E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga, sot 3 sfida decizive për sezonin

TIRANE - Java e 19-të e Superligës do të mbyllet ditën e sotme me tre ndeshjet e fundit, ku më kryesorja mbetet ajo në kryeqytet mes Tiranës dhe Besës. Bardheblutë vijnë pas barazimit 0-0 me Skënderbeun, ndërsa ndodhen në formën më të mirë të sezonit. Me ardhjet e Gilman Likës, Bekim Balës dhe Jahmir Hykës,

Tirana është kthyer në një nga ekipet më të forta të kampionatit, ndonëse titulli kampion mund të quhet një utopi duke parë diferencën prej 13 pikësh nga Flamurtari kryesues.
Në krahun tjetër, kavajasit kanë nevojë për pikë për t'u shkëputur nga fundi i renditjes, megjithatë sezoni i tyre vazhdon të jetë me shumë ulje-ngritje. Ndërkohë, sot do të zbresë në fushë edhe Skënderbeu i vendit të dytë, që do të luajë në stadiumin e zbrazur të Krujës përballë Kastriotit. "Në Krujë apo në Vlorë, për ne nuk ka shumë rëndësi, pasi duam patjetër titullin", deklaroi dje kapiteni Bledi Shkëmbi, i rikthyer pas pezullimit në ndeshjen me Tiranën.

(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›