhën e re “high tech” 100-dollarëshe

Autori i Lajmit: A.Dralo

Uashington - Ministria amerikane e Financave prezantoi ditën e djeshme kartëmonedhën e re 100-dollarëshe, me ndryshimin e parë të dizajnit të kësaj kartëmonedhe që nga viti 1996 dhe me elemente të lartë sigurie. Në ceremoninë festive të organizuar nga Ministria e Financave, morën pjesë edhe sekretari i Thesarit, Timothy Geithner, dhe drejtori i Byrosë Federale, Ben Bernanke. Ky i fundit tha se prezantimi i kartëmonedhës së re bëhej për shmangien e falsifikimit. Por çfarë ka ndryshuar në krahasim me 100-shen e vjetër. Portreti i Benjamin Franklinit është ende i gdhendur në kartëmonedhë, po ai është bashkuar me Kambanën e Lirisë dhe ka marrë një ngjyrë blu të zbehtë brenda së cilës ndodhet një fjongo sigurie e përbërë prej mijëra lentesh shumë të vogla. Po të lëvizësh kartëmonedhën, këto elemente marrin ngjyra të shumëllojshme. Qeveria shpreson se prerja e re high tech do të parandalojë ose të paktën do ta bëjë më të vështirë falsifikimin e prerjes më të përdorshme në SHBA. Edhe pse ajo u publikua zyrtarisht ditën e djeshme, 100-dollarëshi do të hyjë në qarkullim vetëm pas 10 shkurtit të vitit 2011, duke i dhënë mundësi qeverisë të sensibilizojë qytetarët për ndryshimet e reja. “Ne parashikojmë që dy të tretat e të gjitha kartëmonedhave të reja 100-dollarëshe do të shkojnë jashtë Shteteve të Bashkuara”, - tha Bernanke, i cili theksoi gjithashtu se 6.5 miliardë dollarë në kartëmonedhat aktuale $100 do të mbeten ende në qarkullim. Kartëmonedha 100-dollarëshe është një objektiv i preferuar i falsifikatorëve që operojnë jashtë SHBA-së, ndërsa ajo 20$ falsifikohet mban rekordin e falsifikimeve brenda Amerikës. Ndryshimi i pamjes së kartëmonedhave amerikane ka filluar në vitin 1996 me kartëmonedhën prej 100-dollarësh, dhe pastaj kanë pasuar kartëmonedhat 20-dollarëshe në vitin 2003, 50-dollarëshe në vitin 2004 dhe 10-dollarëshe në vitin 2006. Ndërkohë kartëmonedha 5-dollarëshe është ndryshuar në vitin 2008.

Ky lajm është publikuar: 22/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›