E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deportivët, pesëfish më pak, të kthyer nga Qafëbota

Prej ditës së djeshme, Pikëkalimi Kufitar i Qafëbotës në Sarandë ka nisur të presë flukset e para të emigrantëve që kthehen për festat e fundvitit. E diela ka qenë e dita e parë kur numri i emigrantëve që vijnë për festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, është shtuar dukshëm. Sipas burimeve nga ky pikëkalimi, gjatë ditës së djeshme është regjistruar hyrja e 130 emigrantëve, nga 40-50 vetë që është ngarkesa në ditë normale. Në Qafëbotë na thanë se ndërkohë që shtohen ardhjet e emigrantëve nga Greqia, gjatë muajit dhjetor ka shënuar një rënie të ndjeshme numri i klandestinëve të kthyer nga policia greke. "Nga 100 vetë në ditë, që ishte mesatarja e deportivëve në muajin nëntor, kjo shifër ka rënë në 20 në ditë", thanë burimet policore nga Qafëbota. Kjo, sipas tyre, është e lidhur me pakësimin e kontrolleve policore në kufi dhe në qytete, por edhe me nevojën e fermerëve grekë për fuqi punëtore, sidomos për përballimin e punëve në bujqësi. Po kështu, normalizimi i treguesit të dallgëzimit në det ka bërë që dje të shtohen hyrjet e emigrantëve edhe nga Porti i Sarandës, përmes ishullit të Korfuzit.

Tho. Ni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›