E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantët e Akademisë së Arteve dhe të Sporteve kërcënojnë MASH-in me grevë urie

120 të rinjtë fitues në konkurse kërkojnë ndryshimin e vendimit të vitit 2006. Ministria e Arsimit: “Vendimi nuk mund të ndryshohet. Si ju ka dhe shumë të tjerë”

Jonida Tashi

Maturantët e Akademisë së Arteve dhe të Sporteve, nëse nuk do të marrin një përgjigje pozitive nga Ministria e Arsimit, do të futen në grevë urie. Këta 120 maturantë, fitues në konkurset speciale të pranimit në të dyja akademitë, por mbetës në provimet me zgjedhje, po vazhdojnë protestat përpara Ministrisë së Arsimit. Prej disa ditësh ata kërkojnë që të ndryshohet vendimi i Këshillit të Ministrave i vitit 2006, sipas të cilit, maturantët që nuk kalojnë katër provimet e Maturës Shtetërore, nuk kanë të drejtë të studiojnë në një nga universitetet publike. Ndërkohë, burime nga Ministria e Arsimit thonë se nuk do të ketë asnjë ndryshim të vendimit të Këshillit të Ministrave, pasi nuk janë vetëm këta 120 maturantë që rezultojnë mbetës, pavarësisht se kanë rezultuar fitues në konkurse. Këtë vit, për shkak të ngeljes në një nga katër provimet e Maturës Shtetërore rreth 13 mijë nxënës humbën të drejtën për t’u kualifikuar në shkollat e larta. Gjithashtu, për të sqaruar maturantët, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se nxënësit që garuan për programet e studimit me konkurs janë njoftuar ditën e konkursit se kualifikimi përcaktohet nga rezultatet në provimet e Maturës Shtetërore dhe në konkurs. Njoftim ky që ka qenë edhe i afishuar publikisht në ambientet e Akademisë. Sipas MASH-it, çdo gjë ka qenë transparente, e shpallur publikisht dhe të gjithë konkurruesit kanë qenë të barabartë në garën e tyre.
Vendimi
Vendimi i Këshillit të Ministrave i vitit 2006 përcakton se për të vazhduar studimet e larta duhet të kesh kaluar katër provimet e Maturës Shtetërore. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në lidhje me ankesën e bërë nga disa kandidatë për në Institucionet publike të Arsimit të Lartë, që kanë aplikuar për disa programe studimi për të cilat duhet kryer konkurs (Akademia e Arteve, Akademia e Sporteve, Arkitektura te Universiteti Politeknik) bën me dije se në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.78, datë 8.2.2006 “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike, në pikën 3 të tij shprehimisht thuhet: “Kanë të drejtë të kërkojnë që të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike, vetëm ata kandidatë të cilët kanë kryer provimet e Maturës Shtetërore”. Ky vendim është botuar në Fletoren Zyrtare Nr.12, datë 23.2.2006. Në faqen 7 dhe 19 të guidës “Matura Shtetërore 2008”, shpërndarë studentëve, thuhet shprehimisht se: “Matura Shtetërore nënkupton dhënien e katër provimeve, nga të cilat dy janë të detyruara dhe dy janë me zgjedhje”.
Pranimet
Pranimet e studentëve në Akademinë e Arteve, në akademinë e edukimit fizik dhe sporteve “Vojo Kushi”, në programin e studimit të Arkitekturës të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të Universitetit të Shkodrës, ashtu si dy vite më parë, do të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe të rezultateve nga konkursi i pranimit, i organizuar nga këto institucione Publike të Arsimit të Lartë. Këtë vit MASH-i vendosi t’i organizojë këto konkurse në korrik, në mënyrë që raundet e pranimeve në universitete, sipas sistemit Meritë-Preferencë (MeP), të përfundonin më herët dhe brenda javës së parë të vitit akademik 2008-2009. Pas përfundimit të katër provimeve të Maturës, kandidatët që dëshironin të ndiqnin studimet në Akademinë e Arteve, Sporteve dhe në Arkitekturë, i nënshtrohen edhe një konkursi specifik. Konkursi i pranimit, që përfshin talentin dhe përgatitjen fizike, ka një peshë të madhe për t’u shpallur fitues në Akademinë e Arteve, Sporteve dhe në Arkitekturë. Nëpërmjet një udhëzimi të veçantë, Ministria e Arsimit bëri publik procesin se si do të përzgjidheshin kandidatët fitues për në universitet në këto institucione publike arsimore. Në këtë udhëzim është përcaktuar edhe mënyra e organizimit të konkurseve të pranimit, që do të realizohen në disa institucione publike të Arsimit të Lartë.

30 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›