MSH, marrëveshje bashkëpunimi me Italinë për aftësinë e dëgjimit të fëmijëve
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo dhe Gianfranco Jacuzzi, koordinator i projektit “MAGIS” (Lëvizja dhe Veprimi i Jezuitëve Italian për Zhvillim) në Itali, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mjekësisë. Të dyja palët do të mundësojnë t’u vijnë në ndihmë fëmijëve që kanë probleme me dëgjimin. Projekti do të shërbejë për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijëve shqiptarë që kanë lindur me probleme të dëgjimit. Marrëveshja synon të reduktojë handikapin që vjen si rrjedhojë e mosaftësisë së dëgjimit të fëmijëve shqiptarë nëpërmjet diagnostikimit në mënyrë të hershme të shurdhërisë fëminore. Sipas disa studimeve të kryera në vend, në çdo 1 mijë të lindur 1 është hipoakustikë. Arsyet mund të jenë që nga mos kontrolli i plotë i shtatzënisë dhe përdorimi pa kriter i barnave ototoksike në shtatzëni e më tej në moshën fëminore. Në Shqipëri lindin rreth 45 mijë fëmijë në vit, prej të cilëve mbi 9 mijë vetëm në Tiranë, për këtë vëmendja e mjekëve do të kushtohet në vendet me numër të madh lindjesh. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, MAGIS do të diagnostikojë në mënyrë të hershme shurdhërinë fëminore përmes testimit neonatal pranë strukturave shëndetësore të qyteteve kryesore si Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër.
Sanitaret protestojnë para Drejtorisë së QSUT-së
Punonjëset që u pushuan nga puna nga Drejtoria e QSUT-së kërkojnë të rikthehen në punë. Rreth 40 sanitare të larguara nga puna protestuan ditën e djeshme para Drejtorisë së QSUT-së për të rifituar vendin e punës. Ato kërkojnë nga drejtoresha e sapoemëruar, Gjeorgjina Kuli, që të bëjë zgjerimin e organikës dhe t’i rikthejë në punë. Sipas tyre, shkarkimi nga puna ishte i padrejtë, pasi ato kishin vite që punonin në ambientet spitalore. Ish–ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, e zgjeroi organikën e QSUT-së, e cila lejonte marrjen në punë të shumë punonjësve. Ndërsa, pak kohë më parë, ish-drejtori i QSUT-së, Mati Pepa, vendosi ngushtimin e organikës dhe detyrimisht do të shkurtoheshin nga puna dhe mjaft sanitare. Madje, pritet që nga puna të pushohen edhe një numër i madh sanitaresh.
30 Gusht 2008