E Diel, 1 Nëntor 2026

Thellohet deficiti tregtar 300 milionë dollarë, rriten ndjeshëm importet

Sipas INSTAT-it, në 7 muaj ikën 1.4 miliardë euro nga vendi. Deficiti tregtar për 2008-n thellohet me 24 miliardë lekë

Ervin Koçi

Shqipëria po bëhet gjithmonë e më shumë e varur nga mallrat e huaja. Kjo për shkak të rritjes më të ndjeshme të importeve kundrejt eksporteve. Eksportet kanë pësuar rënie në masën 3.7 për qind, duke ndikuar në thellimin e mëtejshëm të deficitit tregtar. Tregtia e jashtme, gjatë muajit korrik, ka përkeqësuar edhe më shumë bilancin tregtar të vendit, duke regjistruar një deficit prej rreth 300 milionë dollarësh. Në muajin korrik të vitit 2008 u eksportuan rreth 120 milionë dollarë, duke shënuar rënie me 3.7 për qind në krahasim me qershorin, por me një rritje me 18.7 për qind në krahasim me korrikun e 2007-s. Nga ana tjetër, importet kanë regjistruar një vlerë prej 410 milionë dollarësh mallra, me një rritje prej 22.4 përqindësh në krahasim me muajin korrik të 2007-s dhe rritje 3.3 për qind në krahasim me qershorin e vitit të kaluar. Në këtë mënyrë, deficiti tregtar i këtij muaji shënoi një rritje prej 6.5 përqindësh, krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 24.1 përqindësh krahasuar me korrikun e vitit 2007.

Shtatëmujori

Deficiti tregtar i vendit gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2008, është 172.640.000.000 lekë të rinj. Kjo do të thotë që nga Shqipëria kanë dalë 1.4 miliardë euro më shumë se sa kanë hyrë prej eksportimeve të ndryshme. Kjo shifër është 24 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, në të njëjtën periudhë. Nga janari deri në fund të korrikut 2007, INSTAT ka regjistruar një deficit prej 148.766.000.000 lekësh. Në vitin 2003, diferenca midis importit e eksportit ishte 172 miliardë lekë, për të gjithë periudhën e 12 muajve. Kështu, vetëm në shtatë muaj qeveria 'Berisha' ka larguar nga vendi një sasi parash, më të madhe se ajo që ikte për një vit pesë vjet më parë. Dhe kjo, në një kohë kur prurjet nga emigracioni, për herë të parë në këto 18 vjetët e fundit, kanë shënuar një ritëm në rënie.

Partnerët

Bashkimi Europian zuri vendin kryesor në nivelin e tregtisë që kryen Shqipëria, konkretisht me afro 68 për qind. Italia dhe Greqia vazhdojnë të mbeten partnerët kryesorë tregtarë, si në drejtim të importeve, ashtu edhe të eksporteve. Me Italinë, eksporti është 61.4 për qind dhe importi 27.7 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 9.1 për qind dhe importi 16 për qind. Përveç këtyre vendeve, niveli i eksporteve ka pësuar rritje edhe me Gjermaninë, Kinën, Maqedoninë, Spanjën, etj., ndërsa në importe vërejmë vende si Austria, Britania e Madhe, Kroacia dhe Turqia. Ne eksportojmë kryesisht tekstile dhe këpucë, por edhe prodhime druri, letre dhe minerale, ndërkohë që importojmë pothuajse gjithçka, duke filluar nga artikujt ushqimorë e deri tek lënda e parë për industrinë.

Mallrat

Eksporti i grupit "Produkte kimike dhe plastike" u rrit me 19.4 për qind, "Prodhime druri dhe letre" u rrit 12.6 për qind, "Tekstile dhe këpucë" u rrit 6.6 për qind, të gjitha këto në krahasim me muajin qershor 2008. Ndërsa eksporti i grupit "Lëkurë dhe artikujt prej tyre" u ul 43 për qind, etj. Importi i grupit "Prodhime druri dhe letre" u rrit 17.7 për qind, "Produkte kimike dhe plastike" u rrit 12.7, "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" u rrit 11.4 për qind, etj. Kurse importi i grupit "Ushqime, pije, duhan" u ul 15.1 për qind.

30 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›