Nis fluksi i emigrantëve, forcohen masat e policisë
Gjatë ditës së djeshme, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës është rritur në mënyrë të ndjeshme numri i emigrantëve, të cilët kthehen nga Greqia për të festuar festat e fundvitit në vendin e tyre. Qysh prej orës 00:30 të mëngjesit të datës 19.12.2009 e deri në orën 12:00 të mesditës së kësaj date, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë kanë hyrë gjithsej 3950 shtetas, si dhe 875 automjete, ndërkohë që sipas të dhënave të policisë kanë dalë për Greqi 950 shtetas dhe 260 automjete. Burime të policisë kufitare bënë të ditur se nga pala e policisë shqiptare në hyrje punohet me 5 sportele dhe kjo është në varësi të fluksit. Ndërsa në dalje punohet me 3 sportele. Nga pala greke punohet me 2 sportele në dalje dhe 2 në hyrje, pasi pala greke gjatë hyrjes së emigrantëve për në Shqipëri nuk aplikon procedura kontrolli të njëjta si ato që aplikon gjatë hyrjes së emigrantëve për në shtetin grek. Si rezultat i masave të marra nga të dy palët, në Kakavijë nuk janë shfaqur radhë dhe fluksi i lëvizjes ka vazhduar me një ritëm normal.
Me rastin e festave të fundvitit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, kanë hartuar një plan të përbashkët, i cili konsiston në marrjen e masave për të përballuar fluksin e emigrantëve që do të vijnë për festat e fundvitit, rritjen e sigurisë në rrugë, parandalimin e aksidenteve, rritjen e masave në drejtim të goditjes së trafiqeve të paligjshme që mund të zhvillohen në pikat e kalimit apo në kufirin e gjelbër, duke përfituar nga fluksi i emigrantëve, marrjen e masave për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillohen për festimin e këtyre festave etj. Sipas zëdhënësit të policisë, Gentian Mullai, Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore emigrantëve, shmangien e radhëve të gjata dhe përpunimin në kohë reale, ka shtuar sportelet e përpunimit të dokumenteve të shtetasve dhe të automjeteve, nga 3 që ishin në hyrje janë bërë 10, si dhe nga 3 në dalje janë bërë 5, ku në rast se fluksi do jetë i papërballueshëm me këto kapacitete, do ketë të tjera shtesa në sportele dhe efektivë. Njëkohësisht në funksion të këtyre masave nga Drejtoria Rajonale e Kufirit është marrë takim me palën greke, që edhe ata të marrin masa që të ketë lëvizje të njëtrajtshme, duke bërë të mundur eliminimin e radhëve të gjata, ku si rezultat i këtyre takimeve është premtuar nga pala greke se do të ketë të njëjtin angazhim për këtë qëllim.
Për të rritur sigurinë në rrugë, parandalimin e aksidenteve dhe ardhjes në ndihmë të gjithë përdoruesve të rrugës, të cilët mund të kenë nevojë, janë shtuar patrullat e qarkullimit rrugor në të gjitha asket rrugore, si dhe do të ketë shërbim 24 orë në akset që mbulon Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Të njëjtat masa për sa i përket qarkullimit janë marrë edhe në rrugët dytësore, si dhe në qytetet në juridiksion të Qarkut Gjirokastër. Masa shtesë janë përcaktuar edhe për mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që do zhvillohen për festimin e këtyre festave, qoftë në kultet fetare apo në sheshe dhe lokale. Janë marrë masa të plota që këto aktivitete të kalojnë pa probleme. Për natën e ndërrimit të viteve, në bashkëpunim me bashkitë e rretheve Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet, janë caktuar sheshet ku do kryhen festime, si dhe janë marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do zhvillohen. Për sigurimin e rendit dhe qetësisë, në qendrat e banuara është rritur prezenca e uniformave blu, si dhe e shërbimeve të parandalimit të krimit.
En. Se.