E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga fitojne Teuta dhe Shkumbini

Kreu i Superligës shqiptare, të paktën përkohësisht, është bërë më interesant pasi aty është afruar edhe një pretendent i tretë për titull. Bëhet fjalë për Teutën pasi skuadra durrsake mundi në fushën e saj Apoloninë e Fierit me rezultatin 2-1 dhe tani ndodhet vetëm 2 pikë larg Tiranës që kryeson dhe Skënderbeut të vendit të dytë. Veçse, të dyja këto skuadra nuk kanë luajtur ende për javën e 18-të.
Bregdetarët patën mjaft vështirësi për të çarë mbrojtjen e miqve, madje këta të fundit kanë rrezikuar edhe në disa raste të shënojnë. Në fund, gjithsesi, ishte Teuta ajo që doli fituese nga fusha, falë rrjetave të Dostit në të 68-të dhe Pepës në të 75-tën, ndërsa goli i kapitenit të Apolonisë, Gërxho në minutën e 92-të ka shërbyer thjesht sa për statistikë.
Kjo do të thotë se skuadra e Hasan Likës arriti më në fund fitoren e parë pas 5 ndeshjeve në Superligë, një ecuri negative që zgjaste që prej 26 nëntorit të vitit të kaluar.
Ndërkaq, Shkumbini ia doli që të fitonte gjithashtu me vështirësi 2-1 në Peqin ndaj Dinamos. Një përballje e fortë, në të cilën blutë kryeqytetas, të rilindur javët e fundit, nuk deshën të dorëzoheshin, duke i bërë ballë presionit vendas për plot 80 minuta. Vetëm kur loja po i afrohej fundit, Shkumbini arriti të shënonte golin e fitores me anë të Shenajt, duke marrë 3 pikë shumë të rëndësishme për klasifikimin dhe duke u ngjitur në vendin e 8-të me 23 pikë, baraz me Bylisin e Vllazninë që janë më lart për shkak të golaverazhit.
Të dielën luhen ndeshjet Pogradeci-Flamurtari dhe Laçi-Tomorri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›