Surprizat televizive të sezonin të ri
Petrika GROSI
Me nisjen e sezonit të ri për emisionet e mbyllura gjatë verës jemi munduar të zbulojmë paraprakisht për publikun dhe lexuesin tonë se cilat do të jenë ndryshimet nëpër emisionet kryesore të televizioneve shqiptare, prurjet, largimet, emrat dhe risitë që do të ofrohen për spektatorin duke nisur që nga muaji shtator e më tej. Një valë e re ndryshimesh shfaqet në “Vizion Plus” duke nisur që nga largimi i Aida Shtinos për te “Klan” dhe rindërtimi i një emisioni tjetër të tipit “Njerëz të Humbur” në bashkëpunim me emisionin “Sos”. Konfirmohet se formati do të jetë shumë më interesant sesa i pari, ndërkohë që vazhdojnë bisedimet ende të pambyllura për drejtuesen e emisionit, e cila pritet të jetë një figurë tepër e njohur dhe simpatike e ekranit, por që për momentin nuk mundemi ta citojmë. Ndërkaq, do të vazhdojë “Zonë e Lirë” e Arian Çanit; “Patjetër që “Zonë e Lirë” do të vazhdojë te Vizion Plus. Nuk do të ketë asnjë ndryshim. Më mirë prishet!” Kështu është përgjigjur Arian Çani i pyetur nga gazeta “Albania” për vijimësinë edhe këtë sezon të emisionit të tij dhe nëse do të kishte ndryshime formati. Mësojmë se disa ndryshime të vogla do të ketë edhe emisioni i Agim Bajkos, “By Pass Show” por pa largime apo ardhje personash. Ndërsa ndryshon formati dhe dekori i “Zipp”-it, i cili do të vazhdojë të prezantohet nga dyshja e zakonshme, Rezeari dhe Jonida. Turjan Hyskaj vazhdon përrallën e tij... si dhe një tjetër emision të ri, por që nuk konfirmohet ende nëse do të jetë ai drejtues, të titulluar “Mos u nxeh”. Në të njëjtën kohë vazhdon “Konak”, me Kozetën, “Eureka” me Julia Gugën (mund t’i ndryshojë vetëm orari i transmetimit) dhe “Superbilli”, një miniquiz-show drejtuar nga Alba Çaroshi nën shoqërinë e maskotit Superbilli. Ky emision do të shfaqet në mëngjes nga e marta në të dielë dhe do të jetë kryesisht për fëmijët e moshave 7-15 vjeç. Ndryshime të tjera në Vizion Plus do të ketë edhe sa i takon largimit të Edison Ypit, i cili nuk ka për të qenë pjesë as e “Zipp”, ndërkohë që mbyll së afërmi me puntatën e fundit emisionin “Vup!” Sa i takon televizioneve të tjera do të vazhdojë “Fiks Fare” në Top Channel, si dhe “De Javu” nga Mustafa Nano, e po kështu, një emision tjetër i ndjekur “Opinion”, nga Blendi Fevziu, pritet që të shfaqet katër herë në javë në ekranin e televizionit “Klan”.
Ndryshime në “Zonë e Lirë? Çani: “Më mirë se kaq, prishet!”
“Patjetër që “Zonë e Lirë” do të vazhdojë te Vizion Plus. Nuk do të ketë asnjë ndryshim. Më mirë prishet!” Kështu është përgjigjur Arian Çani i pyetur nga gazeta “Albania” për vijimësinë edhe këtë sezon të emisionit të tij dhe nëse do të kishte ndryshime formati. “Zonë e Lirë” është një emision me karakter gjeneralist, i cili mbështetet mbi aktualitete të ndryshme, politike, sociale dhe kulturore, lokale e ndërkombëtare, duke i përcjellë ato nëpërmjet personazheve që ideatori dhe drejtuesi i emisionit, Arian Çani fton në studio. Këto personazhe janë protagonistë direkt ose indirekt të ngjarjeve. Promovimi është thelbi i intervistave që zhvillohen në studio. Politikanë, artistë, shkrimtarë, gazetarë, shkencëtarë, janë çdo të premte protagonsitë, autorë, apo “viktima” të ngjarjeve e ndodhive të ndryshme, duke rrëfyer e dëshmuar historitë e tyre.
“By Pass Show”, Bajko vijon të hedhë “thumba”
Një traditë e hershme e ekranit të Vizion Plus. Një format satirik e thumbues mbi dukuritë dhe fenomenet negative të realitetit shqiptar. Pas 3 vitesh suksesi që pasuan në ekranin e Vizion Plus, duke e shndërruar në një ndër programet satirike më të ndjekura, karizma e hollë e Bajkos dhe stafi i tij premtojnë për një sezon të mbushur me surpriza të këndshme dhe momente argëtuese. Një prodhim i departamentit të informacionit, i cili sjell çdo të dielë në mbrëmje realitetin shqiptar të parë nën një tjetër këndvështrim, duke përcjellë jo vetëm buzëqeshjen por edhe ndërgjegjësimin mbi gjithçka që na rrethon. Një penë e zgjedhur e thumbuese, e cila ka ditur gjithnjë të përcjellë humorin e hollë, larg banaliteteve e batutave false, për të qenë në çdo kohë një zgjedhje perfekte për shijet e publikut.
Investigimi, largohet Shtino, por jo “të humburit” nga Vizion+
Nëse Aida Shtino është larguar nga Vizion Plus për te Tv Klan kjo nuk e dëmton aspak emisionin “Njerëz të Humbur”. Ndonëse ai nuk do të jetë më si më parë, por tashmë në trajtën e një emisioni të ri social të bazuar mbi dy eksperienca të suksesshme të mëparshme siç janë “Njerëz të Humbur” dhe “Sos”. Nga Vizion Plus konfirmohet se formati do të jetë shumë më interesant sesa i pari, ndërkohë që vazhdojnë bisedimet ende të pambyllura për drejtuesen e emisionit, e cila pritet të jetë një figurë tepër e njohur dhe simpatike e ekranit, por që për momentin nuk mundemi ta citojmë pasi asgjë përfundimisht nuk është vendosur. E sigurtë është se emisioni i ri do të jetë teër dinamik. Fokusi kanë për të qenë njerëzit në nevojë, ata të cilët jeta apo fati i ka lënë në harresë, ata për cilët shteti ka bërë pak ose aspak, si dhe gjithë të tjerët, të zhdukur pa lënë gjurmë. Krahas tyre do të jenë edhe ata që kërkojnë të dashurit e zemrës, ata të cilët panë te stafi i gazetarëve një derë prej nga lind një shpresë, dhe që Vizion Plus ju ktheu buzëqeshjen. Me një database të konsiderueshëm, të dhëna, fakte e dëshmi të mbledhura nga një numër i madh bashkëpuntorësh në mbarë botën, stafi i gazetarëve do të vazhdojë t’u gjendet pranë dhe do të përpiqet në maksimum për të shëruar plagët që koha hapi në jetën e tyre. Një mision i cili vazhdon me të njëjtën përgjegjshmëri e përkushtim, për të zgjuar ndërgjegjjen e gjithëkujt dhe për t’ju gjendur pranë njerëzve në nevojë...
Drejt mbylljes “Vup!” i Edison Ypit, “Zipp” ndryshon formatin!
Mësojmë se drejt mbylljes është emisioni i Ediosn Ypit “Vup!”, kurse në anën tjetër, “Zipp” do ta ndryshojë formatin duke mos trajtuar gjithë temat e ditës, por veç tri më kryesoret prej tyre, që do të diskutohen nga të ftuarit në studio. Emisioni do të përftojë trajtën e një talk-show. Rikonceptimi i formatit të tij ka të bëjë më tepër me shtimin dinamikës. Eksperienca e gazetarëve Rezear Xhaxhiu e Jonida Shehu, është një garanci më shumë për të vërtetuar atë që “Zipp” do të ofrojë. Një mënyrë e të thënit të lajmit ndryshe, e ndërthurrur me elemente të një talk-show, i cili do të përpiqet herë pas here ta rrisë diapazonin nëpërmjet të ftuarve Vip, lidhjeve të drejtpërdrejta me sheshe e institucione kulturore, etj. Emisioni do të trajtohet në aspektin e një bisede të hapur në studio, ku debati dhe komentet do të jenë epilogu i mbrëmjes. Një format i ri që kap shifra rekord audience në vendet ku u aplikua për herë të parë dhe që sezon pas sezoni, në ekranin e Vizion Plus është konsoliduar si ndër më të ndjekurit informativë në Shqipëri.
Turjan Hyskaj vazhdon me “Përrallat”...
Ndër të vetmet programe në televizionet shqiptare kushtuar tërësisht fëmijëve, në sezonin e saj të katërt do të rrëfejë një tjetër përrallë. Një format televiziv ku fëmijët luajnë lirshëm, argëtohen, e mbi të gjitha mësojnë të jenë shkathët, të saktë dhe me intuitë. Turi dhe personazhet vazhdojnë të jenë miqtë e tyre më të mirë ndaj edhe për këtë sezon nuk do të zhgënjejnë teksa të gjithë së bashku do të mirëpresim “Zbarkimi i ushtrisë së fuqishme romake”. Këtë herë background-i i Përrallës është Perandoria Romake dhe çdo element i lojës do të jetë i ndërtuar mbi këtë filozofi. Ashtu sikurse edhe në “Përrallat” e mëparshme, linja kryesore e show-t do të jetë quizi i plotësuar në mënyrë harmonike me elementet e spektaklit.
“Mos u nxeh”
Një tjetër projekt i paraqitur nga Turjan Hyskaj që është një lojë e madhe “Mos u nxeh”, ku do të konkurrojnë katër personazhe të famshme. Në dispozicion të konkurrentëve do të jetë një zar i madh që personazhet do ta hedhin gjatë lojës. Kjo lojë fuksionon me të gjitha rregullat e mirëfillta të lojës “mos u nxeh”. Kur shkelet në numrat që kanë dënime atëherë personazhet duhet të vuajnë fatin e tyre, kuptohet, gjithçka do të jetë “Funny”.
Fevziu, tani katër herë në javë!
Gazetari Blendi Fevziu do të shfaqet më intesivisht me emisionin e tij “Opinion” në ekranin e Tv Klan, madje jo pak, (nga një herë, plot katër herë në javë gjatë sezonit të ri).
Mustafa Nano ecën para pa ndryshime
Gazetari Mustafa Nano, i kontaktuar nga gazeta “Albania” dhe i pyetur për emisionin e tij dhe ndonjë ndryshim apo lëvizje të mundshme është shprehur: “Emisioni im do të vijojë. Nuk do të ketë ndryshime domethënëse”.
30 Gusht 2008