Rriten kostot e ndërtimit, bien fitimet për ndërtuesit
Zhbllokimi i dhënies së lejeve të ndërtimit për sektorin privat nuk ka mundur që t‘i japë frymëmarrje të lirë infrastrukturës në vend. Rritja e çmimeve për lëndët e para ka ndikuar në uljen e normës së fitimit për ndërtuesit, e për rrjedhojë edhe të reduktimit të investimeve. Sipas INSTAT-it, në tremujorin e dytë të vitit 2008, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti 128.3 për qind, duke shënuar një rritje 0.8 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim ka shënuar një rritje 1.3 për qind. Indeksi i çmimeve të grupit "Shpenzime direkte" është rritur 1.1 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Brenda këtij grupi, rritjen më të madhe e shënuan nëngrupet "Shpenzime materiale" prej 1.4 për qind dhe "Shpenzime për paga" prej 0.3 për qind. Ndërsa indeksi i çmimeve për grupet e tjera nuk ka ndryshuar. Brenda nëngrupit "Shpenzime materiale" mund të përmendim rritjen e çmimeve të materialeve të ndërtimit prej 1.5 për qind, materialeve elektrike prej 2.3 për qind. Pas gjithë këtyre treguesve jo optimistë, sektori i ndërtimit e ka gjetur veten me një normë fitimi në rënie, prej 1 për qind, në krahasim me vitin 2007.
Tirana pa drita deri në shtator, OSSH-ja do të kryejë riparime
Ndërprerjet e energjisë elektrike në kryeqytet do të vazhdojnë deri në fund të muajit shtator. Drejtuesit e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes deklarojnë se shkak janë remontet, të cilat do të vazhdojnë sipas një programi në të gjithë Tiranën. Sipas tyre ndërhyrjet janë të domosdoshme për të fuqizuar rrjetin e elektrik, me qëllim përballimin e ngarkesave gjatë periudhës së dimrit. Për të garantuar energji elektrike gjatë periudhës në vazhdim, pak ditë më parë qeveria doli garant për një kredi 40 milionë euro që do t’i jepet KESH-it për importin e energjisë elektrike.
Italianët të interesuar për HEC-et, paraqiten 23 projekte
Përfaqësues të grupit italian “Caraglio”, i njohur në Itali dhe jashtë saj në fushën e prodhimit të energjisë dhe pajisjeve elektrike, janë pritur dje në një takim pune nga kryeministri Sali Berisha. Në vazhdim të takimit të parë të zhvilluar në muajin shkurt, përfaqësuesit e grupit Caraglio që në takimin e sotëm shoqëroheshin nga ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D`Elia, prezantuan dy projekte për ndërtimin e 23 hidrocentraleve të vogla në kaskadën e lumit Shkumbin. Projekti i parë parashikon ndërtimin e 9 HEC-eve në zonën e Orenjës, me fuqi totale 15 megavat, ndërsa projekti i dytë përmban ngritjen e 14 HEC-eve në zonat e Slabinës dhe Qukësit me fuqi totale 17 megavat dhe prodhim energjie 390 milionë kilovat/orë në vit. Përfaqësuesit e grupit “Caraglio” kanë dorëzuar tashmë në Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës projektet për të marrë pjesë në garat e hapura për kaskadën e Shkumbinit.
30 Gusht 2008