E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga, Laci mund Tiranën 1-0

LAC- Tirana është mundur 1-0 në Laç, duke iu dhënë praktikisht lamtumirën shanseve për titullin kampion. Bardheblutë nuk kanë qenë ata të zakonshmit në këtë ndeshje, teksa e kanë patur të pamundur të çanin mbrojtjen e skuadrës vendase. Sulmi i kampionëve ka qenë pika më e dobët në këtë takim, që e lë skuadrën e Alban Tafajt 12 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Dinamo. Ndeshja është vendosur nga një autogol i Tefik Osmanit në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë, ndërsa në të dytën vendasit janë mbledhur në mbrojtje. 

Laçi u ka rezistuar sulmeve të Tiranës dhe në fund mund të kishte shënuar edhe golin e dytë, kur Arlind Nora u gjend i vetëm përballë portierit Nallbani. Ndërkohë në ndeshjen tjetër të luajtur të dielën, Besa barazoi 1-1 me Teutën. Në Niko Dovana kavajasit kanë qenë dominues në harkun e 90 minutave, por pa arritur të marrin fitoren. Teuta shënoi e para në minutën e 4-t të pjesës së dytë me anë të Vangjel Miles, ndërsa për Besën barazoi mbrojtësi kosovar Alban Dragusha në minutën e 61-të. Ky barazim e çon skuadrën e Shpëtim Duros në kuotën e 19 pikëve, 10 më pak se Dinamo.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›