E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga fillon me 17 gusht, ja ndeshjet e para

Raiffeisen Superliga e Kosovës merr formë për sezonin e ri. Kampionati i ri do të startojë në datën 17 Gusht, ndërsa ndeshjet e javës së parë do të plotësohen edhe me përballjet e një dite më pas. Federata e Futbollit të Kosovës ka hedhur shortin ku bie në sy përballja e javës së parë mes kampionëve të Prishtinës dhe Ferizajt që është edhe skuadra finaliste Kupa e Kosovës, e cila u mund pikërisht nga kryteqytetasit me 11 metërsha.

Është interesant fakti që këto dy skuadra do të ndeshen edhe në sfidën e Superkupës së Kosovës përpara fillimit të kampionatit. Ndërkohë, në javën e parë, nënkampionët e Trepça ’89 udhëtojnë në fushën e Ferronikelit, ndërsa Fushë Kosova debutuese udhëton në transfertën e Hysit. Tre ndeshjet e tjera të kësaj jave janë, Drita–Besa, Hajvalia–Drenica dhe Trepca–Llamkos Kosova.

Nëse shfletojmë më tej në kalendarin e këtij sezoni, përballjen mes kampionëve të Prishtinës dhe nënkampionëve të Trepça ’89 e hasim në javën e tretë të kampionatit. Ndërkohë, dy skuadrat që nuk arritën të mbijetonin gjatë sezonit që sapo lamë pas, Liria dhe Vëllaznimi, do të luajnë në Ligën e Parë të Kosovës. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›