Surpriza, Kroacia pranë çerekfinaleve

"Bravo Kroacia, është e patolerueshme arroganca gjermane". Ky ishte mesazhi që kishte lënë një tifoz italian në forumin e gazetës më të madhe italiane "Corriere dello Sport".
Kroacia dhuroi surprizën më të madhe në Grupin B. Formacioni i Slaven Bilic, pasi mundi Austrinë (1-0) në ndeshjen e parë, kaloi edhe një pengesë gjigante si Gjermania (2-1), duke hedhur një hap të sigurt në cerekfinalet e Europianit. Një ndeshje e interpretuar në mënyrë të shkëlqyer nga kroatët, të cilët e zhbllokuan takimin në minutën e 24-t, me një gol brilant të Dario Sërnës.
Pjesa e parë ishte e tëra nën dominmin kroat, përvec ndonjë përpjekje të largët të gjermanëve me Mikael Balak. Në pjesën e dytë erdhi dhe goli i Olicit (62'). Lukas Podolski, golashënuesi më i mirë i Gjermanisë (3 gola) shkurtoi diferencën në minutën e 79-të, ndërkohë që Bastian Shvajnshtajger (90') u bë futbollisti i parë, i cili ndëshkohet me karton të kuq në 11 ndeshjet e para të Europianit.
Formacioni i Johakim Lëv bëri një paraqitje të varfër, aspak karakteristike për mentalitetin gjerman. Krijoi shumë raste, por e la veten të thyhej shpejt, duke ofruar një mbrojtje të varfër e të thyeshme.
Gjermania do të ndeshet në ndeshjen e fundit me Austrinë, dhe i duhet të fitojë patjetër, por dhe të shmangë një ballafaqim me Portugalinë në cerekfinale.
Vdes një tifoz kroat 20-vjecar
Një tifoz 20-vjecar kroat vdiq sot mbasdite në Klagenfurt të Austrisë, për shkak të një ataku kardiak, pak para ndeshjes së Kombëtares të vendit të tij me Gjermaninë, të fituar nga Kroacia 2-1. Djaloshi vdiq në qendër të qytetit. Rezultuan të kota përpjekjet për të rianimuar në pritje të mbërritjes së ambulancës.