Eksportet arritën në 11.043 milionë lekë në muajin korrik
Eksportet shqiptare, gjatë muajit korrik 2008, arritën në 11.043 milionë lekë, duke rezultuar 18.7 për qind më të larta krahasuar me muajin korrik të vitit 2007. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, po gjatë këtij muaji u importuan 37.575 milionë lekë mallra, me rritje 22.4 për qind në krahasim me muajin korrik të 2007-s dhe 3.3 për qind në krahasim me muajin qershor 2008. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Sipas të dhënave, me Italinë eksporti është 61.4 për qind dhe importi 27.7 për qind, kurse me Greqinë eksporti është 9.1 për qind dhe importi 16 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur janë: përsa i përket eksportit, Gjermania, Greqia, Italia, Kina, Maqedonia, Spanja etj.; dhe për importin, Austria, Britania e Madhe, Greqia, Kroacia, Turqia etj. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup-mallrat tregon që eksporti i grupit "Produkte kimike dhe plastike" u rrit 19.4 për qind, "prodhime druri dhe letre" u rrit 12.6 për qind, "tekstile dhe këpucë" u rrit 6.6 për qind. Ndërsa eksporti i grupit "lëkurë dhe artikujt prej tyre" u ul 43 për qind etj.
Importi i grupit "prodhime druri dhe letre" u rrit 17.7 për qind, "produkte kimike dhe plastike" u rrit 127 për qind, "minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" u rrit 11.4 për qind etj. Ndërsa importi i grupit "ushqime, pije, duhan" u ul 15.1 për qind.
30 Gusht 2008