E Diel, 1 Nëntor 2026

Suplementi Bluetooth shënon numrin e 300-të

TIRANE – Ka qenë 1 korriku i vitit 2006 kur një suplement i vogël filloi të prishte punë të mëdha. Bluetooth, histori të reja dashurie, ndarje, skandale, punë artistike, promovime, gëzime dhe hidhërime të njerëzve të njohur e kthyen shpejt suplementin rozë në vëmendjen e të gjithëve. Ashtu ka mbetur edhe sot, pas 6 vitesh ose 300 numrash.

Në kohën kur Gazeta Shqiptare nisi botimin e suplementit Bluetooth pati nga ata që qenë skeptik për të ardhmen e tij në tregun e shkruar shqiptar. Ku do të gjendeshin historitë dhe personazhet për ta mbajtur përherë plot me informacione një suplement të përjavshëm dhe për më tepër si do të reagonit ju personat publik që do të ishit pjesë e këtyre faqeve.

Ishin këto disa nga pikëpyetjet të cilat morën përgjigje në jo pak por në plot 300 numra Bluetooth. Ja dolëm të krijonim një treg, të krijonim një kulturë të show biz-it, të cilën ndonëse me vështirësi e përqafuan shumë nga personazhet që mbushin sot faqet rozë.

Disa nga ju e përqafuan shpejt dhe bënë gjithçka për të rënë në sy e për të krijuar sensacion. E thithën shpejt kuptimin e asaj që në botë njihet si “media people”, ndërsa të tjerë nuk lanë fjalë pa thënë për gazetarët që i shkruanin këto lajme.

Disa nga ju edhe na kërcënuan, por përsëri ulët kokë sepse në fund të ditës, kur bëni të famshmin gjyq të vetes, e dini që në mos të gjitha një pjesë e atyre që janë shkruar kanë qenë të vërteta.

Edhe kur lajmet kanë qenë të trilluara, të transmetuara nga burime dashakeqe, e kuptuat që më e mira që mund të bënit ishte ta merrnit me sportivitet këtë punë. Megjithatë ne për një gjë jemi sot krenarë. Në këto 300 javë që suplementi Bluetooth është në treg ka dëshmuar se di ti trajtojë lajmet dhe personazhet në mënyrë shumë profesionale.

Kemi zbuluar lidhje, ndarje, martesa, lindje zënka, prapaskena dhe kemi publikuar me dhjetëra foto paparaz, gjithmonë në shërbim të publikut besnik dhe tuajin, personazheve që sot e përgjithmonë duhet ta kuptoni që më e mira në këto raste është ta merrni lehtë, sepse kur bëhen bilancet reklama është ajo që qëndron në krye.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›