E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy shqiptarë, peng një çift të rinjsh grekë

Orë të frikshme përjetuan një djalë dhe një vajzë në Greqi, pasi u bënë pre të rrëmbimit dhe dhunës nga dy shqiptarë, të cilët kanë arritur t‘i shpëtojnë policisë, pasi dëshmitarët u shokuan aq shumë sa nuk i përshkruan dot të dyshuarit. Ngjarja që ka bërë bujë në të gjitha mediat greke, ka nisur të premten në afërsi të Portit të Vuliagmenit, një zonë që njihet në Athinë si e frekuentuar nga çifte të rinjsh, që qëndrojnë në intimitet larg zhurmës. Kurse dje, 19-vjeçarja është çliruar nga pengmarrja, e cila ka deklaruar se është përdhunuar për 12 orë rresht nga djemtë. Në orët e mbrëmjes, vajza gjendej atje, në një makinë "Passat", me të dashurin e saj 19-vjeçar, djali i një zyrtari të lartë të Policisë së Greqisë. Në një moment aty janë afruar dy të rinj, që çifti i identifikoi si shqiptarë. Njëri prej tyre theu xhamin e portës së shoferit dhe e nxori 19-vjeçarin me dhunë jashtë. Më tej hynë që të dy në makinë ku ndodhej vetëm 19-vjeçarja, e nxorën dhe atë jashtë dhe në sy të saj, nisën t‘i rrahin të dashurin, duke e flakur pak minuta më vonë disa metra më tutje. Pasi "mbaruan punë" me adoleshentin, iu përveshën të dashurës së tij, së cilës i mbyllën sytë dhe e futën përdhunshëm sërish në makinë, e menjëherë i dhanë gaz dhe u hodhën nga kilometri i 24-t i rrugës Athinë-Suniu ku gjendeshin, deri në zonën e Glifadhës. Pranë rrugës Livadhias nr. 14, policia ka gjetur në mëngjes makinën e përfshirë nga flakët. Policia e cila beson se zjarri u vu për të fshirë çdo gjurmë, konstatoi se makina ishte djegur plotësisht, kurse ishin përfshirë pjesërisht nga flakët dhe dy makina të tjera të parkuara aty pranë. Ndërkohë, policia shprehet e habitur për faktin që makinës iu vu zjarri në një zonë kaq të populluar. Autorët ishin larguar me një tjetër mjet, duke marrë me vete edhe vajzën 19-vjeçare, të cilën nën dhunë e mbajtën gjithë natën duke abuzuar me të. Vajza u la e lirë vetëm në orët e mesditës. Ajo ka rendur në shtëpinë më të parë që gjeti dhe kërkoi ndihmë që të lidhej me policinë. Në pak minuta, disa agjentë e kanë marrë në pyetje. Por vajza tejet e traumatizuar ka pohuar se nuk arrin të identifikojë të dyshuarit, përjashtuar faktin sipas saj se që të dy djemtë agresorë ishin shqiptarë. "Ata nuk kishin ndonjë maskim në fytyrë, por vazhdimisht ishte shumë errësirë edhe kur nuk i kisha sytë e lidhur, ndaj nuk arrita t‘i shoh qartë se kush ishin", ishte dëshmia e vajzës së dhunuar, që u gjet nga policia në Ikonio, disa blloqe larg rrugës ku iu vu zjarri makinës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›